in

Forcat e brigadës së OZNA-s për Kosovën e rrethuan kullën e Tosun Kryeziut

Uran Butka

. Është e pamundur të përshkruhen  skenat tragjike  të asaj nate të ngrirë janari që përjetoi Hereçi. Porsa i zbritën nga kamioni i mbyllur, iu vërsulën si egërsira 26 burrave të çarmatosur dhe i goditën me mjete rrethanore : hunj, kazma, lopata, bajoneta etj. Viktimat i zhveshën në atë natë me ngricë , nën temperaturën -15 gradë C . Plumbat i përdornin kur ndonjëri përpiqej të ikte nga ajo masakër. Thyerja e kokave , e këmbëve dhe e duarve , nxjerrja jashtë e zorrëve me bajonetë , kryhej me kënaqësi të veçantë . 

Gani Kryeziu i kishte forcat, por edhe mundësitë të ngrinte më këmbë gjithë Bytyçin e Malësinë e Gjakovës për të çarrë rrethimin dhe për të kundërgoditur. Si shqiptar i vërtetë dhe misionar i lirisë, ushtarak me mendime të pavarura dhe atdhetar, ai zgjodhi udhën e shmangies së luftës civile dhe të gjakderdhjes ndërmjet shqiptarëve. Ai kishte dalë për të luftuar pushtuesit për një shtet kombëtar shqiptar dhe i qëndroi deri në fund këtij ideali. Megjithatë i mbajti forcat e veta të bashkuara në Bytyç edhe për disa kohë, duke shpresuar tek një ndërhyrje të aleatëve. Për të mos hapur konflikt, i shpërndau forcat kryesore dhe me 20 luftëtarët më të afërt,  la Bytyçin më 8.11.1944 dhe hyri në Gjakovën e çliruar e  u vendos në kullat e Tosun Kryeziut në Gjakovë, meqenëse kullat e tij i kishin djegur gjermanët.

Goditja dhe asgjësimi i Kryezinjve nga arradhet nacionalçlirimtare hedh poshtë katërcipërisht tezën komuniste të sajuar fillimisht nga emisarët  jugosllavë  në Konferencën e Labinotit, menjëherë pas Mukjes, dhe të trumbetuar me pompë të madhe nga komunistët shqiptarë e kalemxhinjtë e tyre  se Lufta nacionalçlirimtare ishte  luftë kundër okupatorëve dhe bashkëpunëtorëve të tyre. Kryezinjtë nuk ishin bashkëpunëtorë të pushtuesve nazifashistë, përkundrazi u deklaruan publikisht dhe luftuan pa asnjë kompromis kundër italianëve dhe gjermanëve.

Akti i fundit i tragjedisë “Kryeziu” u luajt në Kosovë.  Këtë akt e luajtën partiakët e lartë të PKJ , detashmentet e OZNA-s dhe brigadat e divizionet e Ushtrisë Nacionalçlirimtare serbo-malazeze-maqedonase, që tashmë e kishin vënë Kosovën ndër këmbë. Një rol të posaçëm në këtë akt tragjik patën edhe divizionet dhe brigadat e Ushtrisë NÇ të Shqipërisë, që kishin ardhur në Kosovë të thirrur nga Titoja “për të çliruar Kosovën  nga gjermanët”, por që u përdorën nga Shtabi i UNÇJ kryesisht për të goditur nacionalistët e Kosovës, për ta mbajtur atë nën kontroll  ushtarak dhe për t’ia nënshtruar e “dorëzuar  Kosovën  si mollë e qëruar”[1] Federatës Jugosllave.

 Forcat e brigadës së OZNA-s për Kosovën  e rrethuan kullën e Tosun Kryeziut në ditët e para të janarit 1945. Kërkuan vetëm të bisedonin me Gani Kryeziun, por i vunë prangat dhe e nxorrën para gjyqit ushtarak në Beograd me akuza të pavërteta dhe absurde: “ Në fillim të majit 1944 ai ka organizuar “ Frontin Nacional” në bashkëpunim me gjermanët dhe  me Xhafer Devën, kundër Ushtrisë Nacionalçlirimtare Jugosllave. Ai ka bashkëpunuar me gjermanët në Metohi. Në fillim të vitit 1944 ai sulmoi në Zogaj pa u konsultuar me shtabin jugosllav dhe si rezultat i këtij sulmi u vranë 30 partizanë jugosllavë. Në Arezzo Camp në Itali ai i ka kthyer të burgosurit që të mos i bashkoheshin batalionit “Stalingrad”, të cilit i është dashur të luftojë në Italinë Veriore kundër gjermanëve. Ai i ktheu me sukses 100 njerëz  dhe i mori me vete në jugosllavi, ku shumica  u internuan” [2]

Përpjekjet e Aleatëve për të hedhur poshtë akuzat e rrejshmë nëpërmjet dëshmive, memorandumeve dhe notave të misëve të Misionit Britank që kishin bashkëpunuar me Gani Kryeziun gjatë luftës kundër gjermanëve dhe për të vërtetuar të kundërtën, nuk patën dobi. Dënimi i tij ishte paravendosur. Notat, informacionet dhe raportet e Simkoksit, Smithit, Maklinit, Emerit, Laskey, Hodson, Boxshall, Hill etj drejtuar qeverisë së tyre e sensibilizuan atë  dhe vunë në lëvizje të ngarkuarit me punë të Britanisë së Madhe, të cilët kontaktuan , përveç të tjerëve, edhe me Marshallin Tito. “ Mbi çështjen e Kryeziut ne u takuam sot në mëngjes me Marshallin Tito dhe ia dorëzuam atij memorandumin që ai të na tregojë arsyet për rastin e Kryeziut për faktet që neve na interesojnë. Marshalli Tito tregoi për këtë çështje injorim të plotë. Ai premtoi se do ta shqyronte këtë rast dhe do të na informonte për çdo gjë.”[3] 

