Tiranë, 17.10.2023
Av. Agron Isa Gjedia
16 tetori i vitit 1944 ishte datë pushtimi dhe jo çlirimi i Tropojës, ndaj këtë vit duhet të shënojnë një herë e përgjithmonë, “post-mortumin” për të ndërsa ata që morën pjesë këtë vit, le të jenë pjesëmarrësit “funebër” të funeralit të kësaj date.
Dëshmorët meritojnë të nderohen. Është një detyrim moral i panegociueshëm që jo vetëm në përvjetorë të caktuar por edhe në çdo diskurs që ka si temë lirinë e gëzuar, ata të kenë vendin e nderit.
Por, në Tropojë, data e përkujtimit zyrtar të Çlirimit nuk duhet të jetë ajo e 16 Tetorit sepse kështu është njësoj si t’u ribësh atentat të rënëve dhe të sakrifikuarve për lirimin e vendit. Më 16 tetor, dëshmorëve mundet t’u shkohet te koka, në mënyrë që simbolikisht t’iu themi se iu kemi pastruar nga data e rrejshme e çlirimit të Tropojës, e po ashtu t’u pastrohen ferrat dhe bari që i ka kapluar varrezat e tyre. Pra, gjithçka mund t’iu adresojmë dëshmorëve në 16 tetor por asesi jo se Tropoja është çliruar, pikërisht në këtë datë të vitit 1944.
Dikush që ka marrë pjesë për t’i nderuar dëshmorët, jo vetëm sivjet por për çdo vit tjetër me 16 tetor, e nuk ka qenë i qartë për të vërtetën historike si dhe interpretimin logjik të asaj të vërtete, e “mpleksur me injorancën” në këtë drejtim, nuk duhet t’ia konsiderojmë për ndonjë “mekat” sepse ka pandehur se iu ka bërë nderim dëshmorëvë, pra nuk ka ditur ndrysh.
Kurse, si për dreq, ndonjë “trutharë” e “trushpëlarë”, që me patjetër këtë date e ka dhe e përdor si një datë nostalgjie të tijën për atë sistem, këtë nuk duhet ta përdorë për më tutje, pasi kjo datë nuk është në të vërtetë ajo që trumbetohet.
Pra, 16 tetori i vitit 1944, nuk është as më pak dhe as më shumë se sa data e pushtimit komunist të Tropojës e jo e çlirimit nga okupatori nazi-fashist.
Ndoshta ndokujt mund t’i duket një përdorim ekstrem përdorimi i togfjalëshit “pushtimi komunist”, por praktikisht, rasti në fjalë i çlirimit të rrejshëm të Tropojës, i tillë ka qenë. Pra, sipas kuptimit klasik, gjuhësor dhe praktik, data 16 tetor 1944, ishte dita e pushtimit komunist të Malësisë së Gjakovës / Tropojë dhe jo çlirimi nga okupatori nazi-fashist i saj sepse në atë date ajo ishte plotësisht e çliruar nga gjermanët.
Konotacionet: pushtim, reaksionarë, nacionalistë (atdhetarë, patriotë, kombëtarë), si një reminishencë e kuptimësisë që kanë marrë në praktikë këto fjalë nga e kaluara komuniste, sot duhet të merren të “filtruara” nga ato ngarkesa, për të marrë kuptimin e vërtetë në gjuhën shqipe.Në rastin tonë, pushtim do të thotë marrja në posedim në mënyrë të dhunshme e gjësë, të së drejtës, atributit të tjetrit, ashtu sikurse u morën në Tropojë data e çlirimit, gjë të cilën pushteti e bëri pa e marrë pëlqimin dhe mandatin e popullit të kësaj treve, por edhe pa ndonjë kontribut në çlirimin e tij.
Ardhja e forcave partizane të Brigadës III S, në Malësinë e Gjakovës / Tropojë më 16 tetor 1944, në mënyrë të paditur e të pakërkuar, në sens të panevojshëm dhe të pamerituar, me pretendimin kinse të çlirimit, nuk ishte as me pak dhe as më shumë se sa një praktikë e pushtimit, duke marrë atribute dhe pushtet të pamerituar, i cili nuk u mandatua as nga populli i kësaj treve dhe as nuk u fitua me “grykën e pushkës”, drejtuar kundër okupatorit të vendosur në këtë trevë.
Përveçse pjesës më të madhe të të pasqaruarve dhe të painformuarve me të drejtën historik për sa i përket datës 16 tetor 1944, ka edhe asi trutharësh dhe trushpërlarësh, të cilët si nostalgjikë të së kaluarës, edhe pse sot në një realitet tjetër, jetojnë ende me të kaluarën, ku e vërteta ua turbullon nostalgjinë duke iu sjellë alivanosje shpirtërore. Për ironi të fatit kjo shëmti vijoi edhe këtë vit, që si “ksentabul” në “mjegullnajën demokratike”, kjo datë u festua si datë e rrejshme e çlirimit të Tropojës nga okupatori nazi-fashist.
