Shkruan Gani Mehmetaj
Me rastin e 72 vjetorit të vrasjes nga UDB-ja në Pejë, të Dervish (Radabeg) Kryeziu, luftëtarit antifashist me armë në dorë nga ditët e para të Luftës së Dytë Botërore, intelektualit, profesorit dhe sekretarit të Gjimnazit “Bedri Pejani” në Pejë, ish nxënësit e tij e përkujtojnë me respekt e nostalgji.
Historiani dhe Intelektuali i mirënjohur shqiptar Uran Butka, në biografinë e publikuar të Dervish (Radabeg) Kryeziu nga Gjakova, në mes tjerash shkruan: Dervishi lindi në Gjakovë në vitin 1922 në një familje me tradita nacionaliste. Shkollën fillore e kreu në vendlindje për të vazhduar gjimnazin “Sami Frashëri” në Prishtinë, ndërkaq fakultetin juridik e përfundoj pas lufte në Beograd. U vra në Pejë me 1951 në një atentat të organizuar nga UDB-ja Jugosllave dhe në ekzekutim të bashkëpunëtorëve të tyre shqipfolës.
Si nxënës i gjimnazit gjatë vitit 1943, Dervishi ishte përjashtuar nga shkolla për veprimtarinë e tij antifashiste për çka, pushtuesit gjermanë, që në moshën 21 vjeçare, e kishin vu para tytave të skuadrit për pushkatim, mirëpo falë fatit të jetës, përkundër gjuajtjes mbi të, i kishte mbijetuar pushkatimit.
Përkundër ndjekjes së vazhdueshme të tij nga okupatori nazifashist, ai pas luftës, në vitin 1945 u akuzua nga shefi i OZN-es për Pejë, renegati shqipfolës Alush Gashi, përgjegjësi kryesor për vrasjen pa gjyq të shumë atdhetarëve pejanë, pas lufte, për gjoja shërbime informative të kryera kundër pushtetit sllavo-komunist.
Në gjykimin, i cili u organizua në Prizren, më dt.19.12.1945 nga Kolegji i Gjykatës Popullore të Rrethit, të cilin e kryesonte gjyqtari Simon Kazhiq e sipas aktakuzës së prokurorit publik, Goroljub Popoviq, për veprën penale nga neni 3 dhe 9 i Ligjit mbi veprat penale kundër popullit dhe shtetit nr. 61/45, falë dëshmisë së shokëve të klasës, kompozitorit të mirënjohur Rexhep Mullaj alias Rexho Mulliqi, Franë Berisha dhe Gjokë Kolcaj, të cilët në dëshminë e tyre dhënë para kolegjit të gjykatës demantuan në tërësi pohimet e shefit të OZN-ës të Pejës, tani dëshmitarit Alush Gashi, duke dëshmuar faktin se shokët e klasës, të akuzuarin Dervish Kryeziun, nuk e njohin si informator, por përkundrazi si një përkrahës të flakët të luftës antifashiste, për ç’arsye ka qenë i ndjekur nga grupi i nxënësve reaksionarë të gjimnazit Sami Frashëri dhe i pushtuesve gjermanë. Në vazhdim, dëshmitarët me prova të shumta, e bindën trupin gjykues se Dervish Kryeziu, ishte edhe pjesëmarrës aktiv i luftës antifashiste në radhët e “Lëvizjes Kryeziu” të udhëhequr nga xhaxhai i tij Gani beg Kryeziu.
Duke marrë për bazë dëshmitë e dëshmitarëve, si dhe duke zbatuar dekretin e shpallur nga pushteti sllavo komunist të dt.05.08.1945 për amnisti të përgjithshme, Dervishi u lirua nga akuza. Megjithatë, pushteti me lakejtë shqipfolës pas ”çlirimit” u përkujdesën, për shpërnguljen e kësaj familje nga Gjakova me shpronësim të pasurisë së tij duke ia rrënuar kullën e djegur nga pushtuesit gjermanë në Mehallën e Hadumit në Gjakovë me qëllim të zhdukjes së gjurmëve të pranisë shekullore të kësaj familje në këto troje, dhe me gurët e mermerit të kullës së rrënuar ndërtuan Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare në Gjakovë.
