Një ngjarje tragjike ndodhi sonte rreth orës 17:00 në Prishtinë. Personi që u vra është Albert Krasniqi.
Zëdhënësja e policisë për rajonin e Prishtinës, Flora Ahmeti për lajmi.net e ka konfirmuar se sot rreth orës 17:00 ka ndodhur një vrasje në rrugën “Ndue Përlleshi”, në Prishtinë.
Ajo tha se policia është në vendin e ngjarjes dhe po i merr të gjitha veprimet e nevojshme në hetimin e rrethanave, shkruan lajmi.net.
Ahmeti ka bërë të ditur se është arrestuar personi i dyshuar dhe është konfirmuar një armë e përdorur në rast.
“Rreth orës 17:00 policia ka marrë informatën per nje vrasje te ndodhur ne rrugen ” Ndue Perlleshi” ne Prishtinë. Menjëhere pas marrjes se informates policia ka dale ne vendin e ngjarjes dhe po ndermerr te gjitha veprimet e nevojshme qe konsistojne ne hetimin e rrethanave qe karakterizojne ngjarjen. Nje person eshte arrestuar si dhe eshte konfiskuar nje arme qe dyshohet te jetë arma e perdorur ne rast. Aktualisht jemi ne fazen fillestare të ndërmarrjes se veprimeve hetimore dhe atyre të ekzaminimit te vendngjarjes ne funksion te ndriqimit te plote të ketij rasti.”, tha Ahmeti.
Sipas burimeve tona, babai vrau djalin, në rrugën ‘Ndue Perlleshi’’, teksa me të marrë informatën policia arritën në vendin e ngjarjes.
Por burime të lajmi.net bëjnë të ditur se informacioni për vrasjen erdhi pikërisht nga i dyshuari për kryerjen e këtij akti, që është vetë babai i Albert Krasniqit.
“Ejani se e vrava djalin”, theksohet t’u ketë thënë i dyshuari policisë në thirrjen që bëri për të lajmëruar rastin.
Por jo vetëm kaq. Sipas të njëjtave burime, Albert Krasniqi prej disa ditësh ishte në kërkim të policisë, për shkak të raportimit për dhunë fizike ndaj ish-bashkëshortes, Besa Gashi.
Policia ishin vënë në kërkim të Krasniqit, për shkak të kësaj vepre derisa sonte ngjarja tragjike çoi rastin në një dimension tjetër.
Albert Krasniqi ishte i njohur edhe më parë për organet e rendit, pasi i njëjti kishte plagosur reperin Noizy në qendër të kryeqytetit, por që rasti ishte zgjidhu më pas me pajtimin e të dy palëve.
Nga Policia e Kosovës sonte deklaruan se tashmë janë duke u hetuar të gjitha rrethanat e këtij rasti dhe se personi i dyshimtë është arrestuar. /lajmi.net