Në Forumin për Siguri që po mbahet në Beograd, Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, është nxehur fort në diskutimin e sotëm, pasi që kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, në mënyrë të përsëritur i është referuar Republikës së Kosovës si shtet.
Ai ka kërkuar nga Kryeministri i Kosovës që të mos e përdorë më shprehjen “Kosova dhe Serbia janë dy shtete”.
“Hoti theksoi disa herë: dy shtete-dy shtete, dy shtete-dy shtete në këtë takim, por edhe në takimet e tjera. I them të mos e përdorë këtë mijëra herë. Nëse do afrim mes nesh mos e thuaj këtë gjithmonë. Ne e dimë çfarë mendon”, ka thënë Vuçiq.
“Dy shtete-dy shtete, dy shtete-dy shtete… Nuk ka dy shtete, ka një shtet që është anëtar i OKB-së në akordancë me Rezolutën 1244”, është shprehur i nevrikosur Vuçiq.
“Duhet ta respektojmë njëri-tjetrin. Kur flasim për zgjidhje kompromisi nuk mund të flasim që Serbia ta njohë Kosovën dhe Kosova ta njohë Serbinë. Ju nuk njihni shtete. S’kemi nevojë për ketë. Kemi nevojë për kompromis”, ka vazhduar kreu i shtetit serb.