Pas Jakup Krasniqit, në Hagë do të shkojë edhe Rexhep Selimi. Përmes një shkrimi në rrjetin social, deputeti i Levizjës Vetëvendosje, Rexhep Selimi e ka konfirmuar se ndaj tij ka një aktakuzë.
“Sonte në orët e mbrëmjes jam njoftuar nga Dhomat e Specializuara se ka një aktakuzë të konfirmuar për mua. Prandaj, po e ndjej për obligim t’ju njoftoj se nesër do të udhëtoj për Hagë (Holandë)”, shkruan deputeti i LVV-së.
Ndërkaq, sot po ashtu pas konfirmimit të aktakuzës nga ana e Dhomave të Specializuara në Hagë, Krasniqi është arrestuar dhe pritet të bëhet transferimi i tij për në Hagë.
Arrestimi i ish-kryetarit të Kuvendit të Kosovës, Jakup Krasniqi, dhe zëdhënës i ish-Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, është bërë pas rreth dhjetë orësh të qëndrimit të pjesëtarëve të Prokurorisë së Specializuar të Hagës në shtëpinë e tij në Prishtinë.
Priten edhe arrestime të tjera.