Burrat e familjes Mahmutbegolli
Shkruan av.Zanfir Kryeziu
Me rastin e 110 vjetorit të shpalljes së pavarësisë, Klodi Stralla në artikullin Fati i Firmëtarëve të Pavarësisë shkruan:
Ndonse “Deklaratën e Pavarësisë” e kanë firmosur vetëm 40 delegatë të Kuvendit Kombëtar, në 28 nëntor 1912, ky numër bëhet 79 po të marimë parasysh edhe ata që erdhën në Vlorë nga të gjitha viset shqiptare, midis datave 28 nëntor – 7 dhjetor 1912, për shkak të situatave shumë të ndërlikuara, kur territoret shqiptare po pushtoheshin me shpejtësi nga ushtëritë serbe, malazese dhe greke.Ata janë “Etërit Themelues” të shtetit shqiptar, por ende sot nderimi dhe vlerësimi i tyre nuk është i njëjtë për të gjithë shqiptarët, për forcat politike apo historiografinë zyrtare. Mesa duket 28 dhe 29 nëntori, edhe pas kaq vitesh, e kanë të vështirë të bashkëjetojnë me njëri-tjetrin.
Nga viti 1912 e deri në prag të Luftës të dytë botërore, vdiqën 44 prej delegatëve të pava- rësisë, disa në Shqipëri dhe disa jashtë saj dhe qeveritë e kohës i nderuan ata ashtu si e meritonin.Nuk patën të njëjtin fat ata që mbetën gjallë, gjatë luftës por veçanërisht gjatë regjimit komunist. Në vitet e Luftës të dytë botërore (1939-1944) ishin gjallë 35 nga të 79 Etërit Themelues. Vetëm katër prej tyre ishin jashtë atdheut: – Ahmet Zogu, Syrja bej Vlora, Dhimiter Mborja (Emanoil) dhe Jani Papadhopulli.Pjesa tjetër që ishte në Shqipëri: – 17 prej tyre u shpallën kolaboracionistë të fashizmit. Këta janë: Bedri Pejani, Dervish Biçaku, Dhimitër Berati, Eqerem bej Vlora, Ferit Vokopola, Lef Nosi, Mit’hat Frashëri, Mustafa Kruja, Petro Poga, Qazim Kokoshi, Qerim Begolli,Qemal Karaosmani,Rexhep Mitrovica,Shefqet Daiu,Sherif Langu Thanas Floqi, Zihni Kanina. Nga këta të shtatëmbëdhjetë, dy u bënë kryeministra në vitet e Luftës së Dytë Botërore (Mustafa Kruja dhe Rexhep Mitrovica), një u bë anëtar i Këshillit të Naltë (bashkëkryetar shteti), dy u bënë ministra (Dhimitër Berati dhe Eqerem bej Vlora). Nga këta të shtatëmbëdhjetë, një u dënua me vdekje dhe u pushkatua nga regjimi komunist në 1945 (Lef Nosi),tre vdiqën në burgjet e Shqipërisë komuniste (Shefqet Daiu në 1946, Sami Vrioni në 1947, Qazim Kokoshi në 1947), një u arrestua nga regjimi komunist shqiptar dhe iu dorëzua serbëve, të cilët e pushkatuan në 1948 (Bedri Pejani),një u pushka- tua në 1945 nga partizanët serbë në Pejë (Qerim Begolli), dy vuajtën burgimin komunist (Sherif Langu dhe Zihni Kanina),shtatë emigruan jashtë vendit për t’i shpëtuar persekutimit komunist (Dervish Biçaku, Dhimitër Berati, Eqerem bej Vlora, Mustafa Kruja, Mid’hat Frashëri, Rexhep Mitrovica). Këta të shtatë që ishin në emigracion kërkoheshin nga regjimi komunist si kriminelë lufte së bashku me një tjetër nga Etërit Themelues, Ahmet Zogun.Ndërsa 14 të tjerë mbajtën qëndrim neutral, por asnjëri prej tyre nuk bashkëpunoi me regjimin komunist,as gjatë kohës të luftës, si pjesëmarrës në Konferencën e Pezës (1942) apo Kongresin e Përmetit (1944) dhe as pas luftës, si deputetë apo ministëra në qeverinë te Enver Hoxhës, ndonse komunistët bënë shumë përpjekje që vitrinën e tyre propagandistike për atdhe- dashuri ta stolisnin me ndonjërin prej tyre. Fakt shumë domethënës!