Kulla e rrënuar e Dervish Kryeziut në Gjakovë, e trashëguar nga gjyshi Riza bej Gjakova, firmëtar i pavarësisë së Shqipërisë në Vlorë me 1912 siç mëson historiografia ishte strehë e sigurt e parisë së Kosovës me 400 luftëtar të lirisë para nisjes së delagacionit të Kosovësr në drejtim të Vlorës me qëllim të shpalljës së pavarësisë dhe mbrojtjes me armë në dorë të qeverisë së Ismajl bej Qemalit.
Këtij delegacioni siç thuhet në kujtimet e firmëtarit të pavarësisë Dhimitër Zografit, përcjellësit të Ismajl Qemalit në rrugëtimin e tij drejtë Vlorës i printe Riza bej Gjakova, gjyshi i Dervishit, i përcjell nga Isa Boletini, Zenel Begolli, Qerim Begolli, Dervish Ipeku etj. s’bashku me 400 luftëtar të gatshëm për sakrificë sublime me jetën e tyre në mbrojtjen e Qeverisë së Vlorës dhe kufirit me grekun dhe serbin.
Atë që nuk e realizuan dot pushtuesit nazifashistë, gjatë luftës së Dytë Botërore, eliminimin fizik të Kryezinjëve të Gjakovës e realizoi pushteti sllavokomunist, në bashkëpunim me ca renegat shqipëfolës komunist, të rekrutuar nga UDB-ja jugosllave, të cilët me qëllim të përmbysjes së regjimit stalinisto komunist të Enver Hoxhës në Shqipëri dhe inaugurimit në pushtet të Koçi Xoxës, një bashkëpunëtor i dëshmuar i Jugosllavisë i ofruan Gani Begut ti prijë këtij komploti. Mirëpo, prijësit e “Lëvizjes Kryeziu”, përkundër faktit se ishin të kërcënuar me jetë nga UDB-ja, kishin refuzuar ofertën për t’u rekrutuar si përkrahës të idesë së kahmotshme të shovenistëve serbë për futjen e Shqipërisë staliniste në kuadër të Federatës Jugosllave.
Edhe pse Kryezinjtë, ishin armiq të përbetuar të regjimit stalinisto komunist të Enver Hoxhës, Gani beg Kryeziu pa hezitim kishte refuzuar ofertën Jugosllave që në këmbim të ruajtjes së kokës së tij të vihet në krye të qeverisë kukull e cila do ta merrte pushtetin në Shqipëri, pas rrëzimit të regjimit të Enver Hoxhes siç propagandonte Beogradi me qëllim të masovizimit të përkrahësve të kësaj ideje, për çka edhe u helmue dhe vdiq në spitalin e burgut në Mitrovicë të Sremit disa ditë para përfundimit të dënimit me burgim 5 vjeçar. Është e mirënjohur thënia e tij e fundit drejtuar popullit shqiptar “Më mirë në vorrë se horë.
Vrasja e Dervish Kryeziut në Pejë, shënon fundin tragjik të kësaj familje me tradita nacionaliste, antikomuniste e cila, siç njofton historiografia, i kishte dhënë kombit shqiptar shumë personalitete të shquara si në rang kombëtar, ashtu edhe ndërkombëtar.
Dervish (Radabeg) Kryeziu, nuk ishte vetëm luftëtar i lirisë, por ishte edhe iluminist, që kishte edukuar në frymën e atdhedashurisë shumë gjenerata nxënësish. Vrasja e gjeti në detyrën e profesorit dhe sekretarit të Gjimnazit “Bedri Pejani” në Pejë, që e bënte edhe më të rrezikshëm për pushtetin sllavokomunist.