in

Dy shqiptarë garojnë për kryetar në zgjedhjet lokale në Mitrovicën e Veriut

Erden Artiqi dhe Florent Azemi janë dy kandidatët shqiptarë që do të garojnë për të parin e Mitrovicës së Veriut.

Kandidati i Vetëvendosjes, Erden Artiqi, i ka hyrë kësaj gare me qëllimin e vetëm për fitore. Por, aktivitetet e tij parafushatës nuk janë duke shkuar edhe aq mirë.

Artiqi ka rrëfyer për Gazetën Express se pandemia dhe sistemi zgjedhor janë dy probleme të cilat po i shkaktojnë vështirësi atij gjatë aktiviteteve para fushatës.

“Për momentin fushata është duke shkuar mirë përveç problemit me pandeminë. Po mundohemi që fushatën ta bëjmë konform rregullores që e ka përpiluar Ministria e Shëndetësisë. Problemi tjetër është kufizimi i numrit të komisionarëve dhe vëzhguesve që po mundohen ta imponojnë te të gjitha subjektet politike që janë në garë, por po presim përgjigje prej KQZ-së për këtë problem”, ka thënë ai.

Artiqi thotë se nuk kanë probleme në komunën me shumicë serbe.

“Jo nuk kemi pasur kërcënime në mënyrë direkte dhe nuk kemi pasur as shantazhe në aspektin e sigurisë, pra nuk kemi pasur ndonjë shqetësim”, ka deklaruar kandidati i VV-së.

Për vështirësitë në fushatë si shkak i pandemisë, ka folur edhe kandidati i PDK-së, Florent Azemi, i cili tha se kujdesi duhet të jetë i shtuar.

“Çështja më e rëndësishme është që këto zgjedhje të jenë të lira dhe demokratike. Duhet t’i marrim parasysh rekomandimet e institucioneve relevante dhe duhet që të kemi më shumë kujdes”, ka thënë ai për Gazetën Express.

Edhe kandidati i PDK-së për zgjedhjet në Mitrovicën e Veriut, tha se situata më nuk është njësoj si pas luftës ku presioni nga ana e Serbisë ishte i madh.

“Unë kryesisht fushatën e bëj në ato lagje që janë të banuara me komunitete të përziera dhe nuk kam hasur në ndonjë telash dhe mundem me thënë që për 20 vjet qysh nga lufta sa kanë kaluar deri më tani ne kemi kaluar në shumë, vështirësi qysh nga zgjedhjet e para por tani për mua kjo është një gjë normale dhe situata në këto zgjedhje është më relaksuar. Më nuk po ka si përpara rreziqe. Megjithatë, janë institucionet e tjera që merren me këtë aspekt”, ka thënë ai.

Zgjedhjet e jashtëzakonshme në Podujevë dhe në Mitrovicën e Veriut do të mbahen më 29 nëntor 2020.

Në Mitrovicën e Veriut, kandidati i Vetëvendosjes, Erden Atiq, do të ketë numrin 121, Dusan Milunovic, kandidat i pavarur do të ketë numrin 122, Milan Radojevic nga Lista Serbe do të ketë numrin 123 dhe Florent Azemi nga PDK-ja do të ketë numrin 124. Kjo komunë mbeti pa kryetar kur Goran Rakiq erdhi në pozitën e zëvendëskryeministrit në Qeverinë “Hoti”.

Në Mitrovicën e Veriut të drejtë vote kanë 23 mijë e 180 votues, shumicë në këtë komunë janë serbët.

Lini një Përgjigje

16 raste të vdekjes e 690 pacientë pozitivë me COVID-19 gjatë 24 orëve të fundit

Aksident trafiku në rrugën Gjilan-Prishtinë, krijohen kolona