Zanfiri me të ungjin Said Kryeziu
Shkruan: Gani Mehmetaj
Çka i shkruante Said Kryeziu, Samkes, gruas së vëllait të ndjerit Hasanit, në vitin 1951 nga Roma ku ishte në ekzil.
Avokati Zanfir Kryeziu, djali i Dervish Kryeziut, intelektualit të njohur nga Peja, këto ditë më ofroi një letër interesante dhe të papublikuar, ndërsa ështw shkruar para 70 vitesh. Letra është e Said Kryeziut, Sekretarit të përgjithshëm të Komitetit Kombëtar “Shqipëria e Lirë”, me rastin e vrasjes së nipit të tij Dervish Kryeziut në Pejë me 5 qershor 1951.
Said Kryeziu, disident, vepronte në ekzil kundër pushtetit të instaluar sllavo-komunist të Enver Hoxhën në Shqipëri. Saidi i kërkonte gruas së të vëllait të madh Hasanit të ndjerë, ( i vrarë mizorisht nga aradhet pushtuese serbo-malazeze me 1945 informata të sakta për autorësinë dhe motivet e vrasjes së nipit të tij Dervishit. Për nipin e sapo vrarë shkruante se ishte nderi i fisit, nderi i familjes, nderi i axhallarëve me të cilin ata krenoheshim për burrërinë, për trimërinë e tij, që si “sokolit s’iu trembë syni kurrë, kudo dhe përherë për t’i mbrojtur me thonj, me gjak dhe me shpirt axhallarët e vet”.
Ai dyshonte se veprimtaria e tij në Komitetin Kombëtar ”Shqipëria e Lirë”- si përfaqësues i Kosovës ishte shkaku i vetëm për vrasjen e Dervishit, në organizim të UDB-së Jugosllave dhe në ekzekutim të inspektorit të lartë të sigurimit të shtetit shqiptar, sepse donin të hakmerreshin për veprimtarin e tij politike në ekzil kundër regjimeve antipopullore në të dyja shteteve.
Për këtë shkak ai e fajëson vetën, sepse nuk ka mundur “t’i gjindet pranë për ta mbrojtur nipin e tij i cili në çdo kohë ishte i gatshëm që me trupin, me gjoksin, me jetën dhe shpirtin e tij për t”i mbrojtur xhaxhallarët”.
Letra publikohet për herë të parë pas 70 vitesh nga vrasja e Dervish Kryeziut dhe 18 vite pas vdekjes së Said Kryeziut në Nju Jork.
Said Kryeziu, Romë
19.08.1951
Via Sicilia,24
ROMA(ITALIA)
E dashtuna motër Samka,
Jam kthye me gëzimin ma të madh në Romë mbas një udhëtimi të gjatë, ma se tre muaj kam qenë jashtë. Gjatë kësaj kohe rrallë kam marr letra prej jush, mbasi një pjesë vinte këtu në Romë. Një nga shokët m’i dërgonte lajmet atje,mirëpo mezi që prisja me ardh vet dhe me i lexue vet letrat dhe me këtë nguti i hapa letrat që më pritshin sipër tavolinës. Nuk më shkonte mendja kurrë që në atë letër që ma kishe dërguar në Amerikë dhe e cila kishte ardhë para meje këtu në Romë, ku më lajmërojshe për fatkeqësi të reja të cilat nuk po prajnë, por vazhdojnë gjithnjë, duke na gjakosur zemrat dhe ma tepër duke na nxijë shpirtin dita ditës me humbje të tmerrshme dhe të pazëvëndësueshme, siç është rasti i fundit me vrasjen e të dashtunëve tonë si të Dervishit të paharueshëm. Ka qenë ky lajmë për mua mëse i tmershëm prej ditës që më ka ardhë nuk jam në vedi, nuk po më punon
as mendja as dora as trupi, lotët po më shkojnë si rrëke, pa me qenë i zoti me i ndalue, sikurse të kërkojshin me la krimin dhe njollat e tij për një të pafajshëm që i’a paskan shkurtue ditët e bukura të rinisë së tij, të Dervishit tim që ka qenë për mua ma shumë se nip e djalë i imi. Të atij Dervishi i cili në ditët më të këqija të jetës sime nuk mu nda kurrë por as atherë kur për shkakun tim luante me jetën e tij, dëshironte të më qëndronte afër meje me trupin, me jetën, me gjoksin dhe shpirtin e tij, për të më mbrojtur duke i dhënë të gjitha këto në rast nevoje, për mua, për axhen e tij të cilin e donte më shumë se vetën e tij, më shumë se shpirtin e tij. Dhe fati i zi deshti që unë mos të jem afër tij për ta mbrojtur siç dëshironte ai për të më mbrojtur mua. Mos t’i gjindem afër që edhe unë ta jap shpirtin tim së bashku me ate të tij, siç donte ai ta jepte për mua. Ndoshta gjoksi im i vjetër do ta kishte mbrojtur dhe shpëtuar atë të tij, të njom dhe plotë dëshirë për jetë të moshës së tij.
