prozë urbane
Bajram Sefaj
(f r a g m e n t)
Rrëfimit i prinë anekdota. Një i moshuar, shumë i rrëzuar, furishëm hyn në barnatore dhe farmacistes se re shtalb, me një palë sy blerosh, si të maces se llastuar, i drejtohet: ma jepni një gjysmë viagre!
Farmacistja së re, gjimadhe, belhollë e faqekuqe, veç sa nuk çahej shëndeti, ia kthen: Qenke zotëri plak. Azgan qenke!
Si e inatosur, krejt e mërdhezur, me rrëmbim e rrufeshëm, ngjet shkallët. Shkon më lartë se që duhej për të mbërri barin e kërkuar në raft. Si të nisej drejt qiellit të shtatë!
Më shumë për inat e mos durim, se që i thoshte qejfi atë çast të vetmuar, bythët e rrumbullakët e mish fortë, që mezi ia zënin zap një palë brekë sa grima, minimallka sa për adet, dane, gaqice, slip, quillote, boxers, caleçons, a si djallin i quajnë ato, të rinjtë tani, të rinjtë e sodit, në gjuhë të sodit. Lirisht mund të thuhet se, më parë i shkundi se që i tundi bythët.
– Ja gjysmë e viagra, por si ta llogaris çmimin tani, egër e me pezëm në buzët që i dridheshin nga mëria, i drejtohet plakushit beter!
– Llogarite si të duash, ia kthen plaku dhe hallin ia qanë me përtesë, tamam sikur në buzë t’i varej një dënesë peshërëndë: gjysmë (0/50) viagre me duhet sa për të ma lehtësuar një çik të pshurren (urinimin), e jo për tjetër, harroje atë punë, se nuk është punë që e bëjnë të moshuarit!
Me buzëqeshje vaji, me zë të mekur, shkrumb nga lakmia: ju të rinjtë, grahni! Sikur denjoi të thoshte, deri sa jeni të ri e nepsi ju vlon, jepni pa pushim seksit, kur të lumtë ju, nuk keni nevojë për viagra as dorë tjetër ndihme!
Me ilaç në dorë i moshuari doli nga barnatorja më e pasur e qytetit dhe hallin në trup: si ta pi sa më parë atë gjysmë ilaçi që urinimin e radhës t’ia bënte më të lirshëm, aman!
Por, në anën tjetër, edhe farmacistja e bukur, kur çaste më parë, lirisht mund të thuhej se nuk ishte gjithaq e sjellshme, për të mos thënë paksa arrogante, ndoq me sy plakushin derisa nuk i humbi të bërryli i parë të rrugës. Fjalë e tij me eshkë porosie mbi to, i jehuan thekshëm e pika të imta kristalore lotësh ia brumosen sytë e saj të shkruar…
*
(Vërehet se, desh pshurrësh se qeshuri. E vë dorën mbi gojë, sikur do të frenosh të hedhes glasa mbi këtë që lexon. Por nuk është bash ashtu. Po të gjurmosh e të gërvishtësh pak më thellë se që është cipa rreth trutharit,më parë duhej hedhur në pus të madh dhe të pafund dhimbje e gjëme, për njeriun kur është vetëm vdekatar, vetëm vdekatar, kur as viagra dhe zbuloi njeriun ynë nga Gostivari, zotëri F. Murati, kur as viagrat dhe as barërat, kokrrat dhe ilaçet e krejt botës nuk të shpëtojnë nga gropa! Pa çaraveshje, aman. Pa zdeshje dhëmbët si gomarët në Pukë, në shi a në diell, krejt një. Këtu situata është serioze, për të mos thënë dramatike, edhe më keq, tragjike. Kallëzimi për gjysmë viager, nuk është tjetër veçse një pretekst!).
*
Bisedë burrash vazhdon…
Për punë pelash, sigurisht. Me një prelud, gjithsesi!
Ju kujtohet, madje shumë mirë ju kujtohet, sidomos atyre të gjeneratave të mëhershme, melodia fort e popullarizuar, “Moja kobila Suzi, (Pela ime, Suzi!), në interpretim të mrekullueshëm të këngëtarit të njohur, Stjepan Xhimi Staniq, kroat dhe, “Rexha i Nënës në grazhd të kalit” në interpretim, po aq, mahnitës të rapsodit legjendar, Dervish Shaqa, shqiptar!
Ndalemi bashkë e, mbi ketë pikë, meditojmë, nëse duhet edhe kacafytemi e debatojmë deri në përleshje të hidhur, madje. Por, pa e quar deri të e keqja (luaj e mos u nxeh!), pa fije mëdyshjeje, të gjithë, absolutisht të gjithë, jo vetëm në lugun e Ballkanit shkëmbor (brengë e madhe e shtatë Evropave!), por mbarë hapësira planetare (e Planetit tonë Tokë!), të gjithë banorët e familjes se madhe njerëzore, pa dallim feje, ngjyre lëkure e moshe, kanë nga një Pelë, nga një Kobillë, nga një Atki … apo si i thonë asaj, në polifoninë e melodisë shumëzërëshe në botë!
*
Bisedë burrash vazhdon…
Për punë pelash, sigurisht!
Ngjarje e kallëzimit pasues (vijues) është aq reale sa të bëhet se pëlcet nga vërtetësi hiri!
Ne një kohë e në një vakt, jo aq të moçëm e të harruar nga historia, jo se jo, por as nga bashkudhëtarët e asaj epoke, e rrëfejnë aq shpesh, sot e gjithë-ditën, në raste të shumta… Sa here që diçka gazmore u pikë nder mend nga periudhë e kaluar dhe shumë e hidhur komuniste!
Edhe andejpari, paska pasur gazmore, a?
Jo, nga andej gjithmonë, (jo vijnë, ato gjithmonë janë aty!), marroqe, habitore, ogurzeza, çnjerëzore!
Por, nejse, ja se ndodhë, si ndodhi…
Një mesdite, kur vakti i drekës po avitej, kur zorrët ne bark nisën t’i kërcasin, si në kor të zhabave, në buçallën e themeleve të TOB (Teatrit të Operë dhe Baletit, në Prishtinë!), një politi(qen)kani të lartë në hierarkinë (atëbotë) krahinore, papritmas i pikë ideja, shpejt e shpejt, për ngut e urgjencë, të merr rrugë për në Prizren!
Ashtu e lypte puna e ngutshme! Nga se atje peshku, po e zëmë, gatuhet mirë, (si ia thonë fjalës andej nga i bie Shqipëria natyrale). Atje zihen e përzhitën, gjellët e përgatitën specialitetet më të mira kulinare në mbarë Kosovën, gjithnjë e përherë, martire.
Llogariste i gjori, të mbajë një mbledhje, në çfarëdo niveli komunal, qoftë edhe të një kolektivi më të skajshëm, të përziejë një buçkurish fjalim, çfarë do qoftë e, shpejt e shpejt, te gjuhej ngultas në detin e çullit…, që ndërkohë zihej e përzihej nergut për të në kuzhinën e restorantit (jugosllav) në Landovicën legjendare të dy heronjve.
Landovicë, (frymëmarrje e thellë deri në qiell!), a i pa, oj, dy trima, dy heroj…!
Jo, ore ç’mut heronjsh, kush po të pyet për atë punë, por atje, midis hardhish fletëmëdha të rrushit të ëmbël e verës bojëgjake, me të vërtetë zihej e piqej mirë, qoftë edhe bashkim vëllazërimi i stisur dhe, kryekreje i imponuar!
Në rrugë (jemi) për në Prizren.
Për një çast politi(qeni)cienit, plak matuf, i ngjau se rruga u zgjat si shumë, si e pasosur të ishte. Papritmas e me zë të lartë plot ethe, iu dredh vozitësit të ri, të cilin, bënte be në Parti e Bashkim e Vëllazërim, se e shihte për herë të parë: po ti çun, prej nga je, sa kohë punon të na, në Komitet?!
Shoferit të ri, në stazh provues pune, veçse pika sa nuk e godit në zëmër. Ec e fshije brymën e djersëve që ia vërshuan ballin e ngushtë.
Ec e shkoqi duart nga timoni kur kishte të lidhura për të si me kllapat e burgut të egër të Burrelit, Alkatrazit a të Semanit, njësoj!
Shoferi i ri, stazhier hesapi, ishte aq i kujdesshëm, sa përpiqej që as mizën, se më pulën a macen t’i shkelte, hiç se hiç, pa ia nda shikim xhadesë për asnjë çast, pa shikuar as djathtas as majtas, veç drejt, kur papritmas e preu si me thikë në fyt pyetja e pa pritur fare e politikanit matuf: a i sheh ato pela të bukura si i janë qepur kullose në shpat?
– Po, i shoh, tha shoferi i ri, pa i parë fare, duke pritur në hall së çka do të pjellë nga kjo pyetje (u tremb kur si shigjetë nëpër mëndë i flakëroi mendimi se do t’i thoshte se më mirë do të ishte, po të ishe bari pelash, se shofer në Komitet!
Por, jo!
Nuk doli ashtu si pritej. Funksionari i lartë, pasi që shoferin e pyeti se a ka stazh pune si shofer, e përsëdyti pyetjen, tashti direkt: a i sheh ato pela si janë mallua shpatit. Po, tha me ngut shoferi i ri dhe, me plotë shqetësim e dridhje priti vazhdimin, në pritje se çka fshihej pas kësaj pyetje me drojën e provokimit. Eh, psherëtiu funksionari “shtetëror”, sikur të bekuarat të ishin me afër malit, e na (të dy) me afër tyre, mirë do të ishte…!
Shoferi i ri, i stepur, krejtësisht i shtangur, si meit të ishte, sakaq u shkri, si të dilte nga një anestezion i fortë, dhe me një lehtësi, më parë se e shikoi, e mati me sy, funksionarin.
Edhe ky, ua paska hatrin pelave, a?
Po i yni qenka shejtani, tha në vete, dhe, si t’ia hiqte dikush me dorë perden e trashë të dergjës se drojës dhe etheve që e mundonin deri në atë çast.
Aty e andej, shoferit i pushuan të dridhmat e trupit. I ikën të dridhurat e duarve, si shkarpa në ujë…
Makinës ia ndërroi marshin, e bëri fërtele. Tanimë nuk ishte ajo makinë e plogësht që ecte ngadalë e me droje, sikur brenda të kishte tabutin e një xhenazeje e jo trupin e funksionarit të shendosh, si një derr, ka a buall!
I gëzuar që shoferi mori krah të ri dhe se rruga deri në Prizren, shkurtohej më të shpejt, i frikësuar nga fugimi i shpejt, ia hodhi shoferit: si je mbërthye ti (mbas pelave!), nuk do të ndalesh në Prizren, as në Kukës, do të mbërrish në Tiranë!
Edhe atje do të mbërrijmë një ditë, me kësmet zotit! Ditë e madhe festë do të jetë – bloi në vete shoferi!
!?!
Kur fytyra e funksionarit të lartë, atëbotë krahinor, u ngrys shumë, u bë mavi si qielli para një stuhie të frikshme, shoferi e ngrëni gjuhën dhëmb, veçse nuk e këputi në rrënjë: e pat puna ime! Si mi piu sorra mëndet e thash se do të mbërrijmë edhe në Kukës e Tiranë!
Kuku!
Kishte të drejtë i gjori shofer i ri e i papërvoje!
Asokohe më parë mund të shkoje në hënë apo në ndonjë planet tjetër, akoma të pazbuluar, se të shkoje në Kukës e në Tiranë.
Kuku, kuku për mua të mjerin, bloi shoferi i ri, që sapo bënte ditët e para të punës në Komitet. Po si mi rrufiti sorra mëndet. Pse fola.. Pse nuk hezitova. Nuk mendova. Po ky djall funksionari, ky derr i majmur, ndoshta deshi të me provokoi, të vë në peshojë devotshmërinë time, besimin në bashkim vëllazërimin e stisur jugosllav.
Kuku, për mua të mjerin, çka me gjet në ditën e sodit!
Derisa shoferi po maste e çmaste, derisa në mendje i ëndeshin mjegulla endacake e të zeza futë, për atë fjale të kobshme që i kishte ikur goje, makinën e ngiste si i fantaksur të ishte. Jo vetëm shenjat e komunikacionit që nuk i shihte dhe i kalonte lehtësisht pa i vërejtur fare, kur vetëm pas një kohe relativisht të shkurtër, u gjenden në qendër të Prizreni.
– E tash, shok…, tuta ia kishte thare pështymën në gojë, nuk dinte si ta pagëzonte.
– Tash mirë boll, ia ktheu shkurt funksionari dhe duke ia hedhur dorën në krah, priti e i tha: qenke djalë i zoti, duke e porositur të gjejë parking dhe ta pres këtu!
Me gjasë ishte e kënaqur që kishte mbërri në Prizren, para kohës se paraparë madje! Sikur menjëherë kishte nuhatur erën specave dollma e specialiteteve të shumta të skarës!
Shoferi i çlirua krejt kur i shkoi mendja se edhe në Kukës e në Tiranë, sigurisht se ka pela, vetëm se atje mbase janë më hanëme se këto tonat në Kosovën martire, ia bëri vetës qejfin shoferi dhe ndrydhi marshin e makinës, më shume se që duhej aty ku ishte!
E çka u bë në takimin me aktivin e Komunistëve të komunës mbi Lumbardhë, kush e merr atë merak!
Shoferin e ri aq më pak…!
I ngrenë e i pirë, gjithandej duke lëshuar ere të këqija, duhma të renda qepesh e hurdhash të mbytura, në mesnatë, mbërrijnë në Prishtinë.
Nesër në mëngjes lajmërohu te sekretaria ime.
Të pres në zyrë!
Kuku, klithi në vete shoferi i ri e, gjithë natën e lume, nuk shtiu gjumë në sy!
————————————-