Ministria e Jashtme ndërhyi sërish më 12 korrik tek autoritetet jugosllave nëpërmjet të ngarkuarve të Mbretërisë së Madhe në Beograd: “Mund ta keni parasysh se këtë çështje mund ta ngremë si çështje pranë Kombeve të Bashkuara dhe ju duhet ta keni këtë gjë parasysh.” [4]

Më 23 korrik 1945 ambasada britanike në Beograd njoftoi FO se Qeveria Jugosllave nuk e konsideron si rast ndërkombëtar çështjen e  Gani Kryeziut, por  si çështje të Jugosllavisë, pasi G.Kryeziu është  shtetas i Jugosllavisë dhe se është e vështirë që Qeveria Jugosllave të pranojë ndonjë intervenim nga qeveritë e jashtme. [5]

Nota e qeverisë britanike për Beogradin lidhur me dënimin “ thjesht politik dhe si një manovër e urdhëruar nga lart për të shkatërruar këtë patriot të madh”, bashkëngjitur me një raport të gjatë të majorit Simkoks, i cili hedh poshtë me fakte e argumente akuzat krejtësisht të pathemelta e tendencioze të Beogradit, është një apologji e shkëlqyer për Gani Kryeziun e lëvizjen e tij. “Këto akuza janë tërësisht të rrejshme në raport me faktet, për të cilat jam dëshmitar unë. Unë i kam informatat që këto akuza i hedhin poshtë dhe i bëjnë të pavlefshme”-  thekson Simkoks.[6]

Gjykatësi i Gani Kryeziut, Petar Brajoviqi, i mbiquajtur gjatë luftës Gjuro, ish gjenerali që mori pjesë në masakrën e Drenicës kundër forcave shqiptare të Shaban Polluzhës dhe humbi njërën këmbë atje, përsiat në vitin 1986:

“ Si gjykatës i dikurshëm në procesin gjyqësor të Gani Kryeziut, vendosa të them diçka lidhur me dënimin joadekuat që në atë kohë mori ky kriminel. Ky aktgjykim ( pesë vjet ) nuk i përgjigjet veprave të këqija të Gani Kryeziut, përkundrazi…Si erdhi kjo?  Ditën e tretë të gjykimit m’u paraqit Aleksandër Rankoviçi dhe më pyeti se çfarë do të ishte dënimi. “Mendoj, me vdekje”- iu përgjigja. Atëherë Rankoviçi më sqaroi se për shkak të një ndërhyrjeje të një shteti aleat, çështja e Kryeziut duhej këqyrur ndërmjet gishtërinjve”

Edhe pse qenë të detyruar ta dënonin vetëm pesë vjet, e vranë në burgun e Mitrovicës, pak ditë para se të plotësonte dënimin.

Po me pabesi, gjoja për t’i çuar në Pejë, i nxorrën nga kulla 22 bashkëluftëtarët e G.Kryeziut si edhe 4 simpatizantë të ndodhur rastësisht aty. I hipën në një kamion dhe i ndalën në Hereç të komunes së Deçanit, në ditët e para të janarit të vitit 1945. Është e pamundur të përshkruhen  skenat tragjike  të asaj nate të ngrirë janari që përjetoi Hereçi. Porsa i zbritën nga kamioni i mbyllur, iu vërsulën si egërsira 26 burrave të çarmatosur dhe i goditën me mjete rrethanore : hunj, kazma, lopata, bajoneta etj. Viktimat i zhveshën në atë natë me ngricë , nën temperaturën -15 gradë C . Plumbat i përdornin kur ndonjëri përpiqej të ikte nga ajo masakër. Thyerja e kokave , e këmbëve dhe e duarve , nxjerrja jashtë e zorrëve me bajonetë , kryhej me kënaqësi të veçantë . Pas dy orë përleshjeje, kriminelët i kishin mposhtur viktimat që u munduan të mbroheshin  Mbi tokën e ngrirë e të llangosur me gjak shqiptari , dergjeshin të coptuar e pa shpirt  24 burra të Malësisë së Gjakovës, midis të cilëve edhe Hasan Kryeziu dhe Xhevat Kryeziu.

Kjo masakër akuzon edhe palën shqiptare, qoftë udhëheqësit e PKSH qoftë ata të PK për Kosmetin, që heshtën apo u pajtuan me të. Madje, kjo masakër u bë nën hundën e divizioneve të Ushtrisë NÇ të Shqipërisë që kishin ardhur në Kosovë të thirrura nga Shtabi NÇ Jugosllav si dhe në praninë e brigadave partizane të Kosovës! 

Uran  BUTKA

KRYEZIU MOVEMENT POSSIBLE ALTERNATIVE FOR LIBERATION

AND  NATIONAL UNITY

Summary

  

  

[1] Përcaktim i luftëtarit të Shaban Polluzhës, Hajriz Demaku, në sesionin shkencor të organizuar nga Instituti Albanologjik i Prishtinës 26 qershor 2005, me temën “Ripushtimi i Kosovës 1944-45.”

 

[2] Dokumente Britanike, FO tel 413 R.6960/777/90

 

 

 

[3] Po aty

 

 

[4] FO , Your telegram Nr. 825 12 korrik 1945

 

 

[5] Po aty, Telegram Nr. 1009, 23 korrik 1945.

 

[6] FO 371/ 48110 Raport i Simkoks.

 

Lini një Përgjigje

Në Tokat e lirueme

Lloj i ri i koronavirusit në tetë vende evropiane