Ethet, kollitja dhe mbingarkesa e sjellë nga COVID-19 janë vetëm fillimi për shumë pacientë. Qendrat për Kontrollin e Sëmundjeve (CDC) ka shtuar edhe simptoma të shëndetit mendor në këtë listë. Depresioni, ankthi, mjegulla e trurit dhe infeksione që prekin trurin renditen si efektet afatgjata të COVID-19.
Njerëzit po ballafaqohen me shumë efekte të tjera pas kalimit të sëmundjes fillestare. Dihet se kovid 19 prek edhe sistemin nervor, megjithatë shkencëtarët nuk janë të sigurt se deri në çfarë mase shkon ndikimi i tij.
Shumë pacientë raportojnë probleme me përqendrimin dhe kujtesën, ndonjëherë të referuara si “mjegulla e trurit”. Disa thonë se harrojnë atë që po përpiqen të thonë ose të bëjnë. Neurologët që shohin pacientë të tillë thonë se problemet kognitive janë ndër simptomat më të zakonshme.
Disa neurologë thonë se po shohin pacientë me shenja të disautonomisë, ose çrregullimit të sistemit nervor autonom. Sistemi nervor autonom rregullon funksionet e pavullnetshme të tilla si frymëmarrja, tretja dhe rrahjet e zemrës.
Gjashtë muaj pasi u sëmur me Covid-19, Jennica Harris, 33 vjeçare, tha se ndjehej e lodhur vazhdimisht dhe kishte probleme me kujtesën e përqendrimin. Ajo has në vështirësi për të gjetur fjalë të thjeshta gjatë bisedave, shpesh humbet fillin e mendimeve të saj dhe ka filluar të belbëzoj. “Unë zakonisht e di se çfarë dua të them e kur dua ta them, dhe nuk është se vetpërmbahem”, tha ajo. “Kur përpiqem të argumentoj apo të them atë çfarë desha dhe nuk mundem, më dëmtohet vetbesimi dhe ndjenja ime e vetvetes.”

Konstelacioni i simptomave të tilla neurologjike, së bashku me lodhjen e vazhdueshme, dhimbjen e kyçeve dhe dhimbjen e kokës, i ngjan encefalomelitit mialgjik, i njohur gjithashtu si sindromi i lodhjes kronike, tha Anthony Komaroff, një profesor i mjekësisë në Shkollën Mjekësore të Harvardit i cili ka studiuar sindromën për dekada. Gjendja mund të ndjekë disa infeksione virale dhe bakteriale, tha ai. Ai mendon se gjendja ka të ngjarë të ndjekë edhe Covid-19, të paktën në një pjesë të pacientëve. Një studim i vitit 2009 me mbi 233 të mbijetuar të virusit SARS zbuloi se 27 përqind plotësonin kriteret për sindromën e lodhjes kronike katër vjet pasi u sëmurën.
Ende nuk dihet nëse koronavirusi i ri futet në tru vetë, apo simptomat neurologjike të Covid-19 burojnë nga një reagim inflamator në të gjithë trupin, thonë shkencëtarët.
Në autopsitë e disa pacientëve me Covid-19, mjekët kanë vërejtur encefalit, ose inflamacion të trurit. Studimet të vogla të autopsisë gjithashtu kanë gjetur prova paraprake të grimcave të koronavirusit në rajone të trurit të rëndësishme për nuhatjen. Ajo që është më e zakonshme është që virusi infekton enët e gjakut, duke shkaktuar dëme dhe inflamacion që nga ana tjetër ndikon në tru.David Putrino, drejtori i inovacionit të rehabilitimit në Sistemin Shëndetësor Mount Sinai në New York City, tha se shumica e më shumë se 300 pacientëve me Kovid 19 që po shihen në Qendrën e saj për Kujdesin Post-Covid duket se kanë zhvilluar një gjendje të ngjashme me disautonominë. Rreth 90% e pacientëve të tillë raportojnë se kanë simptoma të intolerancës në ushtrime fizike, lodhje dhe rrahje të ngritura të zemrës. Rreth 40% deri 50% raportojnë gjithashtu simptoma të tilla si dhimbje koke, gulçim e probleme gastrointestinale, .
Sa kohë do të duhet që pacientët me Covid 19 të rikuperohen mbetet e panjohur. Sipas Dr. Putrino shumica e tyre nuk do të bëhen më mirë vetë dhe do të duhet të paktën gjashtë muaj rehabilitim të strukturuar.

Drejtori i Shëndetit të Sjelljes së Sparrow, Timothy Davis tha se përveç mjegullës së trurit, edhe depresioni dhe ankthi po rriten si një efekt afatgjatë i virusit.
“Ne do të shohim depresion sepse njerëzit nuk janë vetvetja. Ata nuk ndihen sikur janë aq funksionalë sa ishin dikur, apo nuk mund të jenë aq funksionalë”, tha Davis. “Ne po shohim një rritje në çrregullimin e stresit post-traumatik, dhe njerëzit që e kan tejkaluar apo janë duke e përjetuar kanë frikë se mos e marrin përsëri. ”
Davis pret më shumë raste të sëmundjeve mendore në pranverë dhe verë si rezultat i COVID-19.
“Njerëzit kanë më pak të ngjarë të dalin jashtë. Edhe pasi që vaksina të jap efektet e veta dhe rastet me virus të fillojnë të pakësohen, unë mendoj se njerëzit do të kenë akoma këto frikëra, ankthe, e shqetësime rreth pyetjes ‘Po sikur virusi të pësoj mutacion? Nuk dua të dal më jashtë.’ Për një përqindje të vogël të njerëzve, jeta nuk do të kthehet në normalitet sepse shëndeti i tyre mendor do të preket”, tha ai.
Davis tha se njerëzit ndër shenjat që tregojnë për një çrregullim apo sëmundje mendore janë edhe vënia në dyshim për qëllimin e jetës, andaj është shumë e rëndësishme të kontrolloni të dashurit tuaj nëse ata shfaqin sjellje të çuditshme.
“Ju dukeni ndryshe. Ju jeni pak më pak të gjallë se zakonisht ose keni një rutinë tjetër. Ju po izoloheni më shumë ose nuk jeni duke iu përgjigjur thirrjeve telefonike ose mesazheve siç bëni zakonisht.” Davis tha se kthimi në një rutinë ndihmon në përmirësimin e shëndetit mendor. The Wall Street Journal / WILX