in

Fati i tij…

 

(Fragment, shkëputur nga “Një roman, laraman”, titull pune, në sajim e sipër)

————————–

Nga Bajram SEFAJ

-…Digjesha e piqesha, përvëlohesha në kazanin e skuqur të katranit, të shkruaj diçka të mirë. Kisha ndërmend dhe  synoja të shkruaj një prozë të butë, të bardhë si bora, ne të cilën do të përfshiheshin të gjitha ato që, gjykoj se, i mungojnë letërsisë shqipe të kohës sonë. Regjistrin e zi, me një evidencim e numërim, sa më të gjatë dhe gjithëpërfshirës, isha përpjekur ta hartojë e qes në letër, shumë vet më parë. Para se ti japë rrugë drejt opinionit të gjerë publik, atë dorëshkrim ia besova për lexim e vlerësim (ashtu siç veproja pothuaj se përherë!), mikut Azem! Jo Shkelit por atij tjetrit Xemit, atij që e këndoi këngën: “Krejt Azemat janë Azema, por më kaçurreli (ndër ta!) është Azem Shkreli”! (Si të thuash sot : “Tanë Azemat janë Azema, por me sakica (nder ta!), është Azem Galica”, a merr vesh Ti!).

*

Tekstin ia lash në dorë, Xemit, që nuk është kaçurrel, por magjistër i shkencave filologjike. Librin e ka shok e mik të pandarë gjatë gjithë jetës. Liibrin, veçmas atë letrar e do, e mban rreth vetës, që e ka jastëk, shtrojë e mbulojë.  Që shoqëron gjithkund. Që fle më te. Që e ka ushqim shpirtëror. Që e lexon me vëmendje e përqendrim. Me kujdes të madh dhe pasion të thellë, thua se midis kapakëve të tij thithë nektarin e jetës. Pa të cilin ushqim jeta do të ishte absurde. E thatë dhe e pa fije kuptimi. Librin, atë mall të shtrenjtë dhe të shenjtë, Xemi, nuk e shiste me qejf (po a shitet libri, o krahëthatë!). Libri vetëm blihet, vetëm blihet, lë të kushtojë sa do të kushtojë (coût que coût), sikurse thonë francezët e kulturuar dhe të arsimuar. Xemi e tregton librin dhe, si ambulant i zorit që është, tani e sa vjet, cep me cep Kosovës, nget pas lexuesit, jo për t’ia shitur, por për t’ia ofruar dhe afruar të interesuarve këtë mall të vlershëm që nuk ka  çmim që e peshon. Maestro ynë, zotëri Xemi, këtë “tregti”, ndonëse, nuk e bën me qejf dhe me dëshirë,  me të cilën “zeje”, dosido, siguron ekzistencën (jetesën) e vet dhe të familjes. Mos kënaqësinë, me drejt të thuhet, dëshpërimin e tij të thellë e shpreh, nga se gjithnjë e më pak e me grat, lexohet kudo në të gjitha qoshet e shtetit tonë të ri. Me tregtimin, më drejtë, me shpërndarjen e librit, Xemi merret një kohë të gjatë. Këtë veprimtari, nisi gjatë luftës se përgjakshme në Kosovë. Shtegtoi gjithandej përgjatë Evropës, gjithkah nga ishin shpërnda, si zogjtë e trembur të qyqes, pas një frymëmarrje më të lirë e jetë më të mirë, shumë bashkatdhetarë tonë të mjerë. Ngjitej atje “lartë”, duke kapërcyer rrathët e ferrit të kufijve jugosllav dhe të tjerë, duke u përbiruar si nëpër vesh gjilpëre. Nuk ishte kjo punë e lehtë dhe e parrezikshme. Masat represive, e të ndëshkimit të rreptë dhe të atypëratyshëm, të menjëhershëm e tejet drastikë, ishin kur në paketa a çanta gjendeshin librat shqip se, sa në to të gjendej “mielli i bardhë” e, mëlmesa të tjera, më cilat gatuheshin  specialitetet të tmerrshme të ushqimeve të serta narkotike!

Xemi, tash e sa vjet, ushtron këtë zanat, i shtrënguar  nga skamja dhe papunësia, sa për të ushqyer shpirtin e tij të ndjeshëm dhe fort të lënduar si poet, i mrekullueshëm që është,  dhe familjen e tij. I dhëmb shumë në shpirt pse aq pak, sidomos kohëve të fundit, lexohet libri ndër ne. Sa i bëhej qejfi, o zot i madh, kur dikush nga miqtë e tij e të librit, nga Peja e Gjakova, nga Besiana e Ferizaj, zona këto që i frekuenton më shpesh dhe me më gëzim e qejf, e porosiste ndonjë libër të rrallë të harruar krejt. Me qetësi hyjnore, dhe pa e pasur idenë së ku do ta gjej atë ekzemplar , përgjigjej: rri pa vesvese, pa kasavet, e mos merr merak, herën e parë që vij, nuk vij pa e qua në vend porosinë, i nderuari lexues. Dhe,  që në atë çast, në zemrën e tij, sikur të ndizej eshka e fjetur. Merrte rrugë drejt të së panjohurës, deri ku e kishte strofullin (folenë) ai libër, ai fjalor apo çfarëdo botimi tjetër i  rrallë! 

