Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, ka marrë pjesë në konferencën “Progresi dhe sfidat e procesit të njohjes së statusit të viktimave të dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë”, në të cilën u diskutua lidhur me të mbijetuarit e dhunës seksuale në Kosovë gjatë luftës së viteve 1998-99, të ushtruar nga forcat serbe.
Ai u ka bërë thirrje të gjithë personave që kanë përjetuar dhunë seksuale gjatë luftës në Kosovë, që të aplikojnë për ta fituar statusin.
“Turpi nuk është i viktimave, por i atyre që kanë kryer këto krime”, ka deklaruar Hoti gjatë kësaj konference.
Ndërsa ish-presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga, ka bërë apel që të mbijetuarve të dhunës seksuale t’u jepet më shumë rëndësi si dhe t’ju mundësohet realizimi i plotë i të drejtave për t’i ofruar qasje në drejtësi.
“Të mbijetuarve të dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë i nevojitet ndihma jonë. T’u mundësojmë një jetë më të dinjitetshme, t’u ofrojmë qasje në drejtësi”, ka thënë Jahjaga.
Në këtë konferencë ka folur edhe ministri i Drejtësisë, Selim Selimi, i cili ka thënë se zëri i viktimave duhet të jehojë edhe në tavolinën e dialogut me Serbinë.


