in

Hoti: Të enjten nënshkruaj një marrëveshje të re me SHBA-në

Kryeministri në detyrë i Kosovës, Avdullah Hoti, ka konfirmuar se të enjten Qeveria e Kosovës do të nënshkruajë një marrëveshje me Qeverinë e Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

“Nesër do të nënshkruaj marrëveshje tjetër që derivon nga ajo e 4 shtatorit mes Qeverisë së Kosovës dhe SHBA-së”.

“Me marrëveshjen e re në vitet e ardhshme do të sillen qindra milionë dollarë për investime në Kosovë”, ka thënë Hoti, njofton Klan Kosova.

“Më e mira është se hapet tregu amerikan financiar për financimet e firmave nga Kosova. Është marrëveshje që nënshkruhet nesër”.

Hoti ka thënë se marrëveshja e 4 shtatorit është historike për Kosovën, ndërkaq kjo e reja sipas tij do të sjell investime amerikane në vend.

Ndërsa ka deklaruar se ish bashkëpartiakja e tij, Vjosa Osmani, nuk ka të ardhme në politike pasi ka dalë nga LDK-ja.

Në Rubikon me Adriatik Kelmendin, në Klan Kosova, ai u shpreh se Osmani është formuar brenda LDK-së dhe nëse merr veprime për ta dëmtuar shtëpinë e saj politike, sipas tij që ajo tani po e bën, tregon që asnjëherë nuk ka qenë e sinqertë në LDK.

“Në zgjedhjet e kaluara, Vjosa Osmani ka qenë prijëse e listës dhe është e natyrshme që ka qenë personi më i votuar, por tani ajo ka vendosur ta ndjekë rrugën e vet politike dhe ky është vendim i saj”.

“Nga aspekti sjelljes politike nuk besoj që është vendim i duhur, por është vendim i saj. Ajo i ka ndarë rrugët me LDK-në, e cila neve na ka dhënë përgjegjësi. Është privilegj i madh të jesh prijës i listës. Kur e fiton këtë besim duhet ta vlerësosh. Fakti që i ka ndarë rrugët me LDK-në do të thotë se nuk e ka vlerësuar. Ajo është shkarkuar nga partia se nuk i respektoi vendimet e LDK-së”.

“Tani besoj se e ka të qartë fatin politik, ashtu si të tjerët që kanë dalë nga LDK. Kjo do të thotë se ajo është formuar brenda LDK-së, ashtu si unë dhe plot të tjerë dhe nëse merr veprim për ta dëmtuar shtëpinë tënde politike, siç po bën ajo poshtë e lartë me disa asamblistë të LDK-së, tregon që asnjëherë nuk ke qenë e sinqertë në shtëpinë e saj politike”.

“Ajo tani është histori, e ka zgjedhur rrugën e saj”.

“Normalisht që LDK dëmtohet nga largimi i saj, kjo është e kuptueshme, por jam i bindur se të ardhme në politikë nuk ka. Nuk ka logjikë të ketë të ardhme jashtë LDK-së, se kjo parti e ka formuar këtu ku është. Mbështetjen që e ka pasur në vitin 2019 ia ka dhënë LDK-ja”, u shpreh Hoti

Për sigurimin e vaksinave kryeministri në detyrë, Avdullah Hoti, ka thënë se janë në komunikim të vazhdueshëm për të siguruar vaksinën kundër COVID-19.

Hoti nuk dha datë të saktë veçse tha se Kosova do të merr vaksinat njësoj si vendet e rajonit.

“Jemi duke punuar shumë në këtë drejtim, jemi pjesë e marrëveshjeve prej ku do të furnizohemi me 20% të vaksinës po punojmë me Komisionin Evropian për të siguruar ato”.

“Nuk mund të jap datë pasi do të ishte jo korrekte nga ana ime”.

“Për sasi që barten nëpër çanta dorë nuk është furnizim me vaksina, furnizim është kur të vjen sasi e madhe dhe do te vaksinohet shumë qytetarë”.Ne vaksinën do ta marrim në raport me vendet e rajonit. Presim që së shpejti të marrim një sasi simbolike të caktuar që të vaksinojmë mjekët, të sëmurët kronikë, kategoritë më të rrezikuara”.

“Ka marsi prilli besoj se do të mund të fillojë vaksinimi në masë”, tha Hoti.

Hoti mes tjerash deklaroi se kanë zhvilluar komunikime direkt edhe me kompaninë Pfizer.

“Kemi zhvillu komunikimi direkt me kompaninë Pfizer që të blejmë direkt vaksina nga ta – komunikimet vazhdojnë”

Kryeministri në detyrë ka folur edhe për vaksinat që erdhën nga Serbia në veri të vendit.

“Ne kemi një marrëveshje të Brukselit që na lejon të kemi një komunikim formal dhe zyrtar nëpërmjet zyrave ndërlidhëse. Po të ishte serioze Serbia dhe presidenti do të përdornin rrugët legale për vaksinë dhe askush nuk do t’ua ndalonte këtë gjë”.

“Nuk ka logjikë as shtetërore as humane që të lejohet ndalimi i vaksinave për vaksinimin e një pakice të caktuar”, tha Hoti.

“Kanë hyrë në mënyrë puro ilegale dhe për këtë kemi raportuar edhe në Bruksel që të diskutojnë me Serbinë për këtë çështje”.

“Ne kemi ndërmarrë veprimet e nevojshme dhe organet e ligjit janë duke hetuar rrugët që kanë hyrë këto vaksina”, është shprehur Hoti, njofton Klan Kosova.

Lini një Përgjigje

Krasniqi konfirmon se situata pandemike është nën kontroll

Këta janë dy djemtë e vrarë në Pozharan nga baba i tyre