Mjekët amerikanë dhe italianë po operojnë fëmijët kosovarë që kanë probleme të lindura të zemrës. Këtë aksion e organizon Gift of Life me Klubin Rotarian “Dardania” Prishtinë, në bashkëpunim me Gift of Life internacional.
Ekip i kardiokirurgëve bashkë me kardiokirurgë të Qendrës Klinike Universitare të Kosovës, gjatë qëndrimit të tyre njëjavor në Kosovë planifikojnë të kryejnë 31 ndërhyrje, prej tyre 11 operime të hapura dhe 20 ndërhyrje me kateterizmin kardiak.
Dhjetëra fëmijë që kanë probleme të lindura të zemrës janë duke u operuar në QKUK. Intervenimet po kryhen në bazë të një misioni vullnetarë nga ekipi i mjekëve amerikan dhe Italian që në Kosovë erdhën me të gjitha pajisjet dhe stafin e nevojshëm.
Më të lumtur për këto shërbime janë prindërit, fëmijët e të cilëve kanë nevojë për këto intervenime. Ekipet e mjekëve italianë dhe amerikanë vijnë për të disatën herë në Kosovë për të operuar fëmijët kosovarë që kanë keqformime të lindura të zemrës.