Bota shqiptare, tash e sa vjet me radhë, sikur nuk ka ndjenjë, sikur nuk ia ndien, sikur nuk e njeh fare librin, bile as që e shfleton, as që kalon nëpër fletë të tij, sa për t’ia hedhur një vështrim të beftë. Si tërë bota mbarë, mbase më zi e më keq se të tjerët, të asaj bote e madhe dhe të panë, bota gjithëshqiptare, mjerisht, katërçipërisht  është zhytur dhe gjithnjë më shpejt po sharron, po mbytet krejt, në ujin e turbullt të pusit të pa fund, fejsbuk! Prandaj  nuk është larg dita kur deklarata e  kolegut, kur për akëcilin libër të bije fjala, pa hezitim thotë: po, e kam parë! Jo, ore koleg burri, libri, romani, në këtë rast, nuk është eksponat i arteve pamore, është, por, objekt leximi. Si sinjalizojnë e tregojnë gjithnjë e më qartë, shenjat e hulumtimeve e të gjurmimeve, nuk është larg të agojë dita kur edhe përgjigja: e kam parë!, l i b r i n  e shkretë, të lenë pas dore e të braktisur, si një jetim në shi, do të duket normale, do të mjaftojë, do të jetë boll, “bereçatversëm”, siç thonë turqit anadollakë!

*

Pas një, dy, a më shumë shekujsh, (pas, një, dy , a më shumë orësh), aq sa i kisha harxhuar e djegur duke zënë në spikamë vetëm një pjesë të vockël, fragmentare të jetës së Xemit, në vend se të ishte në ndonjë zyre të madhe e të ndritshme të ndonjë institucioni të lartë e më rëndësi të veçantë, shkencor e kulturor kombëtar, (teatër, muze, arkiv, bibliotekë… e kështu më radhë!), të jetë se paku, shef  katedre gjegjëse në Fakultetin Filologjik,  e gjej aty ku e lash. Në vendin e punës, në ambientin tij të preferuar, rrëzë Fakultetit Filozofik të Prishtinës. Aty, ku shumë vjet më parë, me sukses të shkëlqyer mbaroi studimet e rregullta për gjuhë e letërsi. Më vonë, po ashtu, me sukses të plotë, në katedrën gjegjëse të po këtij institucioni të lartë arsimor, kishte dhënë provimin përfundimtar duke marrë titullin dhe gradën e merituar, magjistër i shkencave filologjike…

Si ngaherë, e zë të thelluar në mendime dhe meditime e reflektime. Tekstin tim, si shumë herë më parë, ia kisha lenë në dorë ndërkohë që isha zhdukur ne drejtim të pacaktuar, për t’u mos parë asgjëkund derisa leximi të kryhet. Si zakonisht, tekstin tim e kishte lexuar, me vëmendje, më kujdes. E kishte begenisë a jo, nuk di ç’të them, por në bazë të kryqeve që i kishte “vizatuar” para çdo paragrafi,  supozoj se kishte tumirë dhe se,  në tërësi, tekstin e kishte tumirë duke i dhëne notë kaluese, e kjo i ishte boll për mua të druajtunin e përhershëm dhe të pandreqshëm, pa pikë besimi në forcat e  mia. Por, ç’ti bësh kur në fund të atij enumeracioni plotë siklet, në përpjekje që të mos harrohet as edhe, më imtë detaj nga ajo që mungon letërsisë shqipe sot, me një kaligrafi të lodhur, nervoze, të përçudshme dhe mezi të lexueshme, Xemi kishte shënuar: Letërsisë tonë i mungon JETA!

Kësaj të vërtetë e madhe, dhe e paluajtshme kurrqysh e në asnjë mënyrë, që me goditi aq shumë sa që me la pa frymë. Me mbështeti për muri. Me paralizoj dhe më bëri të mjerë e të palumtur krejt, sikur ne krah përmbajtje i doli edhe komenti i shkurtë i piktorit  tonë të shquar kur tha: Letërsisë tonë i ka munguar një PIKTURË e tillë!

Kullën time prej letre, a mjegulle, sakaq e shkatërrojë, e cofi keqas duke e përplasur për tokë dhe duk e shndërruar në  hi e pluhur!  Si nuk isha kujtuar unë hajvani i marrë, klitha, në ikje e sipër, me nxitime!

