in

BAJRAM SEFAJ – NJË FOTO DHE DISA RRESHTA

Nga libri-album i sudiuesit të fotografisë Qerim Vrioni “Miq në 50 foto”, ku imazhet janë shoqëruar me përshkrimet e çasteve të fotografimit dhe jetëshkrimit të personazheve të përzgjedhura nga bota e artit dhe kulturës, kemi zgjedhur për ju, prezentimin që z. Vrioni ia ka bërë shkrimtarit Bajram Sefaj. 

Ju ftojmë ta lexoni historinë e fotografisë:

        Bajram Sefajn (1941), si publicist, gazetar dhe shkrimtar të njohur nga Prishtina, ma sugjeroi një miku im nga Kosova, fill pas botimit të librit tim të parë “Fotografia-një grusht diell”. Ky do të vinte ato ditë në Tiranë dhe mund të takoheshim për librin. Lokali, ishte poshtë Valanidhit të madh para Galerisë së Arteve.

Nga Qerim Vrioni

     Bajram Sefaj është një autor me krijimtari të gjerë. Ai ka botuar romanet: ”Parisi kot” (2003). “Terra nulius” (2009), “Ani çka” (2012); novela: ”Shëtitje ëndrash”(1997) dhe “Sa është ora?” (2006); tregime: “Tri pika” (1980), “Rruga deri në kallzim” (1983), “Java ka shtatë ditë“ (1985); në publicistikë: “Shenjë kohe” (1998), ”Gazetaria ime” (2007), “Plot Shqipëri” (2008), “Shpend udhëtar” (2014) dhe “Kronikë në letër” (2016), si edhe shumë artikuj në median e shkruar. Ai nuk e ka ndërprerë krijimtarinë letrare dhe pjesëmarrjen në veprimtari për librin, si dhe me artikuj dhe ese të ndryshme.

     Sot Bajrami jeton më shumë në Paris, por çdo vit viziton Prishtinën dhe Tiranën, ku ka të afërm dhe miq të shumtë, po edhe “frymëmerr ajër shqiptar” -siç thotë ai. Pas fjalive tradicionale të sapo njohjes, nisëm të bisedonim si dy miq të vjetër, të cilët kishin kohë pa u takuar. Atij i shkonte mirë stofa e gazetarit të vërtetë. Këtë e vura re, se kur nuk kënaqej nga përgjigjet, vijonte me kundra pyetje. Sidoqoftë, edhe pse ai kishte energji që gufonte herë-herë, biseda midis nesh u zhvillua në ujra të qeta. Pasi i dhurova dhe librin, të cilin e shfletonte me ndërprerje, Bajrami shprehu dëshirën të shkruante për të.

Pa e lënë të ngurtësohet premtimi i tij, i thashë se më e udhës ishte që ta lexonte një herë, pastaj të vendoste për artikullin, se brendia mund edhe ta zhgënjente e nuk ishte mirë për të dy. Ndërkohë që bisedonim, unë luaja me aparatin në duar, duke folur e shkrepur si kot, çka atij nuk i krijonte asnjë ndjesi. U mendua pak, dhe disi i pakënaqur më tha: Ky është libri i parë në botën shqiptare për fotografinë, së dyti nuk më gënjen nuhatja ime prej gazetari të vjetër. Ndërkohë e kisha futur pamjen e tij pak të ngrysur brenda obturatorit.

        Ishte tetor i vitit 2006.

*Teksti është shkëputur nga libri “Miq në 50 foto” i Qerim Vrionit

observerkult

Lini një Përgjigje

Inteligjenca Ushtarake e Ukrainës:"Ne shohim një lidhje midis Rusisë dhe Hamasit"

Tifozi trim hungarez mbajti shallin e Kosovës para mijëra tifozëve serbë, sigurimi mezi e ndali