Sipas një burimi policor të cilin e ka cituar Gazeta “Le Figaro”, viktima e parë e aktit terrorist ka qenë një plakë që ka shkuar në bazilikën Notre Damme në Nicë për t’u lutur në mëngjes. Ajo është gjetur e masakruar dhe pothuajse me kokë të prerë.
Po ashtu edhe një burrë është gjetur i masakruar aty. Gruaja e dytë, viktimë e sulmit, fillimisht ka arritur të ikë në një kafene afër kishës, por ajo ka qenë e therur me thikë disa herë dhe nuk ka arritur t’u mbijetojë plagëve. Nga sulmi me thikë, ndërkaq, kanë mbetur të plagosur disa persona.
Policia komunale e Nicës ka arrestuar personin e dyshuar për vrasjet i cili është dërguar në spital pasi është qëlluar me plumb. Autori i vrasjeve makabre është 21-vjeçari nga Tunizia Brahim Aoussaoui. Ai nuk është azilkërkues në Francë, por ka shkuar në Francë në fund të shtatorit nëpërmjet Lampedusas, ujdhesë në Detin Mesdhe. Ai ka thënë se ka vepruar i vetëm pa u nxitur nga dikush.