Ekspertët thonë se dronët vetëvrasës të prodhuar nga Irani, të cilët po përdoren në luftën në Ukrainë, janë një shenjë se stoku i armatimit vendas të Rusisë mund të jetë varfëruar.
Imazhet dramatike të “dronëve kamikazë” duke u përplasur në qendër të Kievit, më 17 tetor, diskredituan fuqishëm mohimet e Teheranit se po furnizon me armatim luftën e Rusisë në Ukrainë.
Fotografitë treguan pamjet e dronëve Shahed-136, të cilët Rusia i ka riemërtuar si Geran-2 (Geranium-2).
Droni është i aftë të fluturojë qindra kilometra, me ndihmën e një motori të zhurmshëm, përpara se të shpërthejë në një objektiv, me saktësi relative.
Përdorimi i dronëve në Ukrainë u konfirmua për herë të parë në gusht, por breshëria e kësaj jave, kur u vranë disa civilë, mori vëmendjen e publikut.
Michael J. Boyle, profesor në Universitetin Rutgers dhe autor i një libri mbi luftën me dronë, i tha Radios Evropa e Lirë se shfaqja e dronëve si një armë kryesore kundër Ukrainës, mund të tregojë pakësimin e rezervave të Rusisë me raketa.
“Riemërtimi i dronëve Shahed nga Rusia është bërë pjesërisht për të mbuluar shkallën e varësisë së saj nga dronët iranianë – diçka që, duke pasur parasysh historinë e Rusisë si eksportuese e mbrojtjes, është e turpshme”, tha Boyle.
Eksperti i dronëve ushtarakë shtoi se mohimet publike të Teheranit për përdorimin e dronëve iranianë në Ukrainë, mund të jenë rezultat i “shqetësimeve të Rusisë për këtë situatë”.