Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu së bashku me anëtarët e tjerë të delegacionit, është nisur sot drejt Hagës ku do të takojë disa prej ish-krerëve dhe luftëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, të cilët po mbahen në paraburgim.
Në Aeroportin e Prishtinës “Adem Jashari”, pak para nisjes, Haxhiu ka treguar më detajisht se me kë do të takohet e kë jo. Me ish-presidentin Hashim Thaçi e ish-kreun e PDK-së, Kadri Veseli, ajo nuk do të zhvillojë takim.
“Do ta takojmë Jakup Krasniqin, Rexhep Selimin, Nasim Haradinajn, Hysni Gucatin dhe Pjetër Shalën. Hashim Thaçi dhe Kadri Veseli nuk na kanë pranuar, kurse gjykata nuk na e ka mundësuar takimin me Salih Mustafën”, ka thënë Haxhiu.
Ministrja Haxhiu, në Hagë, do të shoqërohet nga nënkryetarja e Kuvendit të Kosovës, Saranda Buogujevci e të tjerë.


