in

Blair: Lufta për Kosovën s’ishte vetëm për kosovarët, ishte për të gjithë

(E përditësuar) “Ne i dhamë fund ankthit të atëhershëm, por tani mund të ndërtojmë një ëndërr; këtë ua kemi borxh atyre që i kujtojmë sot”, ka thënë ish-kryeministri britanik, Tony Blair në seancën solemne të Kuvendit të Kosovës.

Blair teksa ka përmendur mundësinë që Kosova të jetë pjesë e BE-së, pranimin ndërkombëtar dhe të ardhmen që mund ta ndërtojë rinia të cilën e cilësoi si të talentuar, tha se ky është borxhi për ata që dhanë për çlirimin e vendit.

“Është ajo për të cilën ne bashkuam forcat për të arritur, para 25 vitesh. Po, ishte luftë për liri, por jo thjeshtë vetëm për të qenë të lirë, por për shkak se liria hap mendjen njerëzore. Kjo rrezikohej në këtë tokë dhe në këto rrugë para një çerek shekulli. Ne i dhamë fund ankthit të atëhershëm, por tani mund të ndërtojmë një ëndërr; këtë ua kemi borxh atyre që i kujtojmë sot”, ka thënë ai.

“Lufta për Kosovën nuk ishte vetëm për kosovarët, por për të gjithë”

Blair ka thënë se çlirimi i Kosovës është bërë për të gjithë që besojnë në fuqinë e lirisë dhe drejtësisë.

“Për mua lufta për Kosovën nuk ishte vetëm për kosovarët, por për të gjithë, duke përfshirë edhe vendin tim që ka besuar se liria dhe drejtësia janë gjërat për të cilat qëndrojmë, dhe më e rëndësishmja luftojmë për to”, ka thënë ai.

Ai ka përmendur edhe Ukrainën dhe Gazën, të cilën po kalojnë nëpër situatën e njëjtë të luftës si Kosova dikur.

“Të rinjtë do ta përcaktojnë të ardhmen e Kosovës”

“Fuqia juaj ka simbolizuar vullnetin tuaj për një të ardhme ndryshe. Kjo e ardhme ende po merr formë. Ajo është për një shtet të fuqishëm, të pavarur dhe sovran, në mënyrë që Kosova të merr pjesë në zemrën e Bashkimit Evropian me të drejtë të plotë të anëtarësimit”, ka thënë Blair.

“Të rinjtë të cilët kanë lindur pas 10 qershorit ’99, e që disa nga ta e mbajnë emrin tim dhe krenohem teksa e them, për ta ka ende gjëra që duhet të bëjmë, t’i ofrojmë mundësitë të cilat i meritojnë. Këta të rinj do të përcaktojnë të ardhmen e Kosovës. E di nga shoqëria ime, se këta të rinj janë një grup i talentuar, me ambicie dhe kapacitet”, ka thënë ai.

“Nuk u pendova kurrë për çlirimin e Kosovës”

“Nga takimi me refugjatët kosovarë në kampet e përqendrimit afër Shkupit, kam dëgjuar rrëfime zemërthyese të zhvendosjes, kam parë fytyrat e dëshpëruara nga ferri duke kërkuar në fytyrën time një sens mundësie që t’i ndihmoja. Ne kemi mundur t’i ndihmojmë dhe nuk u pendova kurrë për këtë”, ka thënë ai.

“Kosova më në fund ishte e lirë, njerëzit e saj kishin mundësi të jetojnë sërish, të shpresojnë sërish në një të ardhme të lirë nga presioni dhe padrejtësia”, ka thënë Blair duke përshkruar momentin e çlirimit të vendit.

Ai ka thënë se përtej aspektit institucional, Kosova është e lirë sepse njerëzit, specifikisht të rinjtë, po gëzojnë mundësi dhe prosperitet.

Tony Blair i drejtohet Kuvendit të Kosovës

Ka nisur seanca solemne, e cila është në nderim të mirëpritjes së Tony Blair, ish-kryeministrit të Mbretërisë së Bashkuar, i cili ishte një nga aleatët kyç që ndikoi në çlirimin e vendit.

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, ka shprehur mirënjohjen ndaj forcave të NATO-s për intervenimin në Kosovë dhe mbështetjes së Blair për çlirimin e vendit.

 “Ne si popull e si shoqëri do të jemi përjetësisht falënderues. Ju faleminderit zotëri Blair. Jeni gjithmonë i mirëseardhur në Kosovë dhe s’kam dyshim se ndiheni si në shtëpinë tuaj. Prandaj kjo foltore dhe ky Parlament është i juaji”, ka thënë Konjufca.

Lini një Përgjigje

Hovenier: Rugovën e kam njohur personalisht

D’Alema: Jemi larg stabilitetit ballkanik ku synonte Ibrahim Rugova