Kryeministri i Kosovës në detyrë, Avdullah Hoti, ka reaguar pas deklaratave të kreut të VV’së, Albin Kurti, i cili tha se do të insistojë që Prokuroria të nisë hetime ndaj pronarëve të gurëthyeseve, inspektorëve e politikanëve që morën vendime për ndërtime të rrugëve, pas përmbytjeve nga shiu, raporton Express
Hoti ka deklaruar se Kurti do duhej të kërkonte angazhim nga Qeveria, e jo të kërcënojë me prokurorë.
“Ne nuk do ta kursejmë askënd në këtë fushatë. Nuk do të lejojmë që njerëzve tu shpërlahet truri. Kosova që tre ditë përballet me vërshime, Kurti në vend se të kërkojë angazhim nga Qeveria, ai del dhe kërcënon se me prokurorë do të angazhohet se diku një rrugë apo një gardh nuk është ndërtuar mirë. Ai flet për këto gjëra në kohën kur njerëzit janë detyruar të largohen nga shtëpitë e tyre. Ne duhet të bëjmë çdo që të pamundësojmë këtë model të qeverisjes”, ka deklaruar Hoti.
Ai tutje ka thënë se në kohën kur ka marrë postin e Kryeministrit, e ka gjetur Kosovën të izoluar e me sqanksione.
“E kemi marrë qeverisjen kur Kosova ishte e izoluar dhe me sanksione. Por pas disa javësh kemi kthyer relacionet me bashkësinë ndërkombëtare, kishim disa vizita në Bruksel e në vendet tjera evropiane. Pastaj erdhi marrëveshja e Uashingtonit që është e mirë për Kosovën. Ne e morëm qeverinë në kohën kur kishte kërcënime serioze për tërheqje të trupave amerikane ndërsa arritëm si qeveri që ushtrinë e Kosovës ta dërgojmë në misione bashkë me ushtrinë amerikane. Ky është ndryshim komplet i kursit, si dita me natë, me ata që ishin para nesh në qeverisje”, tha Hoti.