in

Dy libra, të dy dashamirëve të – l i b r i t!

Nga Bajram Sefaj 

Këtyre ditëve,  (fundshtator, fillimtetor, ky vit), me kënaqësi e, pse jo, me thera në fyt!, lexova dy libra, të dy autorëve shqiptarë: të Naser I. Dërmaku, i syrgjynosur në dhé të huaj, dhe të ndjerit, kolonel Ahmet Krasniqi, i burgosur, po ashtu në dhé të huaj . Dy libra, të dy të syrgjynosurve, lirisht mund të merrnin emër (titull) të përbashkët. Si të tillë, pa i mohuar, për asnjë çast, vlerat tjera të tyre, këta dy libra, gjenden ngatë a ngatë e, përnjëherësh,  hyjnë në kornizën e përbashkët të  kronike mbresash, nga leximet e mia të radhës.

*

Sqarime paraprake: Në saje të mirësisë se pronarit të shtypshkronjës “Drita press”, zotit Naser Vitija, nga Prishtina, libri i Naser I. Dërmakkut, me bie në dorë, shumë përpara se vetë autorit. Ky botues i vyer e bën këtë gjest bamirësie, për shkak se, urgjentisht duhej të udhëtoja për në Francë, e, si një i syrgjynosur që jam, digjesha nga meraku që “bashkudhëtar” ta kem librin “Skutave të jetës” (Të një mërgimtari!). Ashtu edhe ndodhi. Librin e Naser I. Dërmakut,  lexova të parin.

*

Në rrëfim të këtij shënim (rasti), nuk ndjek radhën e leximit, jo! “Lashtësinë” e botimit, po! Dy vjet  më parë, ose saktësisht, në vitin 2019, nga ana e shtëpisë botuese prestigjioze “Faik Konica” e Prishtinës, ka parë dritën e botimit libri “Shtatëmbëdhjetë shtatori” (ditar burgu) – Ahmet Krasniqi, punë e vyer e dy miqve të tij besnikë, Shkënder Zogaj dhe Fahredin Spahija.  Deri sa i pari, përgatiti për botim tekstin e këtij ditari, i dyti, u përkujdes për pamjen estetike të tij, duke sajuar dhe, grafikisht dhe artistikisht, realizuar ballinën e librit dhe radhitjen e tekstit. Ndërkohë që, libri i Naser I. Dërmakut është botuar në fillim të muajit shtator të këtij viti, nga ana e Sh. B. ”Drita press”, që bën hapa të sigurt drejt afirmimit si botues serioz dhe të besueshëm!

*

Vajtën, paksa gjatë, këto sqarime dhe, për aq, brejtën hapësirë e shtrirjes se këtij shënimi rasti e çasti. Por kjo nuk prish punë aspak nga se kallëzimi, në vijim, mbi këta dy autorë që, sikurse që fillim sqarohet, pos që, i lidhë indi i përbashkët i dashurisë ndaj librit dhe  etjes për lexim, e përbashkëta tjetër e tyre është, që të dytë, janë të syrgjynosur. Kolonel Amet Krasniqi, në vende e vise të ndryshme të ish Jugosllavisë, (zëri i shterte krejt, mos iu dëgjoftë kurrë më!), saktësisht në kazermat e APJ, respektivisht në burgjet famëkeqe të tyre. Ndërkaq i dyti, Naser I. Dërmaku, i ri fare, djaloshar gjashtë shtatëmbëdhjetë vjeçar, me lak rreth qafe, mori rrugën e gjatë (si të pa kthim!), të mërgimtarit, drejtë Evropës së madhe, e të pashpirt.

Mos të harroimë, për asnjë çast se, megjithatë, thelbi i “ngjashmërisë” midis këtyre dy autorëve që, krejtësisht rastësisht e, (spontanisht) u gjenden baskë dhe, u rrokën në një vështrim të përbashkët,  është dashuria ndaj librit, letërsisë në përgjithësi dhe, etja e tyre pasiononte për lexim, kur, mjerisht nuk është dukuri aq e shpeshtë midis bashkëkombëseve tanë të kudondodhur!

Derisa kolonel Ahmet Krasniqi, me pedanterinë e ushtarak që ishte, në faqen 231, përmbyllëse të ditarit të tij, shfaq regjistrin prej  22 librave të lexuar, me shënimin se: “Në burg  i burgosur s’mund t’i zgjedhë titujt e librave që i dëshiron, por vetëm ata  libra që ia lejojnë!”.

Hiç  autorët e imponuar jugosllav, në mesin e atyre 22 titujve  të librave të lexuar, nga  ana e të burgosurit, Ahmet Krasniqit, figurojnë edhe emra të njohur të autorëve ne famë botërore, sikurse janë Stefan Cvajg, Irving  Wallase, Xhek London e të tjerë. Nga autore juosllav, A. Krasniqi veçon emrat e këtyre autorëve: Radoje Domanoviq, Dobrica Qosiq, Millosh Cërnjanski, Ivo Andriq, August Shenoa dhe ndonjë tjetër. Boll, madje tepër, për të mirë e, për të keq, bardh e zi! Eh, në lexime e tij, Ahmeti ynë, sikur të shoqërohej për në çik edhe me veprën letrare të shkrimtarit e dramaturgut të njohur gjerman, Bertolt Breht (1898-1956), do të ndeshej edhe me këtë reflektim të tij, që krejt rastësisht, me piku ndërmend: “Ai që rri në shtëpi kur fillon lufta…”, me të cilën arrinte në përfundim:  “ai le të ketë mendjen, sepse kush nuk e ndanë luftën  me shokët, me armikun do të ndajë disfatën”.

