Italia vazhdon të mbajë komandën e forcës paqeruajtëse të NATO-s në Kosovë, që ndryshe njihet si KFOR. Komandanti i deritashëm i kësaj force, gjeneralmajori Michele Risi, ia dorëzoi detyrën homologut të tij ushtarak, Franco Federici.
Gjeneralmajor Risi që ka shërbyer në Kosovë që nga 19 nëntori i 2019-s, në ceremoninë e ndërrimit të komandës, tha se ndihet krenar me përkushtimin e KFOR-it për të ruajtur stabilitetin në Kosovë.
“Misioni ynë afatgjatë dhe i qëndrueshëm ishte të ishim rezistent ndaj çdo goditjeje për stabilitetin dhe sigurinë e Kosovës”, tha komandanti në largim.
Në ceremoni mori pjesë edhe admirali Robert P. Burke, komandant i Komandës së Forcës së Bashkuar të NATO-s në Napoli, i cili falënderoi gjeneralmajorin Risi dhe ushtarët e tij për rezultatet e rëndësishme të arritura gjatë mandatit të tij.
Gjeneralmajori Franco Federici ka zgjedhur si moto të misionit të tij “Përparojmë si një”.
“Vizioni i përbashkët dhe uniteti i përpjekjeve është esencial për suksesin e misionit tonë, jo vetëm brenda KFOR-it, por edhe me Organizatat tjera Ndërkombëtare dhe me Institucionet në Kosovë”, tha gjeneralmajori Federici, në ceremoninë e ndërrimit të komandës.