in

Giacomo Vuxani – “Fashisti”- Arbëresh nga Zara që e deshi aq shumë Shqiperinë

NGA NDREK GJINI

Giacomo Vuxani (Arbanasi, 20 Korrik 1886 – Trieste, 7 Prill 1964)  ishte një politikan dhe patriot shqiptaro – italian i lindur në fshatin Arbanas të Borgo Erizzo (tani Arbanasi), në periferi e qytetit te Zarës ne Kroaci.Historiografia Shqiptare i ka borxh këtij intelektuali të shquar, këtij patrioti dhe veprimtari të palodhur që e deshi aq shumë Shqiperinë dhe shqiptarët.Giacomo Vuxani u la në hije nga historianët komunistë duke u etiketuar si zyrtar i lartë i regjimit fashist. 

Mjaftoi ky etiketim dhe gjithcka u mbyll me kaq, duke fshirë me një të rënë të lapsit tërë luftën dhe punët e vyera të Vuxanit në dobi të çeshtjës shqiptare.Askush nuk mori mundimin te kërkoje nëpër arkiva, të studiojë apo të nxjerrë në dritë veprimtarinë e tij në Shqipëri që nga Shpallja e Pavarsisë e deri në mbarim te Luftës së Dytë Botërore. Ekzistojnë aty me mijëra e mijëra faqe. Mjafton vetëm vullneti i mirë. 

 Askush nuk denjoi të shfletojë apo studiojë rreth letërkëmbimit apo takimeve të tij me kolosë të letrave dhe politikës Shqiptare si Faik Konica, Shtjefën Gjeçovi dhe Fan Noli, apo të shkruajë rreth kontributit të tij kur Vuxani punonte në Tiranë si Sekretar i Përgjithshëm në Ministrinë e Tokave të Lirueme, më minister Eqrem Bej Vlorën. Ministri kjo, që merrej me administrimin, integrimin dhe zhvillimin e pjesëve etnike të Shqipërisë. Ato ishin tokat e liruara nga okupatori serb në Kosovë, Dibër, Strugë, Plavë, Guci, Tuz dhe Ulqin, që iu bashkëngjitën shtetit shqiptar pas kapitullimit të Mbretërisë Serbo-Kroato-Sllovene në 1941.Për të kuptuar madhështinë dhe punët e vyera në dobi të Shqipërisë dhe shqiptarëve të këtij kolosi të diasporës shqiptare mjafton të lexojmë nekrologjinë e shkruar me rastin e vdjekjës së Vuxanit nga Ernest Koliqi dhe të botuar në revistën “Shejzat” “Le Pleiadi) Viti VIII n.5-6 Maj -Qershor 1964; faqja. 155-158 “, me Kryeredaktor Martin Camajn.

Kjo nekrologji është shkruar e botuar në Italisht dhe hapet me fjalët: “Në agimin e 7 Prillit të shkuar, i rrethuar nga familjarët e tij, qetësisht u shua Giacomo Vuxani një nga eksponentët më të njohur të diasporës sonë.”Giacomo Vuxani i kreu studimet e mesme klasike në Zarë, në vitin 1910. Më pas ai  regjistrohet në Fakultetin Juridik të Universitetit të Gracit, në Austri. Në të njëjtën kohë ai nisi të marre pjesë intensivisht në jetën italiane të qytetit të lindjes së tij, Zarës, dhe në veprimtaritë e shoqatave atdhetare e nacionaliste, duke kryer detyra të besuara, nën udheheqjen e ndritur të atdhetarëve Dalmatë, si Ziliotto dhe Ghiglianovich.

 Giacomo Vuxani kurrë  nuk harroi gjuhën e atdheut të të parëve të tij, gjuhën Shqipe, të cilën familja e tij e fliste dhe ruante me shumë dashuri e passion ashtu sic ruante dhe  zakonet e traditat shqiptare.Në vitin 1910, Giacomo Vuxani promovon e organizon “Shoqatën Italo- Shqiptare” të Borgo Erizzos, që kultivon lidhjet me Shqipërinë, dhe beshkëpunon me eksponëntët më të shenjuar të diasporës, si Prof.Zef Skiroi (Giuseppe Scirò) dhe Rosolino Petrotta.Në vitin 1901, në Borgo Erizzo funksiononte një shkollë në gjuhen shqipe, ku dha mësim edhe atdhetari i paharruar franceskan, at Pashko Bardhi, shkrimtar me pseudonimin Vorf Dukagjini, Bib Gjeta dhe Oshkap Idhrabi.  