Çaste a shekuj më pas, plot maraz e mosdurim, kur në grykë me erdhën të vjellat, si të thatit të hidhur, kur i vjen dekiku i  shpërthimit, si refleks e revoltë bashkë, ndaj gjithë asaj që i mungon letërsisë shqipe e sot e gjithmonë, kam përtyp e mbllaçitur këtë tekst që, ashtu si është, ashtu si ka qëlluar, është mbjellë në rubrika gazetash dhe “faqe” portash, (lexo: portalësh! Po e ringjall, e ripranveroj duke e “mbjellë” pikërisht këtu: Pa piano, s’ka letërsi!

Kjo vërejtje e vonuar (shumë), shumë kujt, mund t’i duket e çuditshme, Ky reflektim i i lodhur plogështie dhe tejt i vonuar, shumë kujt mund t’i ngjajë, i pa pikë refleksi e kompleksi. Në këtë botë të rrejshme, jallanë, gjithçka është e mundur! Është relative. Vetëm se, relativja është absolute! Moti kohë kanë thënë kështu, mendjendriturit! Por, siç na porositë një mençuri jona e moçme popullore, më mirë vonë se kurrë!  Çështja e mungesës së Pianos në letërsinë (mbarë)shqiptare, le të shënohet diku, lë të regjistrohet e evidencohet diku në ndonjë defter! Pastaj, pastaj, shohim e bëjmë, siç thuhet zakonisht!  Në thesarin e pasur të fjalëve të urta, me siguri se ka edhe motërzime tjera edhe më të goditura. Por kjo është e vërtetë së letërsisë sonë i mungon një PIANO e madhe. Shumë e madhe! Vjet më përpara, në një shkrim bajagi të gjatë, në një lloj eseje, jam gri e drobitë, në përpjekje, t’i rendis dhe t’i fus në varg, (si gështenjat e Vokshit!), se diçka-diçka ose, shumëçka, i mungon letërsisë shqipe, të re e të vjetër. Andej këndej Gardhit. Kurrqysh nuk me ka shkuar ndërmend PIANOJA! Ja se, këtë harresë (të madhe), opinionit publik shqiptar, në rënd të parë, shkrimtarëve bashkë me lexues, ua sjell ndërmend se artit tonë letrar, i mungon ky instrument fisnik e bazik muzikore. Mungon në letër(si) nga se, mungon në shtëpi! Mungon në jetë. Ndoshta është e pa denjë, (e pavërtetë) të pohohet se nuk ka letërsi pa piano në shtëpi! E pa justifikueshme, madje!

Ani, d’accord!  Jo, por, sille kah të sillesh, del se ashtu është. Gjeje, lexues i nderuar, eventual, një shkrimtar shqiptar, të mirë a të keq, që ka piano, kudo në ambientin që punon: shkruan,  vizaton, pikturon, skicon, projekton…, me një fjalë, në ambientin ku punon e krijon! Një  si digresion: Shkrimtarët, krijuesit e artit përgjithësisht, nuk matën (gradohen), i madh e i vogël. Krijuesit nuk kanë as moshë. Krijues i ri, krijues i vjetër! As amator, as veteran, jo! Veprat e tyre të reja artistike,  gjithmonë janë re reja. Me rastin e shfaqjes së tyre në publik, kuptohet! Krijuesi ose është i mirë, i mesëm. Më pak i mirë. Nën mesatare e, deri të, i keq, dobët…, ose kurrfarë! Kështu është, sille nga të sillesh!  Cilindo prej krijuesve tanë të letërsisë, qoftë shkrimtar i mirë, se jo i mirë, i ri ose veteran (sidomos veteran) i mungon piano në shtëpi. S’ka kuptim të rreh ujë në havan! Të sillem rrotull pas bregut! Vetëm konstatoj dhe e hedha në etër (publik) se letërsisë tonë, i mungon Piano. I mungojnë tingujt e saj. E hodha gurin, nuk e fsheha dorën! Për një çast, ndjeva (si pikë në zemër!), këtë mungesë! Mbase sivëllezërit e mi, nuk e ndjejnë, nuk e përjetojnë kështu! Ani! Ndoshta e kanë mirë! Tim për shpi, tabiat për njeri!

*Post scriptum: miku im (Dinush) pasi i kishte lexuar keta radhë, me thotë, i kam vë në siklet krijuesit. Jo, iu gjegja, shumica nga ata që nisen për të blerë Piano, në shtëpi kthehen më nga një Filikaqë, instrument frymor muzikor, shumë më i lehtë, për interpretim dhe transportim, i thashë! (13.2.2020)

——————–

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Loading…

0

Shqiptarët jashtë kufijve kanë nevojë për përkrahje

Rusia në dashuri me Lukashenkon