Publikimi i raportit të Auditimit për pronat që i ka menaxhuar Agjencia Kosovare e Privatizimit, ka nxitur reagime kundër Zyrës Kombëtare të Auditimit. AKP i ka konstatuar disa të gjetura të ZKA-së. Por, Zyra e Auditorit nuk është tërhequr nga asnjë pikë. Auditorja i ka thënë RTK-së se të gjeturat në AKP janë shqetësuese.
E gjithçka nisi nga një kërkesë e Komisionit Parlamentar për Buxhet që Zyra Kombëtare e Auditimit ta hartojë një raport auditimi për të hyrat nga qiraja për menaxhimin e pronave, objekteve dhe aseteve të ndryshme të Agjencisë Kosovare të Privatizimit për një periudhë dhjetëvjeçare.
Kur doli raporti, AKP i kundërshtoi disa nga të gjeturat e auditorit. Por, Zyra Kombëtare e Auditorit nuk u tërhoq nga asnjë pikë.
“Vetë fakti se në periudhën e AKM-së janë inkasuar vetëm 1.76 milionë euro, ndërsa në periudhën e AKP-së janë inkasuar 50.7 milionë euro, tregojnë që AKP ka administruar me asetet e Ndërmarrjeve Shoqërore duke ruajtur dhe rritur vlerën e tyre me anë të qiradhënies. Andaj, këto të dhëna demantojnë deklarimet publike në medie të ZKA-së se në AKP ka mungesë totale të kontrollit të qirave”, thuhet në përgjigjen e AKP-së, për RTK-në.
Në anën tjetër në kundërpërgjigjet Zyra Kombëtare e Auditorit.
“Auditimi i të hyrave nga qiraja në AKP për periudhën 2012-2021 është kryer në përputhje të plotë me Standardet dhe udhëzuesit për Auditimin e Pajtueshmërisë, të cilat janë esenciale për kredibilitetin, cilësinë dhe transparencën në auditimin e sektorit publik. Prandaj, konsideron se deklarimet e AKP-së janë të paqëndrueshme”, thuhet në kundërpërgjigjen e Zyrës Kombëtare të Auditorit.
Mirëpo në anën tjetër AKP nuk e pranon edhe një konkluzion tjetër.
“ZKA gjatë këtij procesi ka audituar rreth 200 kontrata të qiradhënies, prej të cilave i ka nxjerrë 14 të gjetura, të 24 kontratave apo 12% të mostrave, e jo 41% të mostrave siç deklaron Auditorja e Përgjithshme në konferencat për media”, thuhet në përgjigjen e AKP-së.
Po ashtu zyra e Auditorit jep një tjetër përgjigje.
“Duam ta vëmë në pah se gjatë procesit të auditimit për të hyrat nga qiraja në AKP, ekipi i auditimit ka testuar 53 mostra që përfaqësojnë qiramarrësit të cilat përfshijnë 290 kontrata. Nga testimi i këtyre 53 mostrave, ZKA-ja ka identifikuar dobësi në 22 mostra e që në përqindje është 41.5% të mostrave”, vlerëson zyra e Auditorti.
Por, cilat janë të gjeturat e auditorit. Rasti i parë ka të bëjë me një tokë të dhënë me qira për shfrytëzim afarist e cilat përdoret edhe për eksploatim të gurit gëlqeror.
“AKP më 25.08.2016 përmes negocimit direkt e kishte dhënë me qira tokën afariste (ngastra kadastrale nr.154) të NSh Zhupa Reqanë – Prizren me sipërfaqe prej 5.486 hektar me çmim prej 100€ për hektar për një vit apo 54,864m2 me 0.01€/m2 (5.4864*100=548.6€). Procedura e negocimit direkt ishte aplikuar pasi që ky qiramarrës ka qenë duke e shfrytëzuar në mënyrë ilegale që nga viti 2005 këtë parcelë”.
Rasti tjetër ka të bëjë me një kontratë me qira që AKP e lidh me një aktivitet afarist, por pas ekzaminimit të pronës disa vjet më vonë vërehet se lokali i është dhënë një tjetër biznesi.
“AKP më 06.02.2016 kishte lidhur kontratë për dhënien me qira të lokalit të NSh Fabrika e Birrës në sipërfaqe 69m2 me çmim mujor 170€. Kontraktimi me qiramarrësin ishte bërë përmes negocimit direkt. Gjatë ekzaminimit fizik me 06.10.2022 kemi vërejtur se lokali ishte duke u shfrytëzuar nga një biznes tjetër, i cili nuk kishte kontratë me AKP-në”.
Në një tjetër rast, auditori gjen se ka keq-menaxhim me sipërfaqet e pronave të lëshuara me qira. Këtë rast e sqaron vet auditorja e Përgjithshme.
“Te rasti i ndërmarrjes Grand Hotel është dhënë me qira nga viti 2013 dhe një raport me matjen gjeodezike janë edhe 1500 metra të pashfrytëzuara edhe gjysmë milioni euro”, tha Vlora Spanca, auditore e Përgjithshme.
“AKP më 08.06.2015 e kishte dhënë me qira hapësirën afariste për kafiteri/restaurant pronën e N.Sh Grand Hotel në Prishtinë me sipërfaqe prej 377m2 me çmim mujor prej 3,835€, përmes shpalljes publike të qiradhënies. Kontrata për këtë lokal ishte vazhduar ndër vite me kushte të njëjta deri në vitin 2022. Mirëpo pas matjeve gjeodozike ishte kërkuar ndryshimin e kushteve kontraktuale, me ç’rast ishte kontraktuar sipërfaqja prej 505.64m2 me çmim mujor 4,623€. Nëse krahasojmë sipërfaqet e kontraktuara në vitin 2015 ishin 402m2 me ato të kontraktuara në vitin 2022 me 505.6m2 me një diferencë prej më shumë se 103.6m2”.
Zyrtarët e AKP-së nuk kanë pranuar të flasin për RTK-në për të gjeturat e auditorit. Por, auditorja e Përgjithshme, Vlora Spanca thotë se të gjeturat janë shqetësuese.
“Ajo çka ka ndodhur është se është legalizuar uzuripimi dhe shfrytëzimi i paligjshëm,i pronave dhe aseteve dhe ne këtë mënyrë e ka stimuluar uzurpimin e pronave dhe aseteve nga subjektet afariste dhe pastaj te hyje në negocimi të çmimeve drejtpërdrejtë me uzurpatorët”, tha Vlora Spanca, auditore e Përgjithshme.
AKP i shkruan Zyrës së Auditorit se mbetet e përkushtuar në adresimin e rekomandimeve në të gjitha ato raste që lejojnë dispozitat ligjore.
Visar Krasniqi / RTK