in

Ernesto Sabato dhe historitë shqiptare që la në libra

Përkthimin e romanit «Mbi heronjtë dhe varret», sado i vështirë që ishte, e kam pasur një detyrim, jo vetëm për origjinën shqiptare të autorit, të madhit Ernesto Sabato, por edhe për përjetimet e mia në ato mjedise të Grand Buenos Airesit, këtij metropoli gjigand, me një mënyrë jetese dhe kulturë, sa latinoamerikane aq edhe evropiane, mjedise ku jetojnë dhe veprojnë personazhet e këtij romani. Kam ecur në rrugët ku ecin personazhet e këtij romani, kam shëtitur në parqet ku shëtisin ata, kam pirë kafe në lokalet ku pinë kafe ata…

Me këtë rast po jap disa fragmente që flasin për origjinën dhe jetën e autorit: Në një intervistë të botuar në një revistë në Kalabri, para tridhjetë vjetësh, Sábatoja thotë: «Jam tepër krenar për çfarë unë kam prej shqiptari. Gjithmonë më është dukur e habitshme që një bir italiani, si unë, të ketë të tillë vetëdije për vdekjen». …

Ernesto Toçi, stërgjyshja e të cilit ishte kushërira e parë e gjyshes nga nëna e Ernesto Sábatos, është një nga mbrojtësit më të mirë të rrënjëve kulturore të komunitetit shqiptar. Për të treguar forcën shpirtërore të atij populli vital, ai tregon historinë e një profesori shqiptar të lindur në Kalabri, fëmijët e të cilit flisnin shumë mirë shqip, italisht, anglisht dhe frëngjisht. Aty nga fundi i viteve gjashtëdhjetë (shekullit XX) profesor Toçi jetonte në Paris, ku jepte kurse të gjuhës dhe letërsisë italiane.

Një mbrëmje, kur u kthye nga universiteti, dëgjoi që bijtë e tij bisedonin frëngjisht me njëri-tjetrin. Atëherë, mblodhi familjen dhe duke treguar derën e shtëpisë tha: «Kjo derë mbyllet jo vetëm për të mos hyrë qentë dhe furtunat, por edhe për të mos dalë prej këtej ajo çka na përket vetëm neve. Nën këtë çati do të flitet vetëm gjuha jonë shqipe. Kurrë mos harroni se jemi shqiptarë». …

Françesko Sábatoja, i ati i Ernestos, kishte lindur në brigjet e detit Tirren, ndërsa e shoqja, Xhiovana Ferraro, në San Martino di Finita, një fshat në Apenine, në rajonin Paola, ku katërqind vjet më parë qe strehuar si refugjat një komunitet shqiptar, i cili kishte ruajtur me xhelozi gjuhën dhe zakonet e veta. …. Ka mundësi që edhe e ëma e Ernestos, Xhiovana Ferraro, të ketë endur ndonjë çull me fije gjineshtre në pajën e saj.

Kjo grua fine, e fliste në mënyrë të përsosur shqipen, të vetmen gjuhë që kishte mësuar në fshat qysh në fëmijëri. Por në Argjentinë, ku duhet të quhej jo Xhiovana po Huana (Juana), me kohë nuk e foli dot më. I ati i Sábatos, përkundrazi, ishte një fshatar i kalabrez, i varfër nga ekonomia dhe edukimi, që nuk dinte gjë për paraardhësit dhe origjinën e tij çifute.

Tek «Abadoni, engjëlli i skëterrës» (Abaddón, el exterminador), romani i tretë i tij, Sábatoja tregon se, kur ai vetë ndodhej në Paris, kërkonte një gramatikë të shqipes. Shpesh për të përligjur temperamentin e vet, Sábatoja përmend fjalët e Gijom Apoliner (Guillaume Apollinaire) për popullin shqiptar: «Energji mbinjerëzore dhe prirje për vetëvrasje. Duket gjë e papajtueshme? Sipas meje, kjo është karakteristikë race». …

«Ne, fëmijëve, nëna, si pa dashje, na mësoi ca fjalë nga gjuha e fëmijërisë së saj. Unë di për shembull se bukë do të thotë pan, verë do të thotë vino, bir – hijo etj. Më vjen keq që nuk e mësova dot këtë gjuhë, sepse shqiptarët dhe historia e tyre në Itali më kanë magjepsur.» …

Huana Ferraro në rrëfimet e saj, të cilat ia mori e reja Matildë dhe i hodhi në ditarin e vet, kujtonte bashkëfshatarët e saj të Guardia Piemontezes dhe zakonet e tyre interesante. «Ditën zbrisnin poshtë për të punuar arat dhe për të mbledhur gështenja – tregon Matilda. – Por, me t’u errur ktheheshin në fshat dhe mbyllnin portën e murit. Në kujtimet e donja Huanës kishte fjalë të pakuptueshme, sigurisht, qenë shprehje idiomatike të ndonjë dialekti të Piemontes që u ruajtën shekuj pas mërgimit.» Shënim: Këto fragmente janë marrë nga libri «Sabato, njeriu» i shkrimtares argjentinase Hulia Konstelna (Julia Constelna, 1927). Përktheu: Bajram Karabolli

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Loading…

0

Asociacioni, shkatërruesi total i trurit të udhëheqësve serb !

Nën klithmat ogurzeza "allahu akbar" Sulltan Mehmeti II masakroi qindra mijëra shqiptarë!