in

Ibri, jeta dhe mrekullia e Mitrovicës

Mitrovica dhe Ibri kanë histori të përbashkët me shekuj. Të flasësh apo të shkruash për Mitrovicën pa e përmendur lumin e bukur Ibër apo e kundërta e kësaj, të flasësh apo të shkruash për Ibrin pa e përmendur Mitrovicën, nuk ke thënë dhe nuk ke shkruar asgjë.

Hysni Syla

Natyra ka dashur që pozitën e bukur të Mitrovicës ta hijeshojë akoma me lumin e mrekullueshëm Ibri. Të mirat që Ibri ua ka sjell qytetarëve të Mitrovicës, por edhe vet qytetit, janë të panumërta.

Me shekuj mitrovicasit e kanë shfrytëzuar maksimalisht Ibrin për pushim, rekreacion, sport, transport të lëndëve drunore, peshkim, ujitje të tokave. Kurse sot, jo vetëm Mitrovica,por edhe gati gjysma e Kosovës e shfrytëzojnë ujin e Ibrit për pije, për ujitje dhe industri. Pa fije dyshimi, Ibri me pendën e ndërtuar në të, sot është jeta e Mitrovicës dhe Kosovës.

Gati deri në vitet e 70-ta të shekullit të kaluar, Mitrovica, për shkak të Ibrit ka qenë qyteti më i vizituar nga qytetarët e Kosovës. Me mijëra njerëz nga Vushtrria, Prishtina, Skenderaj, Podujeva, Ferizaj, Gjilani etj, vikendet i kanë kaluar në Mitrovicë, buzë brigjeve të Ibrit, që kishin një pamje akoma më të mrekullueshme se sa që kanë sot.

Dhe nuk kishte se si të ndodhte ndryshe, kur në Ibër shiheshin numër i madh i patave të egra, kur përgjatë lumit Ibër, në të dyja anët e tij, plepat, shelgjet dhe gjelbërimi me lule të ndryshme, i jepnin një pamje piktoreske, të cilën vizitorët e shijonin në maksimum, përderisa ujin e nxehtë të tij e shfrytëzonin për të bërë plazh. Qëndrimin e tyre në Mitrovicë,qytetarët e Kosovës e shfrytëzonin edhe për të bërë tregti, pasi që së pari në Mitrovicë arrinin prodhimet e modës së fundit.

Fatkeqësisht, si Mitrovica, ashtu edhe Ibri, kaluan një periodë të vështirë të shëmtimit nga dora e njeriut. U ndërtuan objekte ekonomike që e dëmtuan skajshmërisht ambientin e bukur përreth lumit Ibër dhe në tërë Mitrovicën.

Për fat të mirë, pas luftës së fundit, fabrikat që e ndotnin më së shumti Ibrin dhe Mitrovicën, nuk u aktivizuan. Kjo bëri që ambienti i degraduar tej mase të filloj të përmirësohet. Dora e njeriut filloj të përkujdeset më tepër për këtë mrekulli të quajtur Ibër.

Fillimisht në disa pjesë të Ibrit u ndërtua dhe rregullua keji, që është në vazhdim e sipër deri tek bashkimi i tij me lumin Sitnica, ndërsa që sivjet u inaugurua edhe liqeni artificial në një gjatësi prej më shumë se një kilometër, me një pamje mahnitëse, që nuk e ka asnjë qytet i Kosovës. Këtë mrekulli gjatë ditës e vizitojnë me mijëra qytetarë të Mitrovicës, rajonit e nga mbarë Kosova.

Ndërsa, Ibri si gjithnjë edhe sot kishte një pamje të mahnitshme. Uji i rrëmbyeshëm vazhdonte rrugën e vet shekullore, ndërsa që përreth tij, në të dyja anët, plepat dhe shelgjet ia shtonin hijeshinë akoma Ibrit.

Lini një Përgjigje

Ndryshon lista e zonave të kuqe në Kosovë, tash janë 16 sosh

U hap Zyra e Këshillit Kombëtar Shqiptar në Medvegjë