Kryeministri Hoti në një postim të bërë në Facebook tregoi se sot do të mbahet një seancë e jashtëzakonshme e Kuvendit të Kosovës për t’u marrë vendimi që do të lejonte Forcën e Sigurisë së Kosovës që të marrë pjesë në misione jashtë vendit së bashku me Gardën Kombëtare të Ajovës, shtet I SHBA-së.
Hoti shkroi në Facebook se:”Me kërkesën time, sot prej orës 18:00 do të mbahet një Seancë e Jashtëzakonshme e Kuvendit të Kosovës, me një pikë të vetme të rendit të ditës: Marrja e vendimit për bashkë-dërgimin e kontingjentit të Forcës së Sigurisë së Kosovës në misione jashtë vendit me Gardën Kombëtare të Ajovës.
Në bazë të ftesës së Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Qeveria e Republikës së Kosovës me 31 dhjetor 2020, ka miratuar vendimin për bashkë-dërgimin e kontingjentit të Forcës së Sigurisë së Kosovës në misione jashtë vendit me Gardën Kombëtare të Ajovës. Ky vendim i është dërguar Kuvendit të Republikës së Kosovës me propozimin për dërgimin e kontingjentit të FSK-së në misione për mbështetje të stabilitet rajonal dhe operacioneve paqeruajtëse, nën Komandën Qendrore Amerikane.
Ky është rezultat i përgatitjes dhe profesionalizmit të vajzave dhe djemve tanë në FSK, si dhe i bashkëpunimit të shkëlqyeshëm me vendin mik të përjetshëm, ShBA-në”.