Ministrja e Punëve të Jashtme dhe e Diasporës e Kosovës, Meliza Haradinaj-Stublla, ka shkruar në Facebook se është e impresionuar me punën që ka bërë artistja e dy rekordeve Guinness, znj.Arbnore Fejza-Idrizi, bashkë me nxënës vullnetarë nga Skenderaj, që realizuan Mozaikun më të Madh me Origami në Botë, Flamurin e dashur të Republikës sonë.
“Kënaqësi të shoh sot pamjen mahnitëse të flamurit tonë me të cilin synohet të thyhet edhe një rekord tjetër botëror.
Artistja e dy rekordeve Guinness, znj.Arbnore Fejza-Idrizi bashkë me nxënës vullnetarë nga Skënderaj, kanë realizuar Mozaikun më të Madh me Origami në Botë, Flamurin e dashur të Republikës sonë, duke vendosur me mjeshtëri të rrallë 127,400 letra origami.
Përkushtimi i secilit prej nesh në ngritjen e imazhit të Kosovës, do ta bëjë shtetin tonë edhe më krenar përkrah vendeve demokratike të botës, të cilave trembëdhjetë vite më parë iu bashkua edhe Republika e Kosovës”, është shprehur ministrja Haradinaj-Stublla.


