in

Hibbert: Lëvizja Kryeziu e rrezikshme për udhëheqësit komunistë në Jugosllavi e në Shqipëri

Shkruan: Uran Butka

 Interesi ynë politik dhe kombëtar synonte veprimin gjithëshqiptar në luftën për çlirim nga okupatorët,   kërkonte bashkëpunim me fituesit e Luftës së Dytë Botërore e jo me humbësit dhe orientimin nga Perëndimi, për sigurimin e një jete kombëtare e një  të ardhme demokratike pas lufte dhe  jo orientimin nga Lindja,  nga sllavokomunizmi,  që përbënte sërish një rrezik të madh për Shqipërinë, Kosovën dhe çështjen tonë kombëtare. Këtij orientimi i mbeti besnik deri në fund Lëvizja “Kryeziu”.

Lëvizja “Kryeziu” vepronte në kufijtë midis dy gjysmëshqipërive, kishte luftëtarë  nga Kosova dhe Shqipëria, kishte mbështetjen e plotë popullit  në trevat veri-lindore dhe do të shndërrohej në një kryengritje të përgjithshme çlirimtare në Kosovë e më gjerë, por e goditën pabesisht dhe e eliminuan forcat komuniste në të dy anët e kufirit politik. Kryezinjtë si luftëtarë nacionalistë, nuk pranuan të hynin në Frontin NÇ, sepse shikonin tek Fronti NÇ Partinë Komuniste Shqiptare, që  realisht drejtohej nga emisarët e PK Jugosllave M.Popoviç, D.Mugosha,V.Tempo, V.Stoiniç etj.. Por nuk u inkuadruan as te Balli Kombëtar, një organizatë nacionaliste, që kishte në program luftën kundër pushtuesve nazifashistë  dhe  Shqipërinë etnike; as tek Legaliteti, që kishte në program luftën antifashiste dhe monarkinë parlamentare.  Kryezinjtë mendonin që nuk duhet ta bënin lëvizjen e tyre pjesë të partive apo të organizatave politike dhe , duke qëndruar si forcë e paangazhuar ndërmjet dy grupimeve kryesore të rezistencës shqiptare,  por edhe duke luftuar në bashkëpunim me ta e faktotët e tjerë, do t’i shërbenin më mirë luftës për çlirim dhe çështjes kombëtare.

Edhe propozimit për të hyrë në Lëvizjen NÇ të Kosovës, Kryezinjtë iu përgjegjën negativisht, sepse Lëvizja NÇ e Kosmetit ishte pjesë e Lëvizjes NÇ të Jugosllavisë dhe varej nga KQ i PKJ, që mbante qëndrime paternaliste dhe kishte synime shoveniste e gllabëruese ndaj Kosovës , madje edhe ndaj Shqipërisë. Nga ana tjetër populli shqiptar i Kosovës, për shkak të robërisë 30 vjeçare serbe, politikave koloniale, genocidiste dhe shkombtarizuese serbomadhe, nuk mund të mbështeste asnjë lëvizje që vinte nga Serbia apo aleatët e saj , aq më pak  komunizmin dhe hegjemonizmin  që mbartëte lufta e tyre nacionalçlirimtare. Në këtë konteks, Kryezinjtë përcjellin e përfaqsojnë mendimin e qëndrimin e atdhetarizmin e popullit të Kosovës. Këtë e dëshmon edhe Fadil Hoxha  në letrën që i dërgon Liri Gegës më 26.09.1944: “ Ata (Kryezinjtë ) nuk kanë besim se me Frontin NÇ të Jugosllavisë  do të fitojë lirinë Kosova, prandaj Kosovën e quajnë pjesë të pandame të Shqipnisë.” [1]      Këtë parashikim gjenial të Kryezinjve e vërtetoi koha. Ata i kuptuan me kohë synimet djallëzore antishqiptare të PKJ dhe të Titos: “Të lidhet lufta naci

onalçlirimtare e Shqipërisë me atë në Mal të Zi, Serbi e  Kosovë, në mënyrë që t’u pritet shtegu reaksionarëve shqiptarë që të përvetësojnë popullin në linjën e bashkimit të disa krahinave siç janë Metohija dhe Kosova” [2]

 Propozimit për të  hyrë në Kosmet, Ganiu refuzoi  duke thënë se hyrja e tij  do t’ia humbte krejt influencën në popullin e Kosovës, gjë që nuk i jepte dorë Kosmetit..”[3]

 

Kështu, Lëvizja “Kryeziu” ruajti një fizionomi të vetën dhe një filozofi të vetën: një Kosovë e lirë   mbi bazën e luftës antifashiste , pa flirte e bashkëpunim as me serbo-komunistët dhe as me okupatorët nazifashistë.

