Miladin Popoviqi, kolon sllav, ishte figura më e errët e Luftës së Dytë Botërore. Themelues i Partisë Komuniste Shqiptare, i dërguar- emisar nga Partia Komuniste Jugosllave, ai e nxiti luftën civile në Shqipëri, ai vrau me dorën e vet nacionalistët shqiptarë, duke u demonstruar partizanëve si duhet të luftohet armiku, ai ishte mentori i Enver Hoxhës që bëri krime të mynxyrshme, ai e bëri rrëmujë edhe Kosovën e trazuar. Nipat e Enver Hoxhës e të Miladin Popoviqit edhe sot e kësaj dite e mistifikojnë, gati-gati e bëjnë hero, sepse vulën e heroit të mistifikuar, simbol të vëllazërim-bashkimit ia dha Enver Hoxha. Ndërkaq, citojnë kriminelë partizanë të tipit të Spasoje Gjakoviqit dhe viqërve të tjerë.
Nga Gani MEHMETAJ
Miladin Popoviqi ishte themeluesi i Partisë Komuniste Shqiptare, sajues i intrigave e likuidimeve të brendshme në Shqipëri, nxitës i luftën civile. Duke e nxjerr nga hiqi Enver Hoxhën, rrjedhimisht e nxori nga mëngët edhe Fadil Hoxhën. Në fillim të luftës premtoi se Kosova do të bashkohej me Shqipërinë, ndërsa në takimin me Shtabin e Përgjithshëm të Shqipërisë, kur u përmend bashkimi i Kosovës me Shqipërinë ua shau Shqipërinë etnike me fjalë të pista partizanëve në prani të Enver Hoxhës. Asnjëri nuk ia ktheu, të gjithë trimat i ulën kokat në mes të shalëve.
Haki Taha e ndëshkoi mashtrimit e tradhtinë e Miladin Popoviqit, sepse qe marr vendimi nga Komiteti i Mbrojtjes Kombëtare, ku bënte pjesë ai. Për vrasjen e tij më vonë u ngritë shumë pluhur, u krijua mjegull, u fshehën faktet, u ndëshkuan mizorisht ata që morën pjesë dhe organizuan vrasjen. Po ashtu nuk u tha se Haki Taha ishte patriot e nacionalist me ndjenjën sublime të sakrificës. Propaganda jugosllave e shqiptare e cilësuan reaksionar e bashkëpunëtor të fashizmit, ndërsa nuk ishte.
Në kohën e vrasjes nuk u tha se Miladinin, mikun e Enverit e të Nexhmijes i vrau UDB-ja, sikurse përpiqeshin ta paraqisnin shumë vjet më vonë, pas prishjes së marrëdhënieve vëllazërore serbo-shqiptare. Por u trumbetua nga të gjitha boritë jugosllave e shqiptare se sekretarin e Komitetit Krahinor të Kosovës, Miladinin e vranë reaksionarët e vendit. E kapen grupin që organizoi vrasjen, u vra Haki Taha, ndërsa u përshkallëzua hakmarrja kundër shqiptarëve të Kosovës që kishte nis me t’ u largua ushtria gjermane.
Askush nuk e thotë faktin se ndjekjen e Haki Tahës pas vrasjes së Miladinit e udhëhoqi Xhavit Nimani me policët e OZN-ës prapa. Këtë e thonë të gjithë dëshmitarët e asaj dite të kobshme, këtë ma thanë edhe mua, mirëpo fatkeqësisht asnjë televizion i Kosovës e i Shqipërisë nuk i mori në intervistë dëshmitarët, të cilët në kohën kur bisedova me ta kishin shkelur në të tetëdhjetat. Njëri nga dëshmitarët e kishte parë Haki Tahen në “pleme” në Prishtinë, ndërsa vija e gjakut e tradhtonte vendin ku u fsheh. Dmth Haki Tahen e plagosen më parë, më vonë e vrau vetën. Tjetri e mbante në mend kufomën e tij në rrugën tjetër disa qindra metra larg nga “plemja”. Askujt nga mediet nuk i interesoi e vërteta jashtë “kujtimeve” të Enver Hoxhës.
Në dosjen e shërbimit sekret të Shqipërisë do të ishte me interes të gjendet dosja e versionit të parë të vitit 1945, dhe dosja e retushuar pas vitit 1948, kur u prishën me Titon. Është një dosje e retushuar apo janë dy dosje, as këtë nuk e hulumtoi askush.
Teoria e konspiracionit për kinse vrasjen e Miladin Popoviqit nga UDB-ja, që u shpik shumë vjet pas vrasjes, është sajesë e shërbimit të E. Hoxhës dhe ithtarëve të F. Hoxhës, megjithëse nga fundi i jetës Fadili thonë se e pranoi që Haki Taha ishte patriot. Mirëpo, përderisa Hoxha i Gjakovës kishte frikë ta pranonte derisa ishte Jugosllavia, Hoxha i Tiranës duhej të arsyetonte PPSh-në që ia krijoi dhe i dha kahe kriminale Miladini. Prandaj e vajtoi deri në vdekje komunistin sllav, sepse edhe vet Enveri ishte pjellë bastarde e sllavit kolon nga Peja.
Nuk ka këtu asnjë fshehtësi a konspiracion: Miladinin e vrau Haki Taha, sepse Taha ishte në grupin e përbetarëve kundër tradhtisë shqiptaro-jugosllave. Miladini u vlerësua shkaktari kryesor pse nuk u bashkua Kosova me Shqipërinë.
Teoria tjetër e konspiracionit, që mëton, ta nxjerr sllavin Miladin, nacionalist shqiptar, del nga historianët sharlatan më shumë mëkate nga e kaluara. Sipas ndonjërit prej tyre Miladinin e vrau UDB-ja, kinse Popoviqi nuk pranoi që Kosova t’ bashkohej Malit të Zi!
Këtë marrëzi e hedh në pleh sllavi Milovan Gjilas në kujtimet e veta. Ai e thotë se për shkaqe praktike e jo për të mirën e shqiptarëve, kreu i Malit të Zi e refuzoi ofertën e Serbisë e të Titos që Podgorica ta gllabëronte Kosovën. Sipas kreut malazezë Kosova kishte tri herë më shumë shqiptarë se sa Mali i Zi banorë, prandaj Mali i Zi rrezikohej ta gllabëronte Kosova. Kreu malazezët nuk e fshehu se po e pranuan ofertën serbe, në vend që të merreshin me ndërtimin e republikës së tyre të vogël, do t’i shpenzonin energjitë në disiplinimin e shqiptarëve.
Gjillasi nuk e përmend Miladinin faktor në këtë mes. Miladini ishte i ngarkuar për pacifikimin e përgjakshëm të shqiptarëve, prandaj e vunë në krye të Komitetit Krahinor. Shqipërinë e bëri ashtu si deshi disa vjet më herët.