Sa herë flitet pë Salih Çekajn, në shpirt ndjej dhëmbje të papërshkrueshme. E para, për mohimin e të vërtetës historike se ai ishte themelues i bërthamave të para ushtarake në Shqipëri dhe, e dyta, kur shtiren si miqë, bashkpunëtorë dhe bashkluftëtarë të tij edhe ata që nuk e kanë njohur, nuk kanë qenë bashkëverpimtarë e as bashkëluftëtarë të tij.
Sa herë që të flasim për themelimin e grupeve të para ushtrake të cilat edhe janë bërthamat e para të UÇK-së dhe nuk pranojmë rolin historik që ka pasur Hafiz Gagica në cilësinë e kryetarit të kolegjiumit të Degëve të LDK-së në mërgatë, i cili bashkë me Degën e LDK-së në Zvicër, e drejtuar atëherë nga mr. Shaip Latifi, ne falsifikojmë historinë. Po sikur të ishte gjallë vet Salih Çekaj, ai as që do të provonte për t’ia marrë meritat e Hafiz Gagicës për themelimin e ushtrisë së Kosovës.
Por edhe Hafiz Gagica, në asnjë rast, (të paktën sa kam njohuri unë N. P.), nuk e ka zvogëluar rolin e Salih Çekajt në organizimin dhe masivizimi, apo për sukseset e treguara gjatë stërvitjeve që kanë zhvilluar e po ashtu edhe në hartimin e platformave, elaborateve, etj. etj. Prandaj, shoqëria jonë duhet të bie me të dy këmbët në tokë dhe t’ia pranojë meritat secilit, ta pranoj edhe rolin e Salih Çekajt por edhe rolin e pakontestueshëm të Hafiz Gagicës, mr. Shaip Latifit dhe komplet rolin historik që kanë luajtur dy Degët e LDK-së në mërgatë.
Në këto rrethana ata që nuk përmendin rolin historik të Salih Çekajt si ideolog për themelimin e grupeve të para për rezistencë të armatosur ushtarake në Kosovë, do të thotë se e mohojnë historinë e themelimit, sepse janë ato grupet e para që ushtruan në Shqipër. Ato grupe janë penguar kryesisht nga eksponentë të LPK-së të kryesuar nga Xhavit Haliti me kompani. Këtë gjë e dinë fort mirë por, si askush tjetër, ideologjia marksiste-leniniste ka dëshirë për t’i përvetsuar meritat e të tjerëve. Në ato grupe kanë ushtruar edhe Adem Jashari dhe Zahir Pajaziti, dhe kanë qenë vartës të Salih Çekajt.
Pa u zgjedhur thelbi i kësaj enigme, pa u pranuar roli historik i Degës së LDK-së në Zvicër dhe asaj në Gjermani dhe pa u pranuar edhe roli historik i Hafiz Gagicës, bashkë me Shaip Latifin, kurrë historia e vërtetë e ushtrisë së Kosovës nuk do të thuhet. Kjo ngjarje për të cilën po flas, nuk ka ndodhur para dyqindë a dymijë vitesh. Kjo ka ndodhur para dhjetë vitesh. E nëse pitja qenka ngrënë, të paktën tepsia ka mbetur.
Dega e LDK-së në Gjermani ka qenë me fat që në gjirin e saj ka pasur një personalitet siç ishte Salih Çekaj, nismëtari e themeluesi i UÇK-së dhe përpiluesi i listave të atyre që do të shkonin për trajnime në Shqipëri.Salih Çekaj ishte edhe nënkryetar i Lidhjes Demokratike të Kosovës në Gjermani. Para se të emigronte në Gjermani, ai ishte zyrtar dhe udhëheqës politik në komunën e Deçanit si dhe oficer rezervë i angazhuar në mbrojtjen territoriale në Deçan.
Pra, Salih Çekaj, ishte zyrtar i komunës i angazhuar në mbrojtjen territoriale, andaj iu besua organizimi e jo çobanëve që dijnë vetëm të përvetësojnë meritat e tij. Këtyre virtyteve që i posedonte Salih Çekaj duhet shtuar edhe pozita gjeografike e vendlindjes së tij e cila ndodhet në brezin kufitar me Shqipërinë. Shtëpia e tij në Broliç të Deçanit u bë depo armësh, e në asnjë mënyrë shtëpitë e atyre “patriotëve” që ishin larg – tepër larg brezit kufitar. Edhe futja e armëve nga Shqipëria është bërë nga ai sepse e njihte terrenin pllëmbë për pllëmbë, e jo nga të tjerët. Edhe në këtë plan, Salih Çekaj i ka meritat e pa kontestueshme.
Asnjëherë Salih Çekaj nuk ka shkuar në Llap e Drenicë me marrë armë, por tek Salih Çekaj kanë shkuar Adem Jashari dhe Zahir Pajaziti dhe luftëtarë të tjerë. Prandaj, mallkimi historik mund ta godet Kosovën nëse pajtohet me falsifikimin e historisë.
Salih Çekaj, para se të bëhej figurë qëndrore për organizimin dhe furnizimin me armë të UÇK-së, ka qenë figurë politike dhe veprimtar i çmuar në Degën e LDK-së në Gjermani dhe kudo në diasporë. Në këtë përvjetor të rënies së tij në altarin e lirisë, apeloj për pranimin e vlerës që kishte si ideolog, si themelues dhe bartës i të gjitha proceseve për themelimin e UÇK-së, për rolin historik dhe për kontributin deri në flijim në luftën për çlirimin e Kosovës!
Zürich, Prill 2000.
Marrë nga libri në botim: Ing. Nazmi Peci, “DEMOKRACIA E PROLONGUAR”, (përgatitur nga Shefqet Dibrani dhe Demë Jashari)