(Ika, në dhomën e pritjes, të ndjek vazhdimin e dytë të emisionit dokumentar, ”Dosje të hapura” të Televizionit shqiptar(TVSH 1/hd,  që i kushtohet vrasjes “misterioze” të Amet Krasniqit, në të cilin emision, pos shumë e shumë tjerëve, si dëshmitar të asaj kohe të vrugtë,  vend të rëndësishëm zinte edhe z. Skënder  Zogaj, i cili përgatiti për shtyp ditarin e burgut me titull “Shtatëmbëdhjetë  shtatori”, të Ahmet Krasniqit. Mjerisht, as ky emision e, si duket, as shumë të tjerë pas tij, nuk do të arrijnë të mbyllin “Dosjen e hapur”, të davarisnin mjegullat e “mistershme” e, më në fund,  të del në shesh e vërteta: cila ishte ajo dorë e zezë, mercenare dhe,  gjithsesi tinëzare, që e vrau, kolonel Ahmet Krasniqin!).

*

Ndërkaq, syrgjynosja e autorit tonë tjetër, rrokë kohë më të gjatë. (ai edhe sot është atje në atë Gjermani të lartë e më mjegulla të murrme shumë, të dendura), prandaj, kolana e librave të lexuar nga ai, është shumë e gjatë dhe gjithëpërfshirëse, mund te quhet edhe kështu. “Naser Dërmaku është i lexuar, e do librin dhe librin e do jo për ta vënë si dekoracion në dollapët e dhomës, siç bëjnë shpesh ca snobë, por ai librin e ka konsum kulturor, dituror dhe shkencor, për pasurim shpirtëror dhe ngritje kulturore, por edhe s një ngushëllim që një mërgimtari i mungon atdheu, ndaj edhe leximi i ndihmon që ta përplotësojë atë. (…) Autorët  e tij të preferuar janë Stefan Cvajg, Paulo Cohelo, Amos Oz, Sigmund Frojd, Ismail Kadare, Rexhep Qosja, Dritëro Agolli,Ali Podrimja, e të tjerë, me veprat e të cilëve  ka ndarë orë të gjata leximi…

Pajtohem, gjithandej pajtohem, me atë që thotë recensuesi i këtij libri, z. Mr. sc. Sylejman Salihu, veç mund të shtoj se,  Naser I. Dermaku, është një dashamirë i thekur i librit dhe i leximit. Kjo prije, kjo dashuri ndaj leximit dhe librave, Naserin tonë, shumëherë e çuan në Panairin e përvitshëm të  librit, me reputacion të lartë botëror, në qytetin e Ljapcigut. Dikur, jo shumë moti, kur Kosova ziente nën peshën e rëndë të okupacionit serb, e sidomos përgjatë kohës së luftës, Panairi i librit në Lajpcig të Gjermanisë e, deri diku, edhe Salloni i librit në Gjenevë të Zvicrës, ishin  të vetmet shtigje që u mundësonin, të syrgjynosurit shqiptarë, si puna e Naserit, të furnizoheshin me libra te ri letrarë e të tjerë, botuar në Kosovë e në Shqipëri. Por jo vetëm këtë panair, Naseri frekuentonte dhe “panagjyre” tjerë dhe ekspozita të lbrit, kudo që shfaqeshin ato. Sidomos pa çlirimit të vonuar të Kosovës kjo punë u lehtësua dhe u intensifikua. Prandaj, detyrimisht, regjistrit të librave që i shënoi recensuesi z. Sylejman, duhet shtuar e plotësuar edhe shumë shkrimtarë shqiptarë, nga Kosova dhe Shqiperia, sidomos. Duke mos harruar për asnjë çast mendjeje nobelistin turk, Orhan Pamuk që, sikurse edhe shumë lexues të tjerë, anë e manë botës, Naseri e ka fort për zemrës,  në faqen 138 të librit të tij, me dorë të  vet, shënon edhe këtë: ”Vijova me një trend të vrullshëm, me librat e Kadaresë “Kush e solli Doruntinën” dhe “Emblema e dikurshme”, pastaj me “Vrapuesja e Prizrenit”, Musa Ramadanit,”Treni me murtajë”, Ramadan Haziri -(libër fantastik, këtë shkrimtar dhe veprimtar, e njoha në Tiranë dhe vijuam miqësinë në Kosovë e gjetiu, mjerisht ky nuk është më në jetë). Nga publicistika u kënaqa me “Gazetaria  ime”, Bajram Sefaj, (i cili trajton me trajton si Fidel/Besnik i veprave të tij), tutje me tërhoqën librat, si: “Shkulësit e përjetshëm”, Arif Demolli, “Kur dashuronte Siami”, Marsel Prust, “Ditë të qeta në Klishi”, Henri Miller dhe “Para agimit”, Shefqet Musaraj… (Që do të thotë se, ky Naseri ynë, është krejt i “tretur dhe i mbështjellë me fletë letrash”, të botës e letrare!).

—————-

 

Lini një Përgjigje

"Austria është më e rëndësishme për mua sesa personaliteti im"

Zbulohet skandali: Në tenderin e tunelit të Llogorasë ministria shqiptare shpall fituese kompaninë turke me 12 milion dollarë më shumë se sa oferta më e mirë!