Sherif Ramabaja
Grenell me qëndrimet e tij ndaj shtetit gjerman, nuk adhurohej dhe nuk ishte i mirëpritur si ambasador në atë vend. Shpesh citohej nga diplomatët dhe mediat gjermane, për qëndrimet e tij që binin ndesh me interesat shtetërore gjermane dhe Evropiane.
Pasi SHBA e tërhoqën si ambasador nga Gjermania, ish presidenti Trump e emëroi si ndërmjetësues në bisedimet Kosovë – Serbi, me çka u shqua për kërkesën e tij absurde që liqeni i Ujmanit të emërohej me emrin e Trumpit.
Trump i humbi zgjedhjet dhe sot po ballafaqohet me akuza për përmbysjen e rendit kushtetues, që ndoshta ishte edhe fat për ne që Kosova mos të rrëshqiste nën thundrën serbo – ruse.
Megjithatë edhe sot në „skenë” ka mbetur Grenell, i cili me mallëngjim e kujton kohën dhe qëllimet e tij, për një program investues ekonomik që palët do ti afronte mes vete, për një marrëveshje përfundimtare.
Të njëjtin tentim e kishte bërë edhe EU me Rusinë duke i ofruar prioritet dhe investime në planin ekonomik, sidomos në fushën e gazit, por po e shohim që një hap i tillë ishte tërësisht i dështuar. Putini përparimin ekonomik e shfrytëzoi për planet e tij hegjemoniste, duke i sulmuar fqinjët.
Grenell para dy – tre muajve e vizitoi Listën Serbe në Veriun e Kosovës duke u dhënë mbështetje, kurse fajin për dhunën ndaj KFOR – it ia hidhte Kurtit. Pas Veriut të Kosovës e vizitoi Ramën, me të cilin shprehnin pakënaqësi me Gjykatën e Hagës duke e përkujtuar Thaçin, i cili po u mungon për arritjen e marrëveshjes me Vuçiqin.
Grenell disa herë që e ka vizituar Serbinë ka pranuar edhe dhurata nga Vuçiqi, në angazhimin e tij për Botën Serbe.
Tash me rifillimin e bisedimeve Kosovë – Serbi, Grenell u lajmërua sërish duke e kritikuar EU për ftesën që ia kanë bërë Kurtit, në vend që ta ndëshkojnë.
Zyrtarisht Grenell, nuk është i emëruar si zëdhënës i Vuçiqit apo Daçiqit, por me qëndrimin e tij po dëshmon se është edhe ambasador i Serbisë për marrëdhëniet me jashtë.
Ndoshta do të ishte mirë që SHBA të deklaroheshin për qëndrimin e tij, por nëse ai vazhdon në këtë mënyrë, nuk duhet askush të habitet nëse edhe Putini e fton në kabinetin e tij, apo ia afron postin e ministrit të luftës.
Tash për tash nuk jemi në rrezik nga ai, derisa ish presidenti Trump nuk i fiton zgjedhjet më 2024, sepse përndryshe ekziston rreziku që Kosova do t´i kthehej Serbisë, kurse Ukraina Rusisë.
Derisa nuk ndodh kjo, Grenell mund t´i shfaq mendimet e veta. Ti paraqet pikëpamjet e tij mbi Botën Serbe, Vuçiqin, Dodik, Listën Serbe, Ramën, Thaçin etj.
Ndoshta kjo i ndihmon që edhe financiarisht t´i mbush xhepat, po ndikimi i tij do të ishte baras me zero, përpos që do t´i ngjallte shpresat e rreme në autokratët e Ballkanit. Në fund nëse asgjë nuk arrijnë, Asociacionin do ta shisnin si fitore të Botës Serbe. Ky është edhe qëllimi i tyre (Grenell, Vuçiqit) i përbashkët.