in

Heshtje që lëngon!

Mevi Rafuna

Për keqardhje që gjithë këto vite na shkuan huq dhe unë nuk mund t’i fal ata që na i shkelën ëndrrat që në Kosovë ta realizojmë vetëveten dhe jetën tonë këtu. Njejtë si mijëra të tjerë që kanë ëndërruar të bëjnë Diçka në vendin e vet por e ardhmja këtu nuk ka vend për ta,jam edhe unë. Kam besuar që këtu mund të realizohesha, që një ditë të gjithë do të ngihen prej pushteti,por etja e tyre për pushtet i përbinë edhe  oqeanet.Për mua nuk janë “heronjë” ata që vodhën, shkelën ligje, bënë pakt me djallin për pushtetin e përjetshëm e ndrydhën dhe shtrydhën Kosovën si të ishte një prostitutë rruge dhe më pas e qitën në pazare.Nuk janë as “shpëtimtar” ata që erdhën në pushtet duke pirë gjakun e viktimave të ideologjisë së tyre. 

Më mjaftuan pak muaj për ta shijuar regjimin që nëse do ishte në një kohë dhe botë tjetër do ishte edhe më i tmerrshëm dhe s’do e kisha “lluksin”të shkruaj sado pak rreshta. Për mua nuk janë “demokratë” ata që përmes fondeve e mbështetësve të dyshimtë gjenden në krye partish politike apo institucionesh dhe veprojnë heshturazi dhe me përpikmëri në planet antishqiptare.Nuk janë “prijës fetar” ata që legjitimojnë vrasjen e fëmijëve që janë “ndryshe” që në emrin e zotit të kërcënojnë, të linçojnë dhe të vrasin barbarisht. Nuk i pranoj asnjë nga këto grupe dhe nuk bëj pakt me ta edhe nëse është në pyetje jeta ime.Dinjiteti dhe krenaria ishte ajo që na ka mbajtur nëpër shekuj e që mrekullisht mbijetuam.Sot çuditem si na u dashtë për dy dedaka të na e shkatërrojnë shpirtin luftarak dhe dinjitetin që kishim.Sot të mbrosh parimet bazë që të karakterizojnë së pari si njeri,së  dyti si grua dhe së treti si shqiptare je e mohuar, e sulmuar dhe e izoluar nga sistemi monstër të cilin e krijuan. Sot shqiptarët, ata që duan dhe jetojnë dinjitetshëm janë të përbuzur në të gjitha mënyrat dhe në të gjitha format.

Dhe askush nuk mund të më thotë që nuk kam të drejtë sepse e kam provuar në lëkuren time, e di si është ndjesia kur t’i mbyllin të gjithë dyert shërbëtorët e këtij sistemi për të cilin punojnë me zell.Duke parë një rrënim vlerash kur çdo gjë shumë lehtë bie poshtë e shkelet pa mëshirë, pyes se kush si dhe deri kur do lejojmë që të jetojmë qenqe në vendin ku nga gjaku i lirisë mbinë trëndafila të bardhë e të kuq,që me aromën e tyre të rriten fëmijet e së ardhmës.Lluksi material në një shoqëri boshe është si një përbindësh që rritet gradualisht deri sa të përthekon e pastaj të gëlltit brenda.Ne s’kemi arsim të mirëfilltë, s’kemi shëndetësi, s’kemi ekonomi shtyllat bazike që mbajnë një shoqëri mos të rrënohet,tek ne tashma janë të rrënuara.Nuk jam pesimiste e as egosite. Sepse ka shumë nga ta që pajtohen dhe s’duan t’ia dinë me atë që ndodhë përtej pragut. Por si mund të rrisësh shëndosh një fëmij në një shtet që lëngon nga e keqja.

Personalisht nuk dua që fëmiu im të kalojë nëpër ato që unë dhe gjenerata ime kaluam që u rritëm në tranzicion!Sheh fëmijet e të gjithë politikanëve pa përjashtim thua se vinë nga një botë tjetër me kushtet dhe mundësitë ndërsa të rinjët e Kosovës presin si karvan para ambasadave të huaja për një vizë shpëtimi.A ka ma tragjedi se sa sot në shek 21 në këtë fillim moti, t’i shohësh të rinjët që vetëm duan të largohen qoftë edhe në fundin e botës për të shpëtuar nga ky sistem monstër që na e krijuan një tufë zvarranikësh?

A ka ma tragjedi që një i ri të privohet nga mundësia për ta gjetur një punë dhe të privohet edhe nga krijimi i familjes për shkak të kushteve financiare?A ka ma tragjedi kur një i sëmurë maltretohet nëpër spitale, kur prindërit tanë apo gjyshërit kanë pensione që nuk i përmbushin nevojat bazike?Kosova po shprazet, do mbetet si një kafaz i vogël i rrethuar me xhami dhe nuk sheh asni intelektual asni profesor, asni zë që të flas për këtë katrahurë njerëzore.

Dhe unë që i shkruva këto rreshta jam e pafuqishme, e pafuqishme ndaj një sistemi monstër dhe një mentaliteti shpellar!Dikush mund të më shaj, dikush të më përqesh e dikush të më përgojoj. Por kur djali im të rritet nuk dua të më akuzoj pse heshta sikur shumica.Sepse për të mirën e fëmiut tim unë nuk mund të heshti!

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Loading…

0

Shumë njerëz me emër do të hyjnë në listën e zezë të SHBA-së

Pse xhindosen turkofilet kur ua përmend Skënderbeun?