Kroacia dhe miq nga vende të shumta anembanë botës ia kanë dhënë lamtumirën e fundit “trajnerit të të gjithë trajnerëve”, Mirosllav Qiro Bllazheviq.
Aftësitë e tij stërvitore dhe mbi të gjitha karizmi i tij personal, fituan zemrat e tifozëve të futbollit kudo që ai punoi, prandaj edhe numri i atyre që ishin të pranishëm në komemoracionin e tij ishte shumë i madh. Në mesin e atyre që ishin të pranishëm në lamtumirën e Qiros ishin edhe presidenti i FFK-së, Agim Ademi dhe ish-futbollisti i njohur kosovar, Ardian Kozniku. Ky i fundit suksesin e tij më të madh në karrierë e ka arritur pikërisht nën drejtimin e Qiros, kur në vitin 1998 e fitoi medaljen e bronztë si anëtar i Kombëtares së Kroacisë.
Në komemoracion ishin të pranishëm krerët e shtetit kroat, presidenti Zoran Milanoviq, kryetari i parlamentit kroat Gordan Jandrokoviq, kryeministri Andrej Plenkoviç, përfaqësues të FIFA-s dhe UEFA si dhe ish-futbollistë të shquar të arenës ndërkombëtare.
“Me largimin e tij nga kjo jetë, Qiro bëri atë që kishte bërë gjatë gjithë jetës së tij, bashkoi gjithë Kroacinë. Arsyeja pse jemi këtu është e trishtë, por Qiro me siguri ‘nga lart’ është krenar që na sheh në një vend. Faleminderit të gjithëve që erdhët të konfirmoni se Qiro është një personalitet i rëndësishëm jo vetëm për futbollin kroat, por edhe për të gjithë shtetin kroat. Ai hodhi themelet e një bashkimi të jashtëzakonshëm që është ende themeli i futbollit kroat sot”, tha presidenti i Federatës kroate, Marijan Kustiq.
Ndërkohë, kreu i futbollit kosovar, Agim Ademi, përmes një postimi në rrjetet sociale ka konfirmuar pjesëmarrjen në ceremoninë e lamtumirës së Qiro Bllazheviqit.
“Në mesin e shumë personaliteteve të shquara të institucioneve kroate dhe legjendave të futbollit për t’ia dhënë lamtumirën trajnerit që la gjurmë në botën e futbollit, Mirosllav Qiro Bllazheviq. Qiro ishte dhe mbetet “trajneri i të gjithë trajnerëve”, derisa ishte shumë i dashur dhe i veçantë edhe për komunitetin e futbollit në Kosovë, për dashurinë dhe pasionin që shfaqi për zhvillimin e futbollit tonë sa ishte trajner i Prishtinës. Në emër të komunitetit të futbollit në Kosovë u shpreha ngushëllimet më të sinqerta bashkëshortes, dy vajzave dhe djalit të tij, por edhe presidentin të Federatës Kroate, Marijan Kustiq dhe shumë ish-lojtarëve të tij, në mesin e të cilëve ishte edhe Ardian Kozniku. Qiro do të mbahet mend për karizmin dhe rezultatet e tij, derisa njohuritë e tij mbi futbollin do të jenë frymëzim për brezat e rinj. Lamtumirë Legjendë! Faleminderit për kontributin e dhënë për futbollin e Kosovës!”, ka shkruar Ademi.
Qiro Bllazheviq vdiq më 8 shkurt pas një sëmundje të rëndë, dy ditë pa e festuar ditëlindjen e tij të 88-të. Ai la gjurmë në futbollin e Kosovës, duke e drejtuar Prishtinën në elitën e futbollit jugosllav në vitet 1985/86.
Loading…