Edhe pse vonë, pas afro 80 vitesh, por siç thotë populli, më mirë vonë se sa kurrë, për të reflektuar lidhur me datën e vërtetë të çlirimit të Tropojës. E jo vetëm data e çlirimit, por të shkruhet edhe historia e vërtetë e asaj lufte për Tropojën, si një rast “Sui generis ” në shkallë vendi dhe jo vetëm.Data e rrejshme e çlirimit të Tropojës, sikurse është 16 tetori i vitit 1944, bie ndesh me të vërtetën historike; ajo stimulon gënjeshtrën, krijon një precedent të rrezikshëm që pushka vëllavrasëse të jetë “datë çlirimi”, pa hy me nxjerrë fajtorët. Kjo formë manifestimi, në vijimësi për 78 vjet, të cilën presim ta shohim edhe këtë vit se si do të ndodhë për të 79-tin vit me rradhë, si e tillë e mban gjallë këtë precedent të pashembullt të krijuar si një rast unik në mbarë vendin tonë.
E ku ndodh një gjë si kjo, që të vijojë për t’u festuar një datë e rrejshme e çlirimit të Malësisë së Gjakovës / Tropojës nga të tjerët (kushdo qofshin ata), pikërisht atje ku ndër shekuj është gjeneruar luftë kundër çdo pushtuesi, bile këtë e kanë bërë jo vetëm në vendin e vet ku kanë lindur dhe janë rritur, por kanë shkuar deri në Shkup, Sanxhak, Plavë e Guci, Vlorë e Korçë, Preshevë e Bujanoc, e çdo cep tjetër të trojeve etnike shqiptare.
Mbajtja edhe me tutje e datës 16 Tetor 1944, si datë e Çlirimit të Tropojës, pikë së pari mohon luftën çlirimtare të popullit të Malësisë së Gjakovës gjatë Luftës II Botërore. E po ashtu, mohon luftën çlirimtare të formacioneve partizane atje, mohon luftën çlirimtare të formacioneve nacionaliste, mohon luftën e çetave territoriale e ato të vetë-organizimit mbarëpopullor të cilët u bashkërenduan në mes tyre, etj. Njëkohësisht, mbajtja në agjendën e përkujtimit të datës 16 Tetor 1944, vijon të ushqejë edhe më tej ish propagandën komuniste e cila së paku për këtë rast ishte plotësisht e gënjeshtërt. Me këtë akt, në të vërtetë, kamuflohet data e vërtetë të çlirimit me datën e festimit të datëlindjes së udhëheqësit komunist Enver Hoxha. E ku ndodh kjo? Pikërisht në Malësinë e Gjakovës, në Tropojë.
Pasojat e këtij shënimi të rrejshëm vijojnë të pengojnë shkruarjen e të vërtetës historike lidhur me këtë datë, por jo vetëm. Kjo pengon në vetvete shkruarjen e historisë së vërtetë të asaj treve heroike e patriotike. Po ashtu, pengon për t’u kthjelluar në të vërtetat historike në tërësi, dhe mban gjallë mashtrimet që janë bërë deri tani me historinë e Malësisë së Gjakovës / Tropojës, së paku për periudhën e luftës kundër okupatorit nazi-fashist. E mbi të gjitha, akoma sot e kësaj dite, mban në themel të propagandës, diskriminimin krahinor të Bytyçit, të Malësisë së Gjakovës / Tropojë, të cilës nga rrethanat e luftës (e jo se ishte ndryshe nga zonat e tjera të asaj malësie), i ra për hise të kthehej në një shesh betejash të përgjakshme, me pasojat më të rënda për të: me të vrarë, të plagosur, me djegie shtëpish e pasurish, me zhdukjen e pjesës më të mirë të trashëgimisë materialë dhe etno-kulturore, si: kulla e ndërtime të tjera në funksion të saj, orenditë shtëpiakë, kostumet popullore, etj. Ajo vlerë historike dhe ai heroizëm i shkrirë me mbarë heroizmin e popullit të Malësisë së Gjakovës, nuk ishte vlerë në vete, por pjesë integrale e vlerave të mbarë popullit të Malësisë së Gjakovës / Tropojë.
Po ashtu, mbajtja e kësaj date të rrejshme si datë për çlirimin e Malësisë së Gjakovës / Tropojë, është një diskriminim permanent për mbarë Veriun e Shqipërisë, duke aluduar se ai “nuk kishte qenë i zoti” të çlirohet vetë nga okupatori nazi-fashist pasi ishin të lidhur me “reaksionin”, ngase ishin “bashkëpunëtorë të pushtuesit”, në një kohë kur në fakt, Veriu i Shqipërisë, kur erdhën Brigadat partizane, ishte thuajse plotësisht i çliruar.Njëherit, kjo datë e rrejshme e çlirimit të Tropojës, e zeron faktin shumë domethënës dhe të vlerës unike në vend, por mbase edhe në Ballkan, lidhur me ngritjen e së parës çetë nacionaliste, konvertuar më pas në “komunistë”, sikurse ka qenë ajo e Malësisë së Gjakovës nën drejtimin e Ram Mujë Hoxhës.
