in

Gjenocidi modern kundër bebeve me Sindromën Down

 

Në Danimarkë gjatë vitit 2019 kanë lindur vetëm 18 fëmijë me Sindromën Daun (Down). Shkaku është se Danimarka ua siguron qytetarëve të saj testimin pa pagesë të paralindjes për të hetuar nëse foshnjet e tyre kanë Sindromën Daun apo anomali të tjera gjenetike. Pothuajse 95 për qind e atyre që diagnostifikohen me Sindromën Daun zgjedhin të abortojnë fëmijët e tyre.

Parandalimi i karakteristikave të padëshiruara tek fëmijët e një popullate, quhet eugjenizëm.

Eugjenizmi mori një nam veçanërisht ogurzi për shkak se nazistët e përdorën si justifikim për të shfarosur hebrenjtë, njerëzit me aftësi të kufizuara dhe minoritetet e tjera. Mirëpo, me arritjet e reja në shkencën mjekësore, eugjenizmi ka marrë një hov të ri, dilemat morale që i paraqet janë shumë të thella dhe emocionale.

Një artikull në revistën The Atlantic” nga Sarah Zhang të titulluar “Fëmijët e fundit me Sindromën Daun”, ka ndezur mjaft polemika.  Evita Duffy, studente e historisë dhe e bija e ish-kongresmenit amerikan Sean Duffy dhe Rachel Duffy figurë e njohur në mediat amerikane, shkroi një kritikë ndaj artikullit të Atlantikut, për të cilin thotë se ka simpati për eugjenizmin. Evita Duffy është e lidhur edhe emocionalisht me këtë temë sepse ka një motër me Sindromën Daun.

Evita Duffy

Nuk është ‘humane’ që Atlantiku të simpatizojë me vrasjen e foshnjave që kanë Sindromën Daun, siç është motra ime e vogël.

Kohët e fundit, The Atlantic botoi një artikull të titulluar “Fëmijët e fundit me Sindromën Daun”, nga Sarah Zhang, në të cilin ajo hulumton efektet e testimit të paralindjes në Danimarkë. Danimarka është në mesin e shumë vendeve nordike që ofrojnë testime të paralindjes me para të taksapaguesve për Sindromën Daun dhe anomali të tjera gjenetike. Në Danimarkë, më shumë se 95 për qind e atyre që marrin një diagnozë SD(Sindroma Daun) zgjedhin të abortojnë fëmijët e tyre. Në vitin 2019, vetëm 18 fëmijë me Sindromën Daun kanë lindur në gjithë vendin.

Ndonëse Zhang pretendon t’ua prezantojë lexuesve atë të cilën ajo e quan “e vërteta emocionale” duke paraqitur të dyja anët e debatit të abortit, pro-të dhe kundra-të dhe “duke i humanizuar” të gjitha zgjedhjet, qëllimet e saj rrënjësore janë të qarta: të justifikoj eugjenizmin e ditëve të sotme para lexuesve të saj, dhe të shprishë averzionin natyral që e ka shoqëria kur bëhet fjalë për mbarështimin selektiv.

Zhang jep edhe intervistat e bëra me prindër që kanë zgjedhur që foshnja e tyre të jetojë, si dhe me ata që kanë abortuar foshnjën e tyre para lindjes pas diagnostifikimit me Sindromën Daun. Ajo gjithashtu diskuton historinë e eugjenizmit. Zhang thekson me shumë të drejtë se ka shumë njerëz që nuk duan ta pranojnë se mbështesin ose se kanë kryer një abort për shkak të aftësive të kufizuara të bebeve të tyre, veçanërisht pasi evropianët janë të ndjeshëm ndaj historisë së shfarosjes dhe sterilizimeve të detyruara për “mendjet e paafta” në Gjermaninë naziste.

Duhet ta lavdëroj Zhang-un për intervistat që i ka bërë me bioetikistët David Wasserman dhe Rosemarie Garland-Thomson, të cilët shpjegojnë dilemën morale që përparimet teknologjike dhe shkencore paraqesin për profesionistët mjekësorë, pasi numri i anomalive gjenetike të identifikuara po rritet dita-ditës.

