Faruk Tasholli
Si lahutë gjëmojnë shqiptarët
Mbi baladat e murimit,
Vijnë bastardët ngacmojnë varrët
Mes harresës e kujtimit,
Varrë pas varre e varr pas varri
Si të ruhet kjo Shejtni,
Mbulojmë shpirtërat që dogji zjarri
Për kthjelltësi mbi Dardani?!
Nana Pashke shpirt i djegur
Skalit gurin e kujtimit,
Grimca-grimca qiellit hedhur
Tej baladave të murimit.
Kush e prekë atë gur kujtimi
Pikëllim nane gur i zisë,
Si rrufe e vraftë mallkimi
Ku janë gurët e lirisë!!!
Guri plumb i Nanës Pashke
Seç m’u var në qafë si gjëmë,
Si kërsimat e një vravashke
Më shtrëngon më thyen dhëmbë.