 Trysnia e PKSH për t’i futur kryezinjtë në Frontin NÇ dhe mospranimi i tyre, përpjekja e dështuar e E.Hoxhës për t’i përçarë Kryezinjë, shqetësimi i krerëve të PKSH për luftën e pandërprerë që bënin Kryezinjtë kundër gjermanëve, shqetësimi i PK Jugosllave për zgjerimin e Lëvizjes Kryeziu në Kosovë dhe urdhëri i Kominternit për të asgjësuar me çdo kusht Llazar Fundon e të tjera, bënë që dy-tre muajt e fundit bashkëveprimi u shprish, ndonëse nuk u pati asnjë rast konflikti midis tyre, me përjashtim të goditjes finale, që komunistët i bënë kësaj lëvizjeje çlirimtare.

 “Lëvizja e kryezinjve, – shkruan Hibbert,- po të vazhdonte, mund të çonte në një kryengritje të përgjithshme nacionaliste kosovare, por kjo mund të ishte shqetësuese  e ndoshta e rrezikshme, ndonëse në mënyra të ndryshme , për udhëheqësit komunistë si në Jugosllavi, ashtu edhe në Shqipëri.”[4]

Në radhë të parë, Lëvizja çlirimtare Kryeziu, me mbështetjen anglo-amerikane, ishte shqetësuese për udhëheqjen e PKJ dhe politikat e saj antishqiptare. Nëse do të shtrihej ajo në tërë Kosovën dhe Kosova do të fitonte lirinë me luftën e saj, ajo do të shprehte vullnetin për vetvendosje dhe bashkim me Shqipërinë, duke kundërshtuar  ripushtimin e saj nga Serbia apo përfshitjen në Federatën Jugosllave. E drejta e popujve për vetvendosje,  që trumbetohej kudo në botë, ishte bërë parimi bazë i luftës për trajtimin e çështjeve nacionale, aq më tepër i kombit tonë të ndarë padrejtësisht më dysh, që kërkonte zgjidhje dhe që ishte shprehur mëse një herë në Mukje, në   Bujan etj..“Në këto rrethana,- konstaton Hibbert,- E.Hoxha dhe Titoja kishin vendosur se do të ishte më mirë që të mos kishte fare rezistencë antifashiste në Kosovë sesa të kishte një lëvizje të udhëhequr nga Gani Kryeziu, me mbështetjen anglo-amerikane.”[5]

Lëvizja “Kryeziu”  trembte veçanërisht PKSH , që e shikonte këtë lëvizje çlirimtare si një lëvizje rivale të Lëvizjes Nacionalçlirimtare dhe cënonte “monopolin” komunist të luftës e të pushtetit monist. Aq më tepër që Lëvizja “Kryeziu” kishte mbështetjen a Aleatëve perëndimorë dhe përfaqsuesit e saj kishin shprehur simpati për lëvizjen dhe liderin e saj, Gani Kryeziun. Vëtë ministri i jashtëm Iden, i kishte bërë të ditur E.Hoxhës se kur të vinte koha për njohjen e qeverisë së tij “ duhet të këshillohet dhe të pranojë në qeveri persona të tillë si Gani Kryeziu, që kanë dhënë prova të luftës antifashiste dhe të patriotizmit.”

Në vjeshtën e vitit 1944, kur Lëvizja “Kryeziu” ishte bërë faktor i luftës për liri e çlirim kombëtar në të dy anët e kufirit politik, PKJ dhe PKSH vendosën ta asgjësonin, pikërisht kur Kryezinjtë luftonin kundër gjermanëve. P. Kemp e quan këtë bashkëpunim të komunistëve jugosllavo-shqiptarë një holokaust  vrasës

U vu në përdorim edhe për Kryezinjtë, si edhe për Abaz Kupin dhe Muharrem Bajraktarin, Ramë Mujën e të tjerë parrulla e ditës: “O me ne o kundër nesh”, u shpallën armiq kur pak më parë ishin bashkëpuntorë me ta  dhe u dërguan divizionet e brigadat nacionalçlirimtare për t’i goditur dhe asgjësuar pa mëshirë, siç urdhëronte E.Hoxha, apo  për të larë hesapet – siç udhëzonte Pavle Joviçeviç.