Giacomo Vuxani bashkëpunoi ngushtë edhe revistën “Albania” “Bruksel – Londër,1897-1909). Vuxani posedonte ne mënyrë të admirueshme jo vetëm të folurën arbëreshe të vëndit të lindjes, por dhe gjuhën e atdheut mëmë, shqipen, që përbënte objektin e studimeve të tij. Lexonte shumë në shqip, dhe ishte mik dhe mbeshtetës i revistës “Shejzat.”Në vitin 1914 Vuxani organizoi një delegacion arbëreshësh, që erdhën në Shqipëri për të vizituar atdheun e baballarëve dhe për të nderuar Princ Vidin, simbol i lirise dhe pavarësisë kombëtare.Shpërthimi i Luftës së Parë Botërore e detyron Vuxanin të ndërpresë studimet dhe e rreshton në radhët e ushtrise Austro-Hungareze. 

Në Shqipëri ai fillimisht vjen në rolin e përkthyesit.Gjatë pushtimit Austro-Hungarez të Shqipërise, e cila ishte një periudhë me progres të veçantë dhe impuls për studimet shqiptare, Vuxani krijon shumë miqësi me eksponëntët më të spikatur të kulturës shqipetare të asaj kohe.Në fund të Luftës së Parë Botërore, në Maj të vitit1919, Vuxani vendoset në shërbim të Prefekturës së Zarës, ku qëndron për 23 vjet. Shpesh qeveria italiane i besonte atij misione të rëndësishme. Ne vitin 1921, Vuxani u dërgua me mission në Durrës dhe Tiranë. Në vitin 1926 ai u dërgua me mission në Bari, ku gjithmonë ruajti lidhjet e miqësisë shqiptaro-italiane. Qeveria italiane e ftoi Vuxanin në Shqipëri në vitin 1940, me mision organizativ.

 Ai punoi aty me shumë impenjim, dhe kontriboi me shumë dashuri për të krijuar miqësi, bashkëpunim dhe respekt reciprok mes shqiptarëve dhe italianeve, të cilëve një fat historik i përbashkët ua impononte të jetonin e punonin bashkë.Ne vitin 1942 Vuxani emërohet pranë Ministrisë së Tokave të Lirueme, me minister Eqrem Vloren. Në atë ministri ai mbante detyrën e Këshilltarit të Përhershëm, sot i vlefshëm me postin e Sekretarit te Shtetit apo Sekretarit të Përgjithshëm.Në ato vite, edhe pse në një kohë të shkurtër, Vuxani bëri një pune kolosale në drejtim të rivendosjes së kufinjëve etnike shqiptare.

 Ai në Parlamentin Shqiptar përfaqësoi Bashkësine Shqiptare të Borgo Erizzo, (Arbanasi). Shqipëria e madhe atëhere konceptohej si një familje e madhe etnike, brënda kufijve etnike të saj, që përfshinin edhe pjesë të diasporës.Në atë Parlament Shqiptar me Giacomo Vuxanin, si deputet ishte edhe atdhetari i pafat avokat Terenzio Tocci, perfaqësues i komunitetit shqiptar të Kalabrisë, apo Rosolino Petrotta dhe Pierino Maurea, perfaqesues të lokaliteteve respektive në Sicili dhe Molise të Italisë.Me 16 Prill të vitit 1943, Giacomo Vuxani rimerr shërbimin pranë Prefekturës së Zarës. Këtu nisi një nga periudhat më të vështira të jetës së tij. Rreziqe të të gjitha llojeve; të gjitha këto për të pakësuar vuajtjet e Zarës së tij. Siç qe rasti kur në kohën e bombardimeve ajrore Anglo – Amerikane të 16 dhe 30 Dhjetorit 1943, ku ai qendroi në krye të detyrës, duke ndihmuar me gjithë fuqitë e tij  popullsinë në nevojë të qytetit të tij të lindjes, Zarës.Giacomo Vuxani nuk u tërhoq edhe kur Zara u pushtua nga trupat Jugosllave me 31 Tetor të vitit 1944. I arrestuar një ditë më pas, me 1 Nëntor të vitit 1944, ai pësoi tortura duke rrezikuar edhe të pushkatohej. 

