Kryeministri i Republikës së Kosovës, Avdullah Hoti, gjatë qëndrimit në Shkup të Maqedonisë së Veriut, ka nënshkruar Memorandumin e bashkëpunimit me SHBA-në lidhur me sigurinë e rrjetit 5-G. Me këtë rast ka potencuar se kjo është një dëshmi se ka filluar të zbatohet Marrëveshja ekonomike e nënshkruar në Washington mes Kosovës dhe Serbisë, e bërë më katër shtator të këtij viti.
“Është kënaqësi dhe nder i veçantë, që, këtu, në Ambasadën e Kosovës në Shkup, e nënshkruam Memorandumin e bashkëpunimit lidhur me sigurinë e rrjetit 5-G me Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Falënderoj të gjithë Qeverinë e SHBA-së për vendosmërinë që shpejt të çojmë përpara zbatimin e marrëveshjes së Washingtonit”, ka potencuar Hoti.
Hoti gjatë konferencës për media ka theksuar se Prishtina i ka ndërmarrë veprimet e duhura lidhur me çështjet e rrjetit 5-G.