in , ,

Dhuna e policisë për mosmbajtje të maskave: Në Francë skandal, në Kosovë asgjë

Është hera e dytë mbrenda javës që shfaqen imazhe të policisë duke ushtruar dhunë ndaj qytetarëve. Rasti ka ndodhur në Francë. Është e kuptueshme nëse keni menduar se bëhet fjalë për Kosovë, sepse akte dhunë pothuajse identike kanë ngjarë edhe këtu në kohët e fundit.Por fatkeqësisht ngjasimi përfundon aty. 

Në Francë ky akt dhune është bërë skandal me përmasa kombëtare. Përveç mediave që raportojnë dhe i komentojnë me mllef këto akte, edhe prokurorë, ministra e deputetë janë hedhur në veprim. Në Kosovë, së fundmi pamë rreth katër policë që rrihnin një qytetar të shtrirë përtokë, por askush nuk u suspendua. E gjitha mbeti edhe një akt dhune nga policia shqiptare e Kosovës që kalon pa pasoja për ta.

Disa media shkruajnë, ca gazetarë bëjnë raporte, postimet marrin shume pëlqime, e shumë komente plot mllef, por gjithçka mbaron aty. Mund të mendoni se kjo dhunë askujt nuk i intereson, por do të mashtroheshit. Hidhërimin e thellë që shkakton kjo dhunë tek qytetarët mund ta shihni vetëm poqëse vendosni t’i lexoni komentet në Facebook, përfundi videove ku shihen policët kosovarë duke rrahur bashkëqytetarët e tyre.

E pse të mos ketë mllef kur, me shumë të drejtë, është shpresuar që dhuna policore pas luftës së fundit do të mbetet vetëm një kujtim i trishtë. Nuk mund të thuash se të gjithë policët janë bisha të dhunës, ka edhe nga ata që janë të sjellshëm dhe të edukuar.

Por është e natyrshme që tek popujt e përvuajtur dhe të okupuar, shpesh individët më të kalbur të shoqërisë zgjedhin që të bëhen pjesëtar të Policisë së Kosovës, pikërisht për shkak të pushtetit me të cilin i vesh uniforma.

Të veshur me këtë petk, që deri vonë e mbante polici serb dhe të cilit i frikësoheshin i madh e i vogël, policët e dhunshëm do të bëhen edhe më të këqinjë sesa shtypësi i tyre. Kjo dekadencë, ashtu sikurse edhe korrupsioni, mund të kontrollohen dhe zbuten vetëm nëse krimet e këtyre policëve të dhunshëm ndëshkohen. Nëse ata rrahin qytetarë e kalojnë pa asnjë dënim, është mëse e natyrshme që edhe kolegët e tyre të përdorin të njejtën metodë për zgjidhjen e “problemeve”.

Mahatma Gandhi vuri re me mjaft mprehtësi se “madhështia e një kombi dhe përparimi i tij moral mund të gjykohen nga mënyra se si trajtohen kafshët në këtë shoqëri”. Tek ne ende nuk është bërë as edhe një arrestim për keqtrajtim kafshësh, por kjo është temë tjetër me dhimbje të tjera. Çka pasqyron një shoqri nëse njerëzit trajtohen çnjerëzisht nga ata të cilët supozohet se duhet ti mbajnë të sigurtë?

Policia e Kosovës nëse nuk e ka humbur besimin deri më tash tek popullata civile, rrezikon që ta bëjë atë shumë shpejt. Nëse prokurorë, politikanë e udhëheqës të policisë nuk e shohin dhunën si gangrenë të të gjithë institucionit, Kosova zor se mund të numërohet si njëri nga shtetet e civilizuara të Evropës.Sa për ilustruar dallimin në mes Francës e Kosovës (nuk po flasim për SHBA-të ku dhuna policore shkaktoi trazira të përgjithshme), mjafton java e fundit që shënoi dy incidente të tilla atje.  Imazhe të dhunës së policisë në Francë, dy herë mbrenda javës, kanë shkaktuar një valë zemërimi tek e gjithë popullatën.

Prokurori publik i Parisit hapi një hetim të enjten kundër oficerëve të policisë që goditën dhe shkelmuan një të zi sepse ai nuk kishte vendosur maskën për mbrojtje nga kovid-19.E gjithë ngjarja u përcoll nga një kamerë mbikëqyrëse. Aty shihet se si tre policët i grumbullohen këtij të riu në studion e tij dhe fillojnë ta rrahin me goditje, shkelma e pendrekë.

Mikel që është producent i muzikës, u rrah të shtunën e kaluar në Paris.Në raportin e policisë thuhet se ata kishin këshilluar një burrë të quajtur “Michel” sepse ai nuk kishte vendosur maskë ashtu siç kërkohet aktualisht. “Kur u përpoqëm ta mbanim, ai na tërhoqi me forcë në ndërtesë”, tha raporti. Xhirimi i publikuar nga revista “Loopsider” të enjten tregon gjithashtu se si burra të tjerë nxitojnë për t’i ndihmuar Mikelit dhe e detyrojnë policinë të largohet nga studioja. Më pas oficerët hedhin një granatë me gaz lotsjellës përmes derës dhe rrëzojnë “Mikel-in” përtokë me armë në duar siç shihet në video të telefonave celular të banorëve përreth.

Të tre oficerët u pezulluan, sipas informacionit nga agjencia e lajmeve AFP. Ministri i Brendshëm i Francës Gérald Darmanin, i “tronditur” i kishte shkruar prefektit të Policisë së Parisit Didier Lallement duke i kërkuar këtij të fundit që t’i pezullonte policët.  Valmir Mehmetaj 

Lini një Përgjigje

Supa turke me mbishkrim serbisht

Hoti i quan spekulime dhe të pavërteta lajmet për dorëheqje