Pas vendosjes së regjimit komunist në Zarë dhë në krejt Jugosllavinë ai vendoset në Trieste, ku merret me trajtimin dhe ndihmën e refugjatëve shqiptarë  të ardhur kryesisht nga Jugosllavia. Koliqi shkruan në nekrologjinë rreth Giacomo Vuxanit se: “Kush kishte rastin të vizitonte shtëpinë e Vuxanit në Trieste do ta shihte atë pranë familjarëve të tij, duke u drithëruar nga një entusiazëm rinor, ndërsa tregonte dy flamuj të ruajtur me fanatizëm; atë Italian të Komunës së Zarës, të sjellë fshehurazi në Itali nga ai, dhe atë Shqiptar të Shoqatës Arbëreshe të Borgo Erizzos. Donte klasikët grekë dhe latinë, kishte gjithmonë mbi komodinë, afër shtratit ndonjë vepër në original të tyre.

 Së fundmi, në periudhën e sëmundjes mbante një volum të zgjedhur nga Ovidi.”Koliqi thotë se: “Në shqiptarët e Shqipërisë nderojmë Vuxanin, një nga përsonalitet më përfaqësues të diasporës sonë, një të zgjedhurin tonë që ka lënë dëshmi të ndritura të virtyteve bujare të shqiptarisë dhe të besnikërisë ndaj kultit të traditave të tij fisnike atdhetare.”Përveç dokumenteve arkivore të Parlementit Shqiptar të periudhës kur Vuxani ishte deputet si dhe të dokumenteve dhe veprimarive të tij si Sekretar i Përgjithshëm në Ministrinë e Tokave të Lirueme, në Tiranë, një ndihme shumë të madhe për kerkime e studime më të thelluara rreth kësaj figure mund të jepte dhe kontakti me familjarë të Vuxanit.Me 23 Tetor të vitit 2005 djali i Vuxanit, në atë kohë 79 vjec, doktor Giuseppe Vuxani, i shkruan një letër  redaksisë së revistës së Arbëreshëve të Italisë, Arbitalia. Fakt ky që tregon se Vuxani e ka ruajtur me fanatizëm gjuhën dhe kulturën Shqiptare, dhe e ka përcjellë atë edhe tek fëmijët e tij.

Ne ate letër djali i tij shkruan: “Jam doktor Giuseppe Vuxani, i lindur në koloninë me origjinë shqiptare të Borgo Erizzos (aktualisht Arbanasi), në ish-provincën italiane të Zarës (në Dalmaci), tashmë nën sovranitetin e shtetit të Kroacisë, me emrin Zadar. Jam 79 vjeç dhe banoj në Trieste.Kam lënë, bashkë me shumë bashkëfshatarë të mi vendin e lindjes në vitin e largët 1948, në vijim të Traktatit të Paqës, me të cilin qyteti i Zarës i përkiste Jugosllavise. 

Në atë kohë në fshat flitej ende shqipja e vjetër e prindërve, që morën arratinë nga dominimi turk, në 1725, të ardhur nga dy vënde afër Shkodrës. Ata u sistemuan në periferi të Zarës  dhe kur isha femijë më thërrisnin në shqip Zef, dhe ruaj ende në kujtesë fjalët më të zakonshme në shqip që fliteshin atëhere. Babai im qe një eksponent i vendosur i diasporës shqiptare, i impenjuar në ndihmë të Pavarësisë së Shqipërisë. Im atë ishte themeluesi dhe sekretari i Shoqatës Italo-Shqiptare të Borgo Erizzos. Në atë kohë ai qëndronte vazhdimisht në kontakt me eksponentë të kolonive shqiptare në Itali. Veçanërisht domethënës qe Kuvendi i Triestes në vitin 1913.Në vitet 30 gjuhetari i famshëm italian Carlo Tagliavini ekzaminoi me kujdes gjuhën shqipe të folur në Borgo Erizzo dhe shkroi një libër mbi këtë argument.

Për më teper kanë mundur të shpetojnë vetem disa deshmi të vogla, por interesante të origjinës së shqiptarëve, që do te doja t’ua ofroja qëndres suaj kulturore.Duke udhetuar ne internet jam njohur me websitin tuaj, por nuk njoh vecse Homepagen tuaj, ku gjeta dhe adresen e e-mailit.”, përfundon letrën e tij Giuseppe Vuxani.Kjo letër e djalit të tij është domethënëse dhe shume inkurajuese, duke na bërë të besojmë se ka akoma shpresë se diçka nga thesari arkivor i lënë nga ky kolos i diasporës Shqiptare mund të shpëtohet. Gazeta Dielli

Lini një Përgjigje

Në Gjerorgji: Muzeu i Pushtimit Sovjetik rikujton tmerret

Sulmohet sërish revista “Charlie Hebdo”