Të gjitha këto fatkeqësira i gjejnë të tjerët në vend se të më gjejnë mua, mos të shof më ditë të zeza. Zemra mu nxi dhe mu ba shkrum si qymyr i djegur. Sa me qejf do ta jepsha jetën time për atë të tij se mua s’fundi as nanë as vllëzër s’më kanë mbetur për të më qa si Dervishin jetëshkurt. O Myza e shkretë që shkum prej goje nxorri për ta rritë këtë djalë, Dervishin t’onë që ishte nderi i prindëve, nderi i familjes, nderi i axhallarëve me të cilin unë me vllëzër krenoheshim për burrënin e tij, për trimnin e tij që si skifter iu bënte hije dhe skifteravet të vërtetë, si sokolit s’iu trembë syni kurrë. Kudo dhe përherë na e nderoj fisin dhe emnin tonë me trimnit e t’ija në të gjitha shkrepat dhe mallet të vendit tonë të përgjakur. Oh, as nana e tij se ka dashtë siç e kam dashtë unë, as nana e tij se ka njoftë siç e kam njoftë unë, ka qenë një burim i pashtershëm bujarie, fisnikërie dhe dashunie për të vetët, me thonj, me gjak e me shpirt kërkonte me i mbrojtë axhallarët e vet. Oh se keni njoftë ju si unë në ditët e këqija, prandaj s’mund ta qani sa unë. S’mund të ju dhimbëset sa mua as ty moj Myz-o e shkret që ia dhe jetën por s’ia caktove fatin. Ndoshta juve ju ka dukur i egër sepse sytë e tij ia mbulonte gjami, por unë e kam pa në ditët e këqija kur ai gjam iu bënte pasqyrë e shpirtit të tij dhe nga ata sy rrjedhëte një mirësi e pakufishme dhe gati folshin duke thënë se unë jetoj vetëm për ju dhe kur zemra fletë zbulohet se sa e madhe është, ma e madhe se bota krejt ishte ajo e tij.
Rizës së shkretë ia paskan tha krahun, ia paskan shkrumue jeten. Vall i shkreti a e dinë se çka e paska gjetur. Dëshiroj që mosha e re e tij mos ta kuptoj si unë, se njeriu sa ma tepër kupton aqë me tepër vuan.
Por për Dervishin është pak me vuajt, po më duket se është kotë me jetue. Pa te sikurse jeta mos të kishte kuptim.
Samka e dashtun, po të them se më ka mbetur hatri shumë për mënyrën që ma dhatë lajmin pa asnjë shpjegim. Ti e di se të gjithë vëllezërit përveç Radit m’u vranë. Jam duke u bërë copë me mendjen time për të gjetur arsyen e vrasjes së tij dhe s’po e gjejë dot. Mos më shkruani veçse të vërtetën, ai që vret s’ka frikë, s’ka frikë as prej letrave t’uaja e as që unë dua ta di. Përse nuk e shkruani kushdo që të jetë prej jush, të më njoftoni në ndonjë mënyrë ma të kjartë.
Me errësina dhe në errësi jam duke jetue me vjet, deri kur kështu që mos të di se si i humbi të dashurit e mi. Nuk e dini se sa më ka detyrue mua Dervishi, nuk e kuptoni dhe s’mund ta kuptoni. Ai për mu ka qenë çdo gjë në këtë botë. Nuk e di
se çka ka qenë ma tepër ai për mua, vëlla apo nip apo shpirt.
Presë letër sa ma parë nga kushdo që të jetë, vetëm ta ketë të shkruar të vërtetën.
Letrën me fotografi e mora, nuk dita ta gëzoj. Mbeta me orë të tëra duke qa dhe me lotët e mia duke puthur fotografin e Gencit dhe të Zanfirit por s’po i rrej nipat e shkretë dhe jetima në vend të tyre puthësha tjetër kend. Kësaj radhe ata që nuk i shof ma kurrë. Nuk po zgjatëm ma tepër, nuk jam në gjendje ma me shkrue. Myzës nuk ma ba zemra ti shkruaj hala, ishalla zoti më jep forcë më vonë, nuk është se nuk dua, por s’kam fuqi, jam ba gjysmë njeri këto ditë. Qe sa kohë mezi se të shkruva edhe ty këtë letër,e prej se jam sipër maqinës duart nuk më punojnë më.
Ju puthi dhe ju përqafoj