in

Film: Udhëtim nostalgjik në kohë

Gani Mehmetaj

Trishtimi i zonjës Shnajder”, regjia Piro Milkani, Eno Milkani, sipas skenarit të Piro Milkani, Radek Sofr, muzika Milan Kymlicka. Në rolet kryesore intërpretojnë: Anna Geislerová, Nik Xhelilaj, Barbora Stepánová, Tomás Töpfer, Kamil Kollarik, Michele Placido, Paolo Buglioni, Arta Dobroshi, Niko Kanxheri, Pavlina Karpeles, Alena Kubalkova etj.

Sa herë e shoh filmin e Piro Milkanit “Trishtimi i zonjës Shnajder” se si me ngjallë emocione e kujtesë. Një film ndryshe nga filmat tjerë të kinematografisë shqiptare, një film ndryshe nga filmat e mikut tim të vjetër, një film i ngjashëm, por prapë paksa tjetër nga shkolla e njohur çeke. Ka diçka nga vendi ku Piro studioi (atmosfera, njerëzit, pamjet, figurat tragjikomike, kështjellat interesante, historitë), ka diçka edhe nga fryma e neorealizmit italian, por ka edhe primesa politike, momentet e thyerjeve të mëdha në mes të shteteve të bllokut socialist, kur binin kokat dhe pësonin individët.

Por filmi nuk është rrëfim i dramave të mëdha hamletiane, të jesh a të mos jesh, është rrëfim për të riun që dashurohet në vendin dhe në femrat, bashkëjeton në çapkënllëqet e të rejave.

Personazhet e filmit “Trishtimi….” janë të veçantë e tipik: një grup studentësh nga Akademia e Arteve të Bukura shkojnë për të xhiruar filmin e tyre të diplomës në një Fabrikë motorrësh në Ceskz stemberk (Çeki). Provinca sa është e amullt aq është intriguese: njerëzit lëvizin në rreth të mbyllur, kanë dramat dhe trishtimet e tyre, kënaqësitë dhe dëshpërimet. Regjisori rrëfen në mënyrë të lehtë e të paimponueshme, ka personazhe të portretizuara mirë, atmosferë artistike dhe pikëllim.

Piro Milkanin e kam njohur para dyzetë vjetësh (1980), në Festivalin e Filmit Ballkanik në Lubjanë, i kam ndjekur të gjithë filmat e tij para dhe pas njohjes, por rrethanat e mëpastajme politike ndikuan që të mos mund të shkruaja për filmat e tij. Pas shembjes së diktaturës, shumica e regjisorëve shqiptarë nuk e gjeti vetën në rrethana të reja. Kaosi “demokratik’ nuk u ofroi mundësi krijimtarie, xhironin pak ose aspak, ndërsa lirinë e shprehjes e kishin shumë më të madhe. Piro e xhiroi këtë film pas shumë peripecish. Dhe i doli mirë.

Lini një Përgjigje

Gjergj Fishta e ka vendin në Kosovë

Rusi Habib Nurmagomedov i nderuar që e viziton Serbinë