Është fakt dhe nuk mund të mohohet se edhe 16 Tetori i vitit 1944, është datë historike, por jo e Çlirimit të Tropojës nga ana e okupatorit nazi-fashist, por është ajo e vendosjes së “Pushtetit Popullor”, sikurse është quajtur vendosja e “Pushtetit Komunist” edhe në këtë rreth. Nuk është turp, që edhe neokomunistët ta festojnë këtë datë si datën e vendosjes së Pushtetit Popullorë, sikurse është quajtur vendosja e Pushtetit Komunist edhe në këtë rreth, pasi që vetë PKSH, nuk e ka fshehur asnjëherë se krahas luftës për çlirimin nga okupatori nazi-fashist, ishte edhe ajo për marrjen dhe vendosjen e pushtetit, që në të vërtetë ishtë objektivi parësor i saj, për të mos e ndarë me askënd tjeter.
Për të mos ia fshehur mëkatet dhe për të mos ia humbur meritat e ekzagjeruara deri më sot, duhet thënë dhe duhet marrë në considerate, se:Partia Komuniste Shqiptare, e instruktuar dhe urdhëruar gjatë Luftës II Botërore nga emisarët Jugosllavë të PKJ-së, e posaçërisht nga Josiv Broz Tito, vepronte kryekëput si një degë dhe filial i saj në Shqipëri, me pikësynimet e saj të qarta të urdhëruara nga ata që krahas luftës së kursyer kundër gjermanëve në ikje e sipër, të luftonte me përparësi të padiskutueshme nacionalistët shqiptarë në Shqipëri, e cila synohej të ishte Republika e VII-të e Federatës Jugosllave, e më së shumti në Kosovë ku pushtetin efektiv gjatë luftës e kishin nacionalistët shqiptarë, me qëllimin e qartë, marrjen e pushtetit dhe mbajtjen me xhelozi të theksuar në monizëm, për të mos e ndarë me askënd.
Sikurse dihet nga të gjithë, në tersin e vet PKSH, marrjen e pushtetit “përmes grykës së pushkës, e mbrojtjen përmes saj”, nuk ishte as më pak dhe as më shumë se sa një “vetlegjitimim”, që tregonte sesa të pakursyer do të tregoheshin ata nga ana e tyre për çdo shqiptar që do t’i pengonte në atë sipërmarrje.
Edhe ardhja e Brigadës së III-të S në Tropojën e çliruar në mënyrë të paparalajmëruar, ndodhi për ta pushtuar atë, për ta vendosur pushtetin komunist, e jo për ta çliruar, sepse ajo në atë kohë ishte e çliruar dhe me atë akt të sajin barbar, efektivisht as më pak dhe as më shumë, grabiti fitoren e forcave çlirimtare të Malësisë së Gjakovës / Tropojë.
Ardhja e forcave të Brigadës së III-të S në Tropojë, në mënyrë të panevojshme dhe të pamerituar, aq më tepër edhe të paparalajmëruar, as te forcat partizane e komuniste që vepronin në Tropojë, nuk ishte as më pak dhe as më shumë se sa një veprim kriminal, që nuk e kishin për gajle t’i përdornin si “mish për top” forcat partizane, ashtu sikurse ndodhi edhe në Kosovë, duke mos iu kursyer pushkës vëllavrasëse, një veprim direkt ky i nxitur haptazi apo në mënyrë të kamufluar nga sllavët.
Ishte ajo përplasje e padëshiruar në terren në mes shqiptarëve, e me pas si një meritë e padiskutueshme edhe e përplasjes verbale në mes partizanëve – komunistë të Tropojës, konkretisht të Idriz Mulosmanit, me killerin Shefqet Peçi, i cili kishte ekzekutuar ato ditë, pa bërë gjyq, një malësor nga Luzha.
Këto që ndodhën, fatkeqësisht, i vunë fre ambicjeve të Shefqet Peçit e të tjerëve ndihmaqar të tij, për ta përsëritur edhe në Malësinë e Gjakovës / Tropojë, në mënyrë të pajustifikueshme “Fushë – Alin” e Dibrës, Mirditën, Postribën, Buzë-Madhin e Kukësit etj. Pretendimi i pabazë se duhej të çlirohej Tropoja nga forcat reaksionare dhe kolaboracioniste, jo vetëm se i panevojshëm por ishte edhe i pabazë, sepse në Tropojë, në kulmin e forcës së pushtuesit, gjetën strehën e tyre të sigurtë Shtabi i Kos-Metit, çeta partizane “Perlat Rexhepi” e Shkodrës, aradha partizane “Bajram Curri” e Kosovës, si dhe u mbajt me sukses të plotë Konferenca e Bujanit.
Në të gdhirë të datës 16 tetor 1944, në qendrën e Tropojës – Astë, ajo që synohej për t’u çliruar si një akt konkret e imagjinar çlirimi nga forcat partizane të Brigadës së III-të S, kishte ardhur si urdhër që ai akt të ndodhte pikërisht më 16 tetor 1944. Në të vërtetë, aty e në atë vend nuk kishte forca të armatosura.
vijon