Policia e Kosovës dhe Prokuroria e Shtetit në konferencën e mbajtur për media kanë konfirmuar se sot janë arrestuar 7 persona, si të dyshuar në përfshirje për vrasjen e policit Muhamet Lika.
Drejtori i përgjithshëm i Policisë së Kosovës kolonel Gazmend Hoxha, tha se 170 policë kanë marrë pjesë në aksion.
Hoxha tha se operacioni policor është kryer në orët e para të mëngjesit. Ai tha se janë bastisur nëntë lokacione, shumica në Kaçanik dhe një në Klinë.
“Janë arrestuar shtatë persona të dyshimtë të cilët dyshohet se kanë marrë pjesë në planifikimin dhe në ekzekutimin e rreshterit tonë”, tha ai.
Ai shtoi se të dyshuarit janë duke u intervistuar, derisa sipas tij, janë siguruar prova të cilat e ndërlidhin këtë grup kriminal me vrasjen e rreshterit Lika.
Hoxha ka thënë se disa prej të arrestuarve kanë pasur të kaluar kriminale dhe kanë qenë të arrestuar te rastet e mëhershme që ndërlidhen me prirje ekstremiste.
“Rreshteri ynë ka qenë në detyrë zyrtare në disa raste kur disa prej tyre kanë qenë të arrestuar, që lidhen me pamfletin dhe djegien e Gjykatës në Kaçanik”, tha Hoxha.
Kryeprokurori i Prokurorisë Themelore në Ferizaj,Burim Çerkini, tha se prokuroria që nga fillimi ka punuar në zbardhjen e këtij rasti.
Ai tha se personat e arrestuar do të dërgohen në mbajtje dhe do të vazhdojmë me procedurat e mëtutjeshme.
“Dyshimet tona janë se motivi i vrasjes lidhet me punën e Muhamet Likës si pjesëtar i Policisë së Kosovës”, tha Çerkini.
Rasti i vrasjes në Kaçanik, Prokuroria dhe Policia mbajnë konferencë
(E plotësuar, ora 10:00) Prokuroria Themelore në Ferizaj, do të mbajë sot konferencë për media për rastin e vrasjes së zyrtarit policor në Kaçanik.
“Pjesëmarrës në këtë konferencë do të jenë Kryeprokurori i Prokurorisë Themelore në Ferizaj, z.Burim Çerkini dhe Drejtoria Rajonale e Policisë së Kosovës.Konferenca do të mbahet nga ora 11:30, në Stacionin Policor në Ferizaj”, njofton Prokuroria Themelore në Ferizaj.
Në konferencë do të jetë i pranishëm edhe drejtori i Policisë së Kosovës, Gazmend Hoxha.
“Sot, më 21.04.2025, Policia e Kosovës në bashkëpunim me Prokurorinë do të mbaj një konferencë për media ku do të shpalosen detaje rreth operacionit policor që u zhvillua në orët e hershme të mëngjesit në komunën e Kaçanikut dhe i cili ndërlidhet me rastin e vrasjes së Rreshterit policor Muhamed Lika. Në këtë konferencë do ta marrë pjesë: drejtori i përgjithshëm i PK-së kolonel Gazmend HOXHA, Kryeprokurori i Prokurorisë në Ferizaj z. Burim Çerkini”, thuhet në njoftimin e Policisë.
Policia me aksion në Kaçanik, ndërlidhet me vrasjen e policit Muhamet Lika
Një aksion i madh i Njësive Speciale po zhvillohet në Kaçanik. Lajmin e ka konfirmuar për RTKlive zëdhënës i Policisë së Kosovës, Baki Kelani, i cili tha se ky aksion ndërlidhet me vrasjen e rreshterit policor, Muhamed Lika.
“Policia e Kosovës, me njësitë e saja relevante pas hetimeve intensive, sot në orët e hershme të mëngjesit ka filluar një operacion policor, i cili ndërlidhet me rastin e vrasjes së Rreshterit policor Muhamed Lika në Kaçanik. Pas përfundimit të operacionit policor, do të bëhen publike informacione shtesë”, ka thënë Kelani.
Rreshteri Lika u vra më 1 prill të këtij viti derisa ishte duke shkuar në banesën e tij.
Ai u gjuajt me armë zjarri brenda ndërtesës ku jetonte.
Prokuroria Themelore e Ferizajt pati njoftuar se nga provat materiale të siguruara shihej se dy persona e kanë vrarë Likën gjatë mbrëmjes të asaj dite.