in

Bamirësi e veçantë e veteranit të UÇK-së, Musli Asllani, nga Likofci

Veterani i UÇK-së nga Likofci, Musli Tafil Asllani, ka bërë shumë punë të mira e të mëdha për UÇK-në para dhe gjatë luftës. Në punëtorinë e tij në fshatin Likofc të Komunës së Skenderajt, janë prodhuar bombat improvizuese, janë prodhuar e riparuar armë të ndryshme.

Hysni Syla

Musliu, duke qenë mjeshtër i saldimit dhe duke qenë humanist i vërtetë, edhe pas lufte ka vazhduar veprimtarinë e tij humanitare e bamirëse, por tani në një mënyrë më specifike.

Ai bashkë me të bijtë ë e tij, pas lufte është specializuar për prodhimin e shtizave për vendosjen e flamurit kombëtar fillimisht dhe më vonë edhe atij shtetëror të Republikës së Kosovës.

Deri tash, familja e tij për nevoja të institucioneve, familjeve dhe individëve të ndryshëm, por ku dominojnë dëshmorët dhe martirët e luftës, ka prodhuar mbi 100 shtiza të metalta,të gjatësive të ndryshme, për ngritjen në to të flamurit kombëtar dhe atij të Kosovës.

Ky nuk do të ishte kurrfarë lajmi, sikur Musliu me të bijtë t’i prodhonin këto shtiza për para. Por, kjo nuk ka ndodhur në asnjë rast, sepse as Musliu e as të bijtë e tij, nuk kanë marrë asnjëherë dhe asnjë cent nga askush. Ata shtizat i kanë prodhuar me material të tyre që kushton bukur shumë dhe me punë vullnetare.

“Këto shtiza kryesisht janë prodhuar për vendosjen dhe ngritjen e flamujve në to, zakonisht në varrezat e dëshmorëve, në varrezat individuale të pjesëtarëve të UÇK-së, në ndërtesa përkujtimore, shtatore, lapidare, pllaka përkujtimore apo institucione shtetërore dhe publike. Asnjëherë nuk kemi marrë asnjë cent për shtizat e prodhuara, sepse nuk merren para për ngritjen e flamujve, për nderimin e heronjve e dëshmorëve, për respektimin e institucioneve etj. Dhe nuk do të marrim kurrë as në të ardhmen. Jam shumë i lumtur që po kam mundësi që këtë punë ta bëj për kënaqësinë time e të familjes, sepse nuk ka kënaqësi më të madhe se kur shtizat dedikohen për atë që u tha më lart”, tha ndër të tjera Musliu, gjatë një vizite që bashkë me atdhetarin Halit Barani i bëmë Musliut në shtëpinë e tij.

Lini një Përgjigje

Hakerët nga Serbia kanë sulmuar faqet e institucioneve të Kosovës

Pati një periudhë kur Dardania u shkëput nga Perandoria Bizantine