Dush Gashi
Njerëzit sot nuk e përmendin kohën e Jugosllavisë me lehtësi. Pushtetarët dhe institucionet nuk e bëjnë, për shkak se kanë frikë mos po duket diçka e atëhershme më e mirë se sot, qytetarët nga frika mos po duken nostalgjikë.
E çka nëse dukesh nostalgjik? Ajo nostalgji nuk ka të bëjë vetëm me politikën, strukturën shtetërore, sistemin, Titon e Fadil Hoxhën a çkado tjetër, thjesht është pjesë e jetës së atyre që kanë lindur e janë formuar në atë kohë. Nëse nuk mund ta shohësh me dy sytë çelë të kaluarën tënde si individ apo si shoqëri, kjo do të thotë se nuk je rritur!
Tjetër është se, sa më përket mua, edhe po të mund ta ktheja atë kohë duke e shtypur një tast magjik, nuk do ta bëja kurrë, për shkakun e thjeshtë sepse ajo shoqëri nuk ka ka qenë shoqëri e lirë.
Por, deshta me e tregu një idile të harruar të asaj kohe, po flas për vitet ma të mira të saj, të 70-tat – të mos jesh i preokupuar me politikën, kush është në pushtet e gjëra të tilla! Nuk e keni idenë sa rehati është!
Nuk e kam fjalën për të qenë apolitik, por për të bërë një krahasim se sot jetët tona janë tkurrur shumë, se kemi një preokupim do të thoja pervers me pushtetin, thua se përkatësia ndaj një partie politike është bërë pjesë e identitetit tonë dhe thua se s’ka veprimtari tjetër ku mund ta realizojmë vetveten!
Shoqnia e sodit, për shembull, ka harruar se një javë do të mund të kishim preokupim kryesor një ndeshje futbolli, një koncert, një dramë të shfaqur në teatër, një libër të botuar, intervistën në televizion të një shkrimtari, një objekt të bukur arkitektonik të ndërtuar, projektin për ndërtimin e një lagjeje të re të urbanizuar…!
Paramendojeni sikur të kthejmë këso preokupimesh, në rrethana të reja, të një shoqërie të lirë!
Kjo është vetëm pjesërisht nostalgji për të kaluarën, më shumë është mall për të ardhmen! Të ardhmen që s’po dimë ta krijojmë!