Në vjeshtën e vitit 1621, pelegrinët festuan të korrat e para të suksesshme duke qëlluar me pushkë dhe topa në Plimuth të shtetit Masaçusets. Zhurma e armëve alarmoi banorët autoktonë, paraardhës të fisit të sotëm Uampanoag, të cilët shkuan për të parë se ç’kishte ndodhur.
Në këtë mënyrë, vendasit u bënë të pranishëm në festën e parë të Falenderimeve, thotë Ramona Peters, zyrtare e muzeut historik të Fisit Mashpee Uampanoag, e cila aludon se pikturat që përcjellin një moment festimesh ku amerikanët vendas janë ulur para një tryeze me ushqime të bollshme dhe në harmoni me të sapo-ardhurit nga Evropa, janë në thelb një gënjeshtër.
“Burrat e fisit Uampanoag, nuk ishin të sigurtë nëse ajo që u ishte thënë ishte në fakt e vërtetë, kështu që qëndruan aty për disa ditë. Ata ngritën çadra jashtë,” thotë Ramona Peters. “Pra, pati shumë tension, megjithë këta burra, luftëtarë, që ishin pranë, në pyll”.
Ndërsa fisi Uampanoag mund të ketë ndarë ushqime me pelegrinët gjatë asaj mbrëmjeje, ata gjithashtu ishin në gjueti për ushqim.
Sipas ekspertëve në plantacionin Plimuth, ushqimet që u shtruan në darkën e parë të Falenderimeve ishin ndryshe nga gjeli i detit, patatet e skuqura dhe misrat e zierë, gatimet e njohura sot si trandicionale të kësaj feste.
“Ne dimë se kishte plot gjela të egër në Koloninë e Plimuthit, por nuk dimë me siguri nëse u shërbyen në atë darkë”, thotë përmes emailit për Zërin e Amerikës, Kate Sheehan e Plantacionit Plimuth. “Megjithatë, ka shumë mundësi që kjo të ketë ndodhur. Kishte edhe ushqime të tjera si midhje, peshq e ngjala”, thotë ajo.