Kryetari i Gjilanit, njëherësh ish-nënkryetar i LDK-së, Lutfi Haziri, në një postim në Facebook, ka njoftuar se ka dhënë dorëheqje edhe nga Kryesia e Degës në Gjilan. Po ashtu, Haziri e uroi VV-në dhe Vjosa Osmanin për suksesin në këto zgjedhje.
Postimi i plotë i Hazirit:
Dorëheqja e kryetarit të LDK-së dhe Kryesisë, hap rrugë që të ftohet Kuvendi i LDK-së dhe zgjidhet kryetari e Kryesia e re në nivel vendi.
Si asnjëherë më parë në historinë e LDK-së nuk ka ndodhur që Kryetari, Nënkryetari, Sekretari dhe Kryesia, të japin dorëheqje për shkak të rezultatit zgjedhor. Kjo është arritur sot pas aktit të tërheqjes së Isa Mustafës nga pozita e kryetarit dhe nga tash është hapur rruga për mobilizimin politik dhe zgjedhje të jashtëzakonshme të LDK-së. Po ashtu, edhe ne në Gjilan nga sot do të veprojmë njëjtë.
Debati i brendshëm do të përcillet me largimin e dobësive tona që shkaktuan pakënaqësi te qytetarët dhe votuesit.
Ne duhet të merremi mërgatën tonë, familjen tonë politike, pakënaqësitë tona të brendshme, pa u ndikuar nga ata që dëshirojnë Rugovizmin ta dërgojnë në histori. LDK duhet të vazhdojë t’i bashkojë të gjitha pjesët e saj, brenda e jashtë, për rikthimin e madh.
Të kontribuoj në stabilitetin e vendit dhe mirëqenien e Republikës. E uroj VV-në dhe Vjosa Osmanit për suksesin në këto zgjedhje!