Edhe sulmi kundër Lëvizjes “Kryeziu” qe i kombinuar nga të dy anët e së njëjtës monedhë: forcave nacionalçlirimtare të Kosmetit nga njera anë dhe forcave e Brigadës V të Shqipërisë nga ana tjetër.Të urdhëruara njëherësh nga E.Hoxha dhe  Titoja. Thuajse në çdo letër apo radiogram, qarkore e tij që Titoja i dërgonte PKSH dhe E.Hoxhës, porositëte asgjësimin fizik të Llazar Fundos, duke përcjellë jo vetëm vendimin e Kominternit, por edhe shqetësimin e tij për lëvizjen “Kryeziu”, që përbënte “ një kërcënim për interesat jugosllave në Kosovë dhe në Shqipëri”.

E.Hoxha vraponte për të qenë i pari në këtë holokaust vrasës. Në radiogramin dërguar Liri Gegës datë 8.08,1944 Hoxha udhëzon: “Pranë Kryeziut është Zai Fundo. Para një muaji ka biseduar Fadil Hoxha me shokët e Kosmetit. Ka dijeni edhe Dushani e Rade.[6] I thashë Fadilit që ta vrasë pa marrë parasysh asnjë rrethanë.” [7]

 Një bashkëpunim në krim ndërmjet krerëve të Luftës Nacionalçlirimtare të Shqipërisë dhe të Kosovës, të dirigjuar nga D.Mugosha e Pavle Joviçeviç, kundër luftës për çlirim, interesave të Shqipërisë dhe të kombit shqiptar. Pavle Joviçeviç, sekretar i komitetit të PKJ për Kosovën dhe anëtar i shtabit operativ të UNÇ, njofton komandën e forcave partizane të Kosmetit që ishin në aksionin për të asgjësuar Kryezinjtë në Bytyç, “se ishin nisur për atje edhe dy batalione të Brigadës IV NÇ të Kosmetit”. Ndërkohë Pavle udhëzon Fadil Hoxhën që të verifikojë tepër fshehtas informacionin se ku ndodhej saktësisht Gani Begu, sa forca kishte, ku ndodheshin batalionet, a ruhej rruga etj. “Kjo është rigorozisht konspirative. Lajmërohu në 5.30 dhe 10”- Pavle.[8] 

Nga ana tjetër, Fadil Hoxha e njofton se “Divizioni i Ushtisë NÇ të Shqipërisë ka kaluar rajonin e Dibrës dhe  po vjen drejt nesh. Delegati i Shtabit Kryesor të Shqipërisë vjen për tratativa me Gani Begun” [9]

 Gani Kryeziu sapo kishte përfunduar fazën e parë të betejës për çlirimin e qytetit të Gjakovës nga gjermanët.  Me pjesën më të madhe të luftëtarëve u tërhoq në Bytyç, kryeqendër e tyre, për t’u rikuperuar për një sulm të dytë përfundimtar në Gjakovë, ndërsa Hasanin me forcat e tjera e la në qafën e Prushit, për të ruajtur pozicionet dhe kontrollin mbi qytet. Simkoksi, ndonëse i plagosur, u kthye në bazën e tij në malin Dobrej për të njoftuar kuartierin e Përgjithshëm në Bari. Bashkë me të edhe Saidi që sapo ishte kthyer nga misioni Angles, dhe Zai Fundo, që shërbente edhe si përkthyes pranë misionit anglez. Ndaj Saidi, Simkoks dhe Fundo nuk u çuditën dhe nuk i penguan, kur panë forcat partizane të Kosmetit te komanduara nga Fadil e Mehmet Hoxha të vinin drejt bazës së tyre strategjike, madje  i mirëpritën, duke menduar se kishin ardhur për të bashkëpunuar në luftën kundër gjermanëve, siç kishte ndodhur më parë. Ndërkohë, pas tyre, forca të mëdha të Brigadës V të komanduar nga Shefqet Peçi e rrethuan më 20 shtator 1944 bazën dhe Heqimi [10]  kërkoi që Simkoks që  të nisej menjëherë i shoqëruar nga rojet  për në Shtabin e Përgjithshëm NÇ. Oficeri britanik kundërshtoi, duke i thënë se ai i merrte urdhërat nga Maklini apo nga Shtabi Aleat në Bari, po u mor forcërisht dhe u trajtua rrugës për në Berat si një rob lufte. Llazar Fundon e arrestuan, e rrahën për vdekje dhe i kërkuan t’u përgjigjej pyetjeve që kishte dërguar më 21 .09.1944 E.Hoxha me radiogram : “ Zai Fundon ta torturoni deri në vdekje dhe pastaj ta pushkatoni. T’i kërkohet të japë sqarime për këto pyetje: Pse ka ardhur në Kosovë, kush e ka dërguar, dhe me ç’direktiva; cilat janë qëllimet e Ganiut dhe të anglezëve Të japë sqarime për aktivitetin e mëparshëm  dhe për tradhëtinë e tij…Zain e vrisni andej…”[11]