Sidoqoftë, artikulli i saj është gjithashtu i mbushur me dëshmi simpatike nga ata që i rrinë pas vendimit të tyre për abort ose e përkrahin këtë vendim si një mjet për t’i eliminuar vështirësitë dhe sakrificat që duhen bërë për t’u kujdesur për një fëmijë me nevoja të veçanta. Për shembull, një grua ankohet se fëmija i saj që ka Sindromën Daun mbushet me zemërim shkaku i kufizimeve që ka në aftësitë komunikuese, andaj shpërthen në kafshime e në grindje me vëllezërit e motrat e tij. Nëna, e cila edhe pse thotë se “e do djalin e saj”, prapë se prapë pranon që, “Ne do të kishim kërkuar abortim nëse do ta dinim më herët.”

Është mjaft interesante se si Zhang e vë në pah hipokrizinë e brendshme që ndjejnë shumë prej nënave që kanë zgjedhur abortimin, veçanërisht të evropianëve veriorë që u pëlqen të përfytyrojnë vetveten si progresivë dhe “tolerantë”. Lou, një nga nënat që ajo intervistoi, thotë, “Unë mendoj se kjo është për shkak se ne si shoqëri na pëlqen të mendojmë se jemi gjithëpërfshirës. Ne jemi një shoqëri e pasur dhe mendojmë se është e rëndësishme që në mesin tonë duhet të kemi lloje të ndryshme të njerëzve”.

Zhang shpjegon: “Botëkuptimi i tyre tronditet pak, sepse për herë të parë iu duhet ta pranojnë që nuk janë bash ata që përfytyruan veten të ishin.”  Në thelb, shumë prej prindërve që zgjodhën abortin ndjejnë një faj të thellë për këtë vendim, sepse ai bie ndesh me sistemin e vlerave “gjithëpërfshirëse” të shoqërive progresive, siç është Danimarka, të cilin mendojnë se e kanë. Zhangu sugjeron gjithashtu se faji i ndjerë nga gratë që kanë zgjedhur abortimin mund t’i mveshet shoqërisë.

Ajo citon antropologen Rayna Rapp, e cili kritikon se përse shoqëria i sheh si egoiste gratë që zgjedhin abortimin e fëmijëve me aftësi të kufizuara për shkak të karrierës. Ajo vazhdon këtë argumentim duke thënë se, “teknologjia mjekësore mund t’u ofrojë grave një zgjedhje, por ajo nuk e transformon menjëherë shoqërinë përreth tyre. Nuk shprish pritjet e shoqërisë që gratë të jenë kujdestaret kryesore të fëmijëve ose ta zhbëjnë idealin se një nëne e mirë është ajo që nuk vendos kufij në përkushtimin që ka ndaj fëmijëve të saj. ”

Ne po jetojmë në një botë gjithnjë e më “jo-gjykuese”, prandaj gjithnjë e më shumë gra, duke përfshirë personat e famshëm, po përpiqen të thyejnë tabutë për abortin duke thënë publikisht se janë krenare që kanë kryer aborte. Në Danimark, kultura është shumë më e hapur dhe më pranuese kur vjen fjala te abortimi sesa në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Kultura e tyre është shumë më laike, dhe ka shumë më pak stigma morale rreth vendimit për abort.

Prandaj, është e vështirë ta kuptojmë se si mund ta fajësojmë “shoqërinë” daneze. Shpjegimi i antropologes Rapp nuk ofron një shkas apo përgjigje se pse një nga të intervistuarat e Zhangut që zgjodhi të abortojë fëmijën e saj me Sindromën Daun para dy vjetësh dhe që deklaron se nuk ndjenë “keqardhje”, qau me lot gjatë intervistës. Ndoshta kjo dilemë nuk është aq banale sa të thjeshtëzohet në premisën se është vetëm “konstrukt social”.

Mesazhi themelor i artikullit të Zhang-ut mund të gjendet afër fundit, kur ajo citon kreun e Shoqatës Kombëtare të Sindromës Daun të Danimarkës, Grete Fält-Hansen, e cili ka një djalë të rritur me Sindromën Daun. As ajo nuk është aq e bindur sa të mbrojë me zell të drejtën për jetë të djalit të saj, e të njerëzve të tjerë të pambrojtur dhe të pafuqishëm që ndodh të lindin me aftësi të kufizuara.

“Ndjehem e trishtuar kur mendoj për gratë shtatzëna dhe baballarët të cilët ballafaqohen me këtë zgjedhje. është zgjedhje pothuajse e pamundur”, tha Fält-Hansen. “Andaj, unë nuk i gjykoj ata.” Pa gjykime është edhe tema qendrore e kësaj historie. Por ky qëndrim “të mos gjykosh”, nuk është duke i ndihmuar një popullate që po shfaroset me një ritëm që do t’i bënte ziliqarë edhe nazistët. Zhang përfundon duke thënë, “investimi që kishim në bisedat tona ishte shumë real dhe shumë njerëzor”, një mashtrim retorik për të krijuar simpati dhe mirëkuptim për eugjenizmin, një gjenocid i ditëve moderne.

