Të paktën 44 veta humbën jetën dhe rreth 150 të tjerë mbetën të plagosur në një rrëmujë përgjatë një festivali fetar në Izraelin verior, në të cilin morën pjesë dhjetëra mijëra hebrenj ultra-ortodoksë.
Kjo është nja nga katastrofat civile më vdekjeprurëse në vend.
Rrëmuja, sipas dëshmitarëve dhe video-pamjeve, filloi kur një numër i madh njerëzish vërshoi në një kalim të ngushtë si tunel. Njerëzit filluan të bien njëri mbi tjetrin afër fundit të vendkalimit, ndërsa zbrisnin shkallët e rrëshqitshme prej metali, thanë dëshmitarët.
Rrëmuja ndodhi gjatë festimeve të kremtes Lag BaOmer në malin Meron, mbledhja e parë fetare masive që kur Izraeli hoqi gati të gjitha kufizimet për shkak të pandemisë së koronavirusit. Heqja e masave pasoi një nga fushatat më të suksesshme të vaksinimit në botë.
Lag BaOmer tërheq dhjetëra mijëra njerëz çdo vit, shumica prej tyre hebrenj ultra-ortodoksë, për të nderuar Rabinin Shimon Bar Yochai, një mistik i shekullit të II-të që është varrosur atje. Turmat e mëdha tradicionalisht ndezin zjarre, luten dhe vallëzojnë si pjesë e festimeve.
Kryeministri Benjamin Netanyahu e cilësoi ngjarjen “një tragjedi të madhe” dhe tha se të gjithë po luteshin për viktimat.
Në një garë me kohën, funeralet duhe të përfundojnë para perëndimit të diellit të premten, para fillimit të Shabatit, kur nuk bëhen varrime.