Katër persona kanë vdekur në Brazil pasi autobusi që po e transportonte ekipin e futbollit Esporte Clube Vila Maria Helena ra 10 metra poshtë pasi e humbi kontrollin dhe doli nga rruga.
29 persona të tjerë u lënduan nga aksidenti horror në Alem Paraiba, në shtetin e Minas Gerais në jug-lindje të vendit.
Viktimat i përfshijnë tre adoleshentë, të moshave mes 14 e 17 vjet dhe një i rritur, njofton uebfaqja braziliane “G1”, përcjell “Gazeta Express”.
24 nga të lënduarit u dërguan në spitalin e Sao Salvador, ndërsa 5 të tjerë u transportuan drejt Casa de Caridade Leopoldinense, në Leopoldina.
Shoferi i autobusit e humbi kontrollin derisa po kalonte nëpër urën BR-116 derisa automjeti ra poshtë me kokë në një përrua.
Policia po e heton rastin, ndërsa thuhet se shoferi i autobusit nuk i ishte përshtatur shpejtësisë së lejuar në atë pjesë.
Autobusi përfundoi jashtë rrugës duke rënë nga një urë, për të përfunduar tragjikisht rruga që e kishte nisur ekipi i të rinjve të këtij ekipi, që po ktheheshin në qytetin e tyre të Duque de Caxias nga Ubaporanga, ku kishin marrë pjesë në një turne futbolli, me ç’rast kishin luajtur me ekipin Simonesia.
Ekipi që pësoi tragjedi ishte mjaft i suksesshëm në ligën ku garonte, duke qenë i pari në kategorinë U-18 dhe i dyti në U-16.