Po, Zhangu përpiqet të “humanizojë” pikëpamjet pro-jetës dhe pro-abortit. Kjo mund të duket e drejtë në pamje të parë, por nuk ka asgjë “njerëzore” në anën pro-eugjenike të argumentit. Që të mos harrojmë, kauzat më të mëdha për të drejtat e njeriut gjatë historisë, të tilla si skllavëria, u luftuan dhe u fituan falë njerëzve që ishin të gatshëm të vendosnin një vijë në rërë dhe ta emërtonin të ligën, të ligë.

Ky artikull është një shembull i përsosur selektimin e së majtës se ku ta drejtoj zemërimin e saj. Krahasoni zemërimin e gjeneruar nga buzëqeshja e një 16-vjeçari të shkollës katolike të Kovingtonit me racionalizimin e Zhangut për një gjenocid në kohë reale të popullsisë e cila pa dyshim është më e dobëta dhe e pafuqishme. Jo vetëm që Zhangu nuk është kritikuar për ambivalencën e saj morale ndaj eugjenizmit, por ajo është duartrokitur nga elitat e panumërta me check-markun e kaltërt në media sociale, për “humanizmin” e saj në trajtimin e kësaj çështjeje morale.

Nëse arsyetimi juaj është të “minimizoni vuajtjet [e mundshme]”, ta ulni ngarkesën nga një sistem universal të kujdesit shëndetësor, ose në taksat publike, ose dëshironi të keni një karrierë, ose jeni të brengosur për problemet e mundshme shëndetësore të fëmijës suaj, vrasja e një fëmije me aftësi të kufizuar është edhe më tutje e gabuar. Nuk ka kurrfarë “humanizmi” në vrasjen e një fëmije. Nuk ka kurrfarë “humanizmi” në shenjëstrimin e të dobëtit. Nuk ka “humanizëm” në eugjenizëm. Sidoqoftë, pajtohem me Zhang-un dhe gratë që ajo intervistoi në një pikë: Sindroma Daun mund të jetë e vështirë, si për familjen, ashtu edhe për personin që jeton me të.

Motra ime e vogël Valentina është pak më shumë se një vjeç. Ajo hyri në këtë botë me vështirësi. Ajo ishte një shtatanike, e lindur një muaj më herët. Ajo u desh të kalonte shtatë javë pas lindjes në inkubator. Ajo lindi me një problem në zemër, që është e zakonshme në mesin e njerëzve me Sindromën Daun, dhe hyri në operacion për të mbyllur dy vrima në zemrën e saj dhe riparuar valvulat e zemrës. Ajo pati telashe për të ngrënë e shtuar peshë për shumë muaj, dhe të gjitha këto kërkonin durim e sakrifica nga prindërit e mi dhe familja jonë.

Sidoqoftë, vetëm sepse jeta e saj ka pasur disa vështirësi nuk do të thotë se nuk ka vlerë. Ajo është gëzimi i familjes sonë. Pyesni ndonjë nga shtatë vëllezërit e motrat e mi më të vegjël dhe ata të gjithë do të thonë se më së shumti në familje e duan Valentinën. Që nga operacioni i saj, ajo është duke lulëzuar. Ajo buzëqesh dhe luan, dhe kohët e fundit zbuluam se i pëlqen muzika dhe ka një ndjenjë të pabesueshme të ritmit.

Familja jonë është në gjendje të sigurojë për nevojat e vogla të Valentinës. Disa familje është e kuptueshme që nuk i kanë këto mundësi. Një mangësi e theksuar në artikullin e gjatë të Zhangut ishte adoptimi. Birësimi është gjithmonë një opsion dhe ka shumë familje që mezi presin që të dashurojnë një fëmijë, duke përfshirë edhe ata që shoqëria jonë për fat të keq i konsideron si “të papërsosur”. Birësimi është opsioni më human si për fëmijën ashtu edhe për nënën që ka frikë se nuk do të mund të kujdeset ashtu si duhet për foshnjen e saj. Ky akt, e përqafon betejën, vlerën dhe humanizmin e të të dyve.  The Federalist.

Përgatiti e përktheu: Valmir Mehmetaj

Lini një Përgjigje

26 viktima dhe 213 raste pozitive me koronavirus në Maqedoni

Zemaj konfirmon se vazhdojnë masat e Qeverisë anti-Covid