Hetuesit austriakë po hetojnë 21 persona për lidhje të mundshme me sulmin e fundit terrorist në Vjenë, u njoftua të premten. Por hetuesit ende supozojnë se vrasësi e kreu sulmin i vetëm.
“Ne supozojmë se Kujtim Fejzulai nuk kishte bashkëpunëtorë të drejtpërdrejtë në sulm, por veproi i vetëm. Sa njerëz kishin njohuri për planet e tij, hetimi ende nuk ka treguar”, tha kreu i grupit hetimor “2 Nëntori” Michael Lohnegger në konferencë për shtypje. Kreu i hetimit austriak tha se 21 bashkëpunëtorë të mundshëm të vrasësit vjenez janë aktualisht nën hetim për të treguar nëse dhe në çfarë mase ishin në dijeni të planeve të tij për sulmin gjatë të cilit ai vrau katër persona dhe plagosi katër njerëz në një sulm vrastar në qendër të Vjenës më 2 nëntor.
“Dhjetë janë në paraburgim, për 11 të tjerët nuk kishte prova të mjaftueshme konkrete për ndalimin”, tha Zyra e Prokurorit shtetëror të Vjenës. Hetimi zbuloi se vrasësi kishte lidhje me islamikët në Gjermani dhe Zvicër dhe se ai po përpiqej të siguronte municion për armë automatike në Sllovaki në fillim të verës. Autori i sulmit (20), nga Vjena me origjinë etnike shqiptare, i cili gjithashtu kishte shtetësinë e Maqedonisë Veriore, rreth dhjetë ditë më parë sulmoi njerëzit në rrugë në qendër të Vjenës, të armatosur me një pushkë automatike, pistoletë dhe hanxhar.
Në këtë kohë është e panjohur se si ai arriti në qendër të Vjenës me armë, por besohet se ai nuk e përdori transportin publik. Pas sulmit, Austria pranoi që shërbimi inteligjent sllovak e kishte informuar atë se autori i krimit ishte përpjekur të blinte municion dhe se ishte takuar me dy islamikë nga Gjermania dhe dy të tjerë nga Zvicra.