in

Atentat ndaj autorit të “Vargjeve satanike” Selman Rushdie

Shkrimtari Salman Rushdie u sulmua në një event në Chautauqua, New York nga një burrë që hyri në skenë dhe e goditi me thikë në qafë, tha policia.

Rushdie u dërgua me helikopter në spital, sipas Policisë së Shtetit të Nju Jorkut, e cila tha se gjendja e tij nuk dihet për momentin.

Incidenti ndodhi rreth orës 11:00 (në SHBA), kur një burrë vrapoi në skenë dhe sulmoi Rushdie dhe intervistuesin, Henry Reese, i cili pësoi një dëmtim të lehtë në kokë. Një efektiv i policisë së shtetit të Nju Jorkut e dërgoi menjëherë në paraburgim atentatorin.

Rushdie do të bisedonte me Reese për një seri leksionesh verore në Institutin Chautauqua, i cili tërheq disa nga autorët, politikanët dhe shkencëtarët më të shquar të botës për të folur me mijëra të ftuar.

Policia nuk ka dhënë informacione për atentatorin e dyshuar, përfshirë motivin e mundshëm të sulmit. Por Rushdie është përballur me kërcënime me vdekje prej dekadash, pas botimit të librit “Vargjet Satanike” në vitin 1988 . Libri – një roman kompleks që përdor realizmin magjik dhe fillon me një aeroplan të rrëmbyer që shpërthen mbi Kanalin Anglez – bën referenca të diskutueshme për Muhamedin, Islamin dhe Kuranin.

Pas botimit, Ajatollah Ruhollah Khomeini i Iranit lëshoi një thirrje, ose fetva, për ekzekutimin e autorit britanik, duke thënë se trajtimi i Islamit dhe Muhamedit në roman ishte blasfemi.

Për vite më pas, Rushdie u detyrua të lëvizë me roje dhe ta mbante të fshehtë vendndodhjen e tij. “Vargjet Satanike” u ndaluan në disa vende dhe provokuan protesta në mbarë botën. Dyqanet e librave dhe njerëzit e lidhur me botimin e librit në mbarë botën, u sulmuan. Përkthyesi i saj japonez u vra në vitin 1991.

Në vitin 1998, presidenti i atëhershëm i Iranit, Mohammad Khatami, i konsideruar si reformator, dukej se e distanconte qeverinë nga fetvaja kundër Rushdie, duke thënë se ajo ishte “plotësisht e përfunduar”. Por në Iran, ajatollahu është udhëheqësi suprem dhe ka fjalën e fundit në shumicën e çështjeve të vendit, duke përfshirë dekretin fetar. Deri në vitin 2005, pasardhësi i Khomeinit, Ali Khamenei, tha se fetvaja ishte ende e vlefshme dhe në vitin 2016, mediat shtetërore shtuan 600,000 dollarë shtesë në shpërblimin për kokën e Rushdie, duke e çuar atë në mbi 3 milionë dollarë.

Por vitet e fundit, Rushdie, i cili u transferua në Nju Jork në fillim të viteve 2000 dhe u bë shtetas amerikan në vitin 2016, është shfaqur pa truproje të dukshme, përfshirë edhe në ngjarje masive letrare, si Festivali Kombëtar i Librit në Uashington.

Sulmi i së premtes ndaj Rushdie, i cili është bërë flamurtari i kauzës së lirisë letrare të shprehjes, habiti avokatët dhe organizatat e lirisë së fjalës. “Ne nuk mund të mendojmë për asnjë incident të krahasueshëm të një sulmi të dhunshëm publik ndaj një shkrimtari letrar në tokën amerikane” tha në një deklaratë CEO e PEN America, Suzanne Nossel.

Carl LeVan, një profesor në Universitetin Amerikan, ishte mes audiencës me motrën e tij. Ai tha se e pa sulmuesin që e godiste me thikë Rushdie “në mënyrë të përsëritur, me vendosmëri” dhe pa edhe shkrimtarin kur ra në dysheme. Rojet e sigurisë vrapuan në skenë, ndërsa të ftuarit në amfiteatër bërtisnin dhe filluan të bënin foto. LeVan tha se disa nga të pranishmit hipën gjithashtu në skenë në përpjekje për të ndihmuar. Dëshmitarë të tjerë panë gjak në skenë.

Më pak se një orë pas ngjarjes, LeVan tha se ai ende po dridhej fizikisht pasi ishte dëshmitar i asaj që ai e quajti “një akt i tmerrshëm intolerance”.

Disa persona nga audienca thanë se nuk kishte kontrolle sigurie përpara se të hynin në amfiteatër.

Të pranishmëve iu tha që të evakuonin vendin pas sulmit. Sam Peters, 19 vjeç, e pa të gjithë incidentin nga niveli i sipërm i amfiteatrit. Pas ngjarjes, ai tha se atmosfera ishte ajo e mosbesimit mes të pranishmëve. Disa prej tyre ishin në lot.

Peters, i cili viziton festivalin Chautauqua çdo vit, nuk ishte i njohur me punën e Rushdie, por kishte dëgjuar për kërcënimet me vdekje që mori autori. “Unë shkova në bisedë për të kuptuar pse njerëzit do të donin të vrisnin dikë për një shkrim” tha ai. “Nuk e di pse ai nuk ishte i mbrojtur më mirë.”

Guvernatorja e Nju Jorkut Kathy Hochul (D) vlerësoi reagimin e shpejtë të autoriteteve ndaj asaj që ajo e quajti një “ngjarje të tmerrshme”. Ajo tha se mendimet e saj ishin me familjen dhe të dashurit e Rushdie./Përshtati Lapsi.al

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Loading…

0

Vuçko Boriloviq, vrau 10 persona dhe plagosi gjashtë të tjerë

Agjenti i Salman Rushdie flet për gjendjen e shkrimtarit pasi u ther me thikë