Kështu vepruan. E ekzekutuan më 23 shtator 1944.

“Vrasja brutale e Fundos, – konstaton Hibbert, -ishte dëshmi e natyrës së papranueshme të pushtetit komunist” [12] 

 E. Hoxha i dërgoi më 21 .09. 1944 Korparmatës së Parë, në mënyrë shumë konspirative Liri Gegës, e plotfuqishme e KQ të PKSH ne Veri,  përgjigjen e mëposhtme: “Mos kërkoni më nga Ganiu të dorëzohet, por me çdo kusht dhe me ashpërsi të sulmohet dhe të vritet. Duhet të veproni sa më parë, se mund t’i vijnë në ndihmë kosovarët” [13]

E. Hoxha i konsideron kosovarët si armiq.  

 I rrethuar prej forcave parizane të Brigadës V dhe ato të Kosmetit në Vlad, Ganiu qëndroi gjakftohtë, ndonëse i prekur thellë për pabesinë e tyre. “ Ganiun e vumë përpara faktit të kryem, – shkruan Fadil Hoxha, i cili shoi pranë shtabit të kryezinjve “për të biseduar”, kur forcat e Brigadës V e kishin rrethuar, – tue i kallëzue se englezët duhet të shkonin në Shtabin e Përgjithshëm të marrin lejën, Fundo do të shkojë me u skjarue në shtabin e tij dhe se ne kemi ardhë me bisedue me ju për me u skarue: O me ne- Frontin, ose kundër tij!” Gani Kryeziu nuk pranoi dhe s’i përfilli kërcënimet. Si një strateg i luftës, ai i njihtë mirë kahet e lëvizjeve, strategjitë  dhe përfundimet e tyre. Vetëm një gjë nuk e kishtë menduar se lëvizja e tij do të goditej për vdekje nga bashkëkombasit e vet, nga ata që e quanin veten nacionalçlirimtarë e me të cilët kishte bashkëpunuar sinqerisht. “Që në fillim Kryezinjtë kanë folë mirë për luftën tonë dhe këtë s’e kanë pushue deri më sot…Për Shqipërinë e veriut dhe për Kosovën Kryezinjtë ishin grupi kryesor i pakomprometuar…” [14] –  shkruante vetë Fadil Hoxha më 26.09.1944.

 Në foto: Zanfir dhe Said Kryeziu në Selanik

             [1] Po aty 

 [2] Autonomia Kosovo, Beograd 1985

 [3] AQSH F.14 d.102 v.1944

 [4] Hibbert, Fitorja e hidhur, Tiranë 1994

[5] Po aty.

[6] Dushan Mugosha dhe Pavle Joviçeviç, sekretar politik i KK të PKJ  për Kosovë e Metohi

 [7] AQSH, F41 D. 158 

[8] AIH Dokumrnte nga Lufta NÇJ. Beograd 1969. F.690

[9] Po aty, f.691

[10] Manush Myftiu, i dërguar i qendrorit të PKSH pranë Korparmatës I

[11] AQSH F.14 d.158 Radiogram i E.Hoxhës 21.9 1944

[12] Hibbert, Fitorja e Hidhur. Tiranë 1994

[13] AQSH,F41, D.158 Radiogram i Hoxhës drejtuar Korp.I

[14] AQSH F.14  .viti 1944 d.102

 

Lini një Përgjigje

Kosovë, 8 të vdekur dhe 249 raste pozitive nga koronavirusi

Ballkani Perëndimor mes integrimit evropian dhe shtrirjes së ndikimit të fuqive në ngritje e sipër