Po kush ishte Qerim bej Mahmutbegolli
Në librin e Vlonjatit prof.dr.Bardhosh Gaçe “Ata që shpallën Pavarësinë Kombëtare me 1912” për veprimtarin patriotike të Qerim Begollitthuhet:
“Begolli Qerim Bej ka lindur në Pejë në vitin 1874 në një familje të njohur për veprimtarinë kombëtare. Qysh në fund të shekullit të kaluar u përfshi në kryengritjet antiosmane të Kosovës. Në vitin 1898 ishte një nga veprimtarët e Lidhjes Shqiptare të Pejës. Haxhi Zeka e ngarkoi me detyrën e ndihmësit të Mehmet Pashë Dërrallës në organizimin e veprimtarisë së kësaj Besëli- dhjeje në Tetovë,Gostivar dhe Manastir.Mehmet Pashë Dërralla e cilësonte “një sokol me vërsë për gjallërimin e ndjenjave kombëtare. Mori pjesë në kryengritjet antiosmane[1] të viteve 1908-1912, ku u shqua në Kuvendin e Ferizajt dhe luftimet e Mitrovicës, Ferizajit dhe Grykën e Kaçanikut. Iu përgjigj thirrjes Riza bej Gjakovës dhe Isa Boletinit për mobilizimin e luftëtarëve të Pejës e Gjakovës në kryengritjen antiosmane.Në nëntor 1912 mori pjesë në Kuvendin e Vlorës për Shpalljen e Pavarësisë Kombëtare si delegat i Pejës. Në qershor 1914 ishte ndër anëtarët e delegacionit të Kosovës që u takuan me Princ Widin në Durrës. Në vitet më vonë dha kontributin e tij në Komitetin“Mbrojtja Kombëtare” e Kosovës,ku bashkëpunoi me Hasan Prishtinën,Bajram Currin, Idriz Seferin dhe Mehmet Pashë Dërrallën,si dhe luftimet kundër forcave pushtuese serbe e malazeze. Në vitin 1918 mbajti fjalim mbi varrin e Mehmet Pashë Dërrallës, ku tha:“Ky fatos i Lirisë Shqiptare,ishte mësuesi ynë që na ngjalli shqiptarinë në shpirt dhe në armët tona…” Një jetë të tërë ky luftëtar i shquar popullor mbrojti të drejtat e Kosovës dhe protestoi kundër dhunës e reprezaljeve që ushtruan shovinistët serbë në këto troje.U pushkatua në vitin 1945nga forcat ushtarake serbe, sepse kërkonte bashkimin e Kosovës me dheun amë”.
Qerim Beu ishte i martuar me një bijë të bejlerëve të Prishtinës-nga dera e Xhemajl Begut dhe e Hasan Begut të Prishtinës dhe la vetëm një djalë, Skënderin.Ne këtu bëmë një paraqitje të veprimtarisë së Qërim Beg Mahmudbegollit në mbështetje të të dhënave historike dhe të dhënave nga kujtimet e dy personaliteteve të shquara Eqrem bej Vlorës dhe Sejfi Vllamasit që lanë pas vetes kujtimet e shkruara për jetën e vet dhe kontaktet që patën me Qerim Beg Mahmudbegollin. Sipas të gjitha dëshmive ai ishte një patriot i përkushtuar i çështjes shqiptare, çështjes së Kosovës. Qerim Begu la Kosovën edhe në një robëri sllavo-komuniste, ia vranë dy vëllezërit, Xhevatin, prefekt i Pejës i masakruar tmerrshëm, dhe Rifatin, Minister i Ekonomisë në Qeverinë Shqiptare të Rexhep Mitrovicës në vitin 1944 i cili vdiq (ose u vra në burg të Tiranës?). I dorëzuar nga pushteti enverian, zyrtarëve të OZN-ës, në rrugën prej Podgorice për në Pejë, e likuiduan bandat çetnike-partizane jugosllave. Atëherë ishte në një moshë të shkuar, me brenga për fatin e Kosovës e vëllezërve dhe të të vetmit djalë që kishte Skenderit, student i mjekësisë në Vjenë, mbaroi jetën e vet përplot përpjekje për çështjen e kombit.
Ai u ngrit qysh në rininë e hershme të tij për të mbrojtur truallin shqiptar, kishte idealet e larta mu në kohën më të vështirë. Ai sakrifikoi gjithçka që kishte në betejën e madhe të popullit shqiptar me armiqtë e të gjitha llojeve. Ai i përkiste një shtrese shoqërore që gëzonte të gjitha privilegjet e kohës, por ideali i tij i lartë e vuri atë në radhët e para të atdhetarëve të gatshëm për t’u flijuar. Ai ishte i vetëdijshëm për fatin e vet, por, këmbënguli në luftën për interesa nacionale deri në dhuratën më të shtrenjtë që mund të japë një njeri-jetën në altarin e atdheut. Me modestinë më të madhe do ta thosha se Qerim Beg Mahmudbegolli, gjatë tërë jetës së vet, u përpoq me mish e shpirt për çështjen shqiptare. Qerim Beg Mahmudbegolli ishte patriot e vetëm patriot, i përkushtuar për të dhënë krejt çka pati për Shqipërinë e lirë dhe demokratike, për Kosovën dhe truallin tjetër shqiptar brenda saj. Këtë e provojnë veprat e tij!
Në kujtimet e Sejfi Vllamasit, kur flitet mbi Klubin e Shkupit, veprimtarinë e “Komitetit të Kosovës” dhe për veprime tjerapatriotike të personaliteteve aktive në politikën shqiptare, patjetër Qerim Beg Mahmudbegolli zë një vend të spikatur në mesin e atyre që u flijuan për çështjen shqiptare. T`ia lamë fjalën vetë Sejfi Vllamasit thotë autori:
“ Klubi i Shkupit… me patriotë të rinj me plot entuziazëm, si: Rrok e Luigj Berisha, Rexhep Mitrovica, Bedri Peja, Halim Gostivarri, Qerim Begolli, Salih Gjuka, e të tjerë, janë angazhuar në një luftë për vdekje me xhonturqit deri në shpërthimin e kryengritjeve të armatosura”. Më tej Vllamasi, duke bërë fjalë për afrimin e italianëve në afërsi të Shkodrës, me qëllim të pushtimit të këtij qyteti, shkruan edhe për Qerim Begollin ku thotë: Italianët kishin mbërritur deri në Bahçellëk, por nga frika e austriakëve nuk guxonin të hynin në Shkodër. Bataloni gjurmues“Chasseur alpin”, francez, u dërgua nga komanda franceze me urgjencë nga Kosova. Shtigjet i kaloi nën udhëheqjen e patriotëve kosovarë, Hysni Curri, Qerim Begolli, Bedri Peja etj., të cilët ishin larguar nga Kosova me rastin e riokupimit të kësaj nga ushtria serbe”.Për veprimtarinë e “Komitetit të Kosovës” dhe veprimtarinë e Qerim Begollit, Vllamasi shkruan:
“Komiteti i Kosovës” mori pjesë aktive në Kongresin e Durrësit me një delegacion nën kryesinë e Hoxha Kadriut e me anëtarë Riza Danin e Qerim Begollin.
Vllamasi mbi orientimin politik të Komitetit të Kosovës shkruan:“Kosovarët-përveç rinisë intelektuale,si:Rexhep Mitrovica, Beqir Vokshi, Halim Gostivarri, Bedri Peja, Ibrahim Jakova e Osman Tetova, luftëtarët e Rilindjes Kombëtare, paria kosovare: Bajram Curri, Qerim Begolli, Xhemal Prishtina, Hasan Prishtina dhe prapa këtyre gjithë masa emigrante kosovare, kishin bindje se duke iu mbështetur politikës italiane do të çlirohej Kosova e robëruar nga Jugosllavia: Kjo shpresë ata i bashkoi me italofilët dhe, në atë kohë jashtëzakonisht të vështirë, i shtuan radhët e kundërshtarëve tanë”.Qerim Begolli ndiqej këmba/këmbës nga pushtetarët e Mbretërisë Serbo-Kroate-Sllovene respektivisht Mbretëria Jugosllave.Në një dokument që posedon autori dëshmohet se Qerim Begolli përgjigjej si fajtor për veprimtari të tij armiqësore në “radhët e kaçakëve” në bazë të nenit 243 lidhur me nenin 244 të Ligjit Penal dhe se është i evidentuar në regjistrin e të arratisurve-kaçakëve nën numrin rendor 73 si kaçak i deklaruar, andaj si i till është jashtë ligjit dhe se kushdo që e vret ose e sjell të gjallë merr shpërblim prej 500 dinarësh.
Në dosjen “Çështja shqiptare” dhe “Komiteti i Kosovës”të kontraspiunazhit të gjeneral- shtabit të ushtrisë jugosllave, e cila mbahej me kujdes, thuhet:“Gjatë vitit 1930, gjenerali italian Pariani, përpiqej t`i organizonte në “Komitetin e Kosovës” ata nacionalistë shqiptarë, të cilët punonin në bashkimin e Kosovës me Shqipëri, dhe të cilët përgatisnin dhe dërgonin kaçakë të armatosur në territor të Jugosllavisë[2]… Në këtë dosje ndodhet edhe emri i Qerim Begut…
Qerim Beg Mahmudbegolli po ashtu ishte i deleguar në tubimin e Junikut, dhe në shpalljen e Pavarësisë Kombëtare në Vlorë me 1912.
Ishte nënkrytar i “Komitetit të Kosovës”, i cili u përpoq për bashkimin e territoreve shqiptare.Në fund të jetës së tij ishte edhe anëtar i Lidhjes së Dytë Shqiptare të Prizrenit.
Në fillim të muajit mars 1913,kur Fuqitë e Mëdha e kishin ndarë mendjen të bënin copëtimin e Shqipërisë,disa rrethe patriotike u mblodhën në Trieste për ta shtruar në log fatin e atdheut.Ato u shprehën për vendosjen e një princi evropian të krishterë në fronin e Shqipërisë së pavarur.
Gazeta Atdheu nuk theksonte cili ishte qëllimi i këtij kongresi,por vargonte emrat e pjesëma- rrësve në mesin e të cilëve ishin:Fan Noli,Faik Konica,Nikolla Ivanaj,Ferhat Draga,Bajram Daklani,Qerim Begolli,Hil Mosi etj. Shtypi zyrtar serb e ndoqi këtë tubim me nënçmim duke i
quajtur eksponent të Vjenës.Shtypi socialist shkruante se midis delegatëve kishte mjaft intelektualë të mirëfilltë, patriot të vërtetë, militantë të Shqipërisë së lirë dhe të pavarur, të cilët kundërshtonin orvajtjet e Austro-Hungarisë dhe Italisë për ta futurë këtë vend në vorbullën e tyre impe- rialiste,por njëkohësisht nuk pranonin kurrfarë afrimi me Serbinë nga shkaku i politikës së saj ekspansioniste.
“Komiteti i Kosovës nën kryesinë e Hoxha Kadriut ka qenë i përbërë prej Bedri Pejës, Salih Nivicës, Bajram Fevziut dhe prej meje. Bedri Peja njëkohësisht kryente detyrën e sekretarit dhe Salih Nivica ishte drejtor i gazetës “Populli”, organ i Komitetit. Këshilltarët, që në rastet e nevojshme merrnin pjesë në bisedimet, ishin Hamit Gjylbegu, Riza Dani, Hysni Curri (nip i Bajram Currit) dhe Qerim Begolli…