Bandat kriminale serbe të inkurajuara nga presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq po vazhdojnë me barrikadimin e rrugëve në veri të vendit.
Një barrikadë e re është vendosur së fundmi edhe në lagjen Berxhan, në rrugën që të shpie për në komunën e Zveçanit. Policia e Kosovës ka bërë me dije se tani barrikada nga serbët po vendosen edhe në rrugët alternative.
Gazetarja e RTK-së, Donika Sherifi, ka raportuar nga vendi i ngjarjes në Lajmet Qendrore, teksa ka konfirmuar se kjo rrugë është barrikaduar me dy kamionë dhe si pasojë liria e lëvizjes është pamundësuar jo vetëm në rrugët kryesore por edhe në ato alternative.
“Derisa erdhëm deri te kjo rrugë, e cila është alternative dhe është pak më larg se sa barrikadat e tjera që janë vendosur deri më tani, kemi parë patrulla të shumta të Policisë së Kosovës si dhe ato të njësisë speciale. Po ashtu, kemi parë edhe vetura të KFOR-it, mirëpo jo edhe tek kjo barrikadë e re që është pak më thellë në zonën malore”, ka raportuar gazetarja Sherifi nga vendi i ngjarjes.
Sipas saj situata në veri është e qetë, porse patrullimet e policisë po shtohen.
Ndërkohë, Policia e Kosovës ka bërë të ditur se edhe më tutje mbeten të bllokuar zyrtarët policorë nga bllokadat e vendosura në Jarinje dhe Bërnjak dhe ka bërë thirrje që të gjendet një marrëveshje në mënyrë që zyrtarët policorë të paktën të kenë mundësinë e ndërrimit me kolegët e tyre.
Ndërkaq, Sindikata e Policisë i ka bërë thirrje gjatë ditës së sotme Presidencës, Qeverisë, KFOR-it, Eulexit dhe ambasadave të vendeve të QUINT-it që të bashkërendohen dhe të gjejnë një zgjidhje në mënyrë që të krijohen kushtet për një lëvizje të lirë. Sindikata ka thënë se tanimë situata ka dalë jashtë normales dhe duhet të gjenden një zgjidhje, pasi që edhe zyrtarët policorë kanë filluar të kenë përkeqësim të gjendjes së tyre shëndetësore.
Më herët gjatë ditës për situatën në veri ka reaguar edhe ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla.
Ai ka thënë se policët në veri po angazhohen me moral të lartë e me përkushtim në ofrimin e sigurisë e në mbrojtjen e sovranitetit e integritetit territorial të vendit.
Sipas tij qytetarët e asaj zone po kërkojnë me ngulm heqjen e barrikadave dhe çdo çast i kaluar nën bllokim të barrikadave të ngritura nga grupe të armatosura e kriminale është i tepërt.
Ai ka thënë veriu i vendit tonë, si çdo cep i Republikës, duhet të kthehet sa